Forcat detare franceze ndaluan të enjten në det të hapur, në Mesdhe, një cisternë nafte me emrin Grinch, e cila vinte nga porti i Murmanskut në veri të Rusisë dhe ishte nën sanksione ndërkombëtare, tha presidenti francez Emmanuel Macron.

Autoritetet e dyshojnë se anija ishte pjesë e ashtuquajturës “flotë në hije”,  një rrjet tankerësh që përdoret për të shmangur sanksionet perëndimore ndaj naftës ruse, duke lundruar nën flamuj të dyshimtë dhe me pronësi të pasqaruar.

Operacioni u krye në ujërat ndërkombëtare midis Spanjës dhe Marokut, me ndihmën e disa aleatëve, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar. Sipas zyrtarëve francezë operacioni u bë nën Konventën e Kombeve të Bashkuara për të Drejtën e Detit.

Macron tha se kjo veprimtari e “flotës në hije” ndihmon në financimin e luftës së agresionit ndaj Ukrainës dhe se Franca është e vendosur të zbatojë me forcë çdo sanksion.

"Nuk do të lëmë asnjë të kalojë" tha Macron.

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky përshëndeti operacionin, duke thënë se ky është lloji i vendosmërisë që nevojitet që nafta ruse të mos shërbejë më për të financuar luftën. Ai sugjeroi që anijet e kapura të konfiskohen dhe nafta e tyre të shitet.

Nga ana e saj, Rusia tha se nuk ishte njoftuar paraprakisht për ndalimin e cisternës dhe po kërkon sqarime lidhur me ekuipazhin dhe situatën ligjore të anijes.

Ndalesa e fundit është pjesë e një fushate më të gjerë nga vendet perëndimore për të kufizuar evazionin e sanksioneve ruse përmes tankeve të vjetra dhe flamujve të rremë.

Në fillim të vitit, ushtria e Shteteve të Bashkuara sekuestroi  një cisterne nafte me flamur rus me emrin Marinera, në ujërat e Atlantikut të Veriut. Ajo u morr nën kontroll për shkelje të sanksioneve të SHBA-së.