REIMS - Në fshehtësi absolute, pa gdhirë ende mëngjesi i sotëm është varrosur Said Kouachi, më i madhi i vëllezërve Kouachi, autorë të masakrës së 7 janarit në Paris. Funerali u ndoq edhe nga disa antarë të familjes nën mbikqyrjen e policisë në Reims të qytetit Marne ku ai kishte jetuar.

Kryetari i komunës, Arnaud Robinet kishte kundërshtuar varrosjen e tij në këtë qytet, për evitimin e problemeve të rendit, por Kouachi ka jetuar në qytet 2 vitet e fundit dhe me ligj duhej të varrosej aty. Ndërkaq, shumë shpejt pritet të varroset edhe i vëllai, Cheriff që sikurse Said do të ketë një varr pa emër. Më parë, autoritetet algjeriane refuzuan kërkesën e Francës për pranimin e eshtrave të vëllezërve, me arsyetimin se ata kishin origjinë nga Algjeria.

Por sipas autoriteteve, dëshira e Francës për të varrosur dy vëllezërit atje, ishtenjë përpjekje për të hequr qafe një bombë me sahat, që mund të rrisë pasigurinë në vend. Sa i takon autorit të tretë të masakrës, Amdey Coulibaly, nuk është marrë ende asnjë vendim nga familja apo kryetari i Komunës së Grigny, ku ai kishte hetuar me gruan e tij, e cila është aktualisht femra më e kërkuar në Francë.

Por kjo nuk është e gjitha. Hayat Boumedienne mund të jetë shtatzënë. Rrjeti televiziv francez BFM, ka shfaqur dëshmitë e disa miqve të terroristëve që përgjakën Parisin. Sipas këtij versioni, përpara se të vritej në supermarket, Coulibalu mësohet të ketë thënë: “Unë kurrë nuk do ta shoh djalin tim, por do ta takoj atë në qiell”.

Ndërkohë situata në kryeqytetet perëndimore vazhdon të jetë alarmante për shkak të kërcënimeve të vazhdueshme për sulme terroriste nga militantët ekstremistë të shtetit Islamik. Të paktën 15 mijë forca policore janë mobilizuar në ruajtjen e Francës, pas sulmeve të përgjakshme të javës së shkuar dhe situata është e ngjashme dhe në Bruksel e vende të tjera në ruajtjen e objekteve e ambienteve publike.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)