Ndeshja nis në mënyrën më të mirë për ekipin e Deshamp që kalon në avantazh me Olivier Giroud në minutën e 17. Sulmuesi shtatlartë pas një harkimi të saktë nga këndi kërcen më shumë se mbrojtja zvicerane duke goditur saktë me kokë dhe dërguar topin në rrjetë duke kaluar në epërsi. Një minutë pas më pas si pasojë e shthurjes së mbrojtjes kundërshtare përfiton Matuidi që dyfishon shifrat pas një zbritje të shpejtë.
Golat e pësuar çorientojnë ekipin e Zvicrës që si rrallë herë e humbet ritmin në fushë duke u shfaqur pa ide. Ndërsa Franca me presion dhe lojë të shpejtë nga krahët arrin që falë një aksioni në zonën kundërshtare të fitojë edhe një penallti, e cila nuk ekzekutohet saktësisht nga Benzema që humbet një mundësi të mirë për të trefishuar rezultatin. Por nuk vonon shumë dhe në të 40’ atë që nuk e bëri Benzema e bën Valbuena që shënon golin e tretë për ekipin e Francës.
Valbuena shënoi pas një zbritje të shpejtë nga krahu i majtë i trikolorëve dhe pasimit të saktë në zonë duke mos e pasur të vështirë që të dërgojë topin në rrjetë. Me këtë rezultat mbyllet pjesa e parë. Në fraksionin e dytë është e njëjta histori me Francën që vijon të kontrollojë lojën në fushë me bindje duke mos lejuar Zvicrën të avancojë në drejtim të gjysmëfushës së saj. Për të mbërritur në minutën e 67 kur Benzema merr një asist, stopon topin bukur në zonën zvicerane pa asnjë shqetësim, gjuan duke kaluar sferën poshtë këmbëve të portierit dhe çuar shifrat në 4-0.
Ndërsa ky ishte goli i tretë i Benzemasë në këtë kampionat botëror duke iu bashkuar yjeve të tjerë si Myler, Roben dhe Van Persi. 6’ pas golit të Bemzema Sisoko në të 73’ shënon golin e pestë për ‘gjelat’. Blerim Dzemail 81‘ shënon golin e parë për Zvicrën, ndërsa Xhaka 3’ nga fundi, por që vlejnë vetëm për statistika. Pas ndeshjes që ishte parashikuar më e vështira në grup, Franca nuk e ndjeu aspak mungesën e Riberisë. Pas kësaj fitoreje Franca shkon e qetë në ndeshjen e fundit në grup përballë ekipit të Ekuadorit. Ndërsa Zvicra duhet që të fitojë ndeshjen me Hondurasin, e cila parashikohet e lehtë për ekipin Hitzfeld.
