Francezët po forcojnë pozicionin si tregu kryesor i huaj për qiratë ditore në Shqipëri, ndërsa vizitorët nga Shtetet e Bashkuara po i afrohen Gjermanisë në renditjen e netëve të qëndrimit.
Të dhënat e AirDNA për periudhën 12-mujore të mbyllur në qershor 2026 tregojnë se 17.7% e netëve në strukturat shqiptare të listuara në platformat e qirave afatshkurtra u rezervuan nga vizitorë francezë. Një vit më parë, pesha e tyre ishte 15%.
Franca jo vetëm ruajti vendin e parë, por regjistroi edhe rritjen më të fortë mes tregjeve kryesore, me një zgjerim prej 2.7 pikësh përqindjeje brenda një viti.
Gjermania mbeti tregu i dytë, por pesha e saj zbriti në 13.39%, nga 13.7% në periudhën e mëparshme. Menjëherë pas saj renditen Shtetet e Bashkuara, që siguruan 12.99% të netëve të qëndrimit, nga 11.7% një vit më parë.
Diferenca mes Gjermanisë dhe SHBA-së është ngushtuar në vetëm 0.4 pikë përqindjeje, duke reflektuar rritjen e pranisë së vizitorëve amerikanë në tregun shqiptar të akomodimit afatshkurtër.
Mbretëria e Bashkuar renditet e katërta me 11.4% të netëve, por pesha e saj ra nga 12.62%. Në rënie ishin edhe Holanda dhe Italia. Vizitorët holandezë përfaqësuan 4.15% të qëndrimeve, nga 5.17%, ndërsa italianët zbritën në 3.75%, nga 4.93%.
Kanadaja vijoi të fitojë terren, duke arritur në 3.43% të netëve të qëndrimit, nga 2.94% një vit më parë.
Vizitorët vendas përfaqësuan vetëm 2.91% të totalit, nga 3.05% në periudhën e mëparshme.
Kjo do të thotë se rreth 97.1% e netëve të regjistruara në Airbnb dhe platformat e ngjashme në Shqipëri erdhën nga klientë të huaj. Tregjet e tjera, jashtë vendeve të identifikuara veçmas nga AirDNA, përbënë së bashku 30.28% të qëndrimeve./Monitor













Komente
Komento