Francezi Patrick Modiano nderohet
me Nobelin për Letërsinë
 

Francezi Patrick Modiano nderohet<br />me Nobelin për Letërsinë<br /> 
TIRANE- Romancieri francez, Patrick Modiano, ka marrë dje çmimin Nobel për Letërsinë 2014, njoftoi komiteti organizator. ”Patrick Modiano nderohet me çmimin Nobel për Letërsinë për artin e kujtesës me të cilin ai ka evokuar fatet më të përvuajtura njerëzore dhe ka zbuluar botën e Pushtimit”, thuhet në citimin e Akademisë Suedeze. Patrick Modiano, 69 vjeç, është shkrimtari i pesëmbëdhjetë francez, i cili merr një nga çmimet më prestigjioze të botës.

”Tema të tilla si kujtesa, harresa, identiteti dhe faji janë në qendër të veprës së tij, ku Parisi konsiderohet si një pjesëmarrës aktiv”, thekson Akademia Suedeze në vlerësimin e saj. Shkrimet e Modianos shtrihen në kohë mes së kaluarës dhe së tashmes. Romancieri francez, i cili ka marrëdhënie shumë të kursyera me median, ka shkruar më shumë se 30 libra për të cilët ka marrë një numër çmimesh, përfshirë çmimin e njohur Goncourt. Patrick Modiano lindi në Boulogne-Billancourt të Francës në vitin 1945. Është autor i shumë romaneve, librave për fëmijë dhe skenarëve. Botohet rregullisht që prej vitit  1968 nga një prej shtëpive më të mëdha botuese franceze, “Gallimard”.

Gjatë karrierës së tij të gjatë ka marrë veç të tjerave dy nga çmimet më të mëdha letrare që jepen për letërsinë franceze: “Grand prix du roman de l’Académie Française, 1972”, “Prix Goncourt, 1978”. Thuajse të gjitha veprat e tij janë përkthyer dhe botuar në gjuhët më të mëdha të botës, si gjermanisht, anglisht, spanjisht, suedisht etj. Modiano ka shkruar edhe skenarë filmash. Romani i tij i fundit është ”Pour que tu ne te perdes pas dans le quartier” (”Që ti të mos humbësh nëpër lagje”), që është publikuar këtë vit. ”Modiano është i thjeshtë për t’u lexuar”, thotë sekretari i Akademisë Suedeze, Peter Englund. “Gjuha e tij është e thjeshtë, por kompozimi i romaneve është pothuajse fin”, shton ai.

”Fakti që Modiano shkruan libra të shkurtër, zakonisht 130 faqe, të jep mundësinë të lexosh një prej tyre, të hash darkë dhe pastaj të lexosh një tjetër”, thekson Englund. Modiano, i cili u lind më 30 korrik 1945, në Boulogne-Billancourt, periferi e Parisit, me baba hebre dhe nënë flamande, i pari tregtar dhe e dyta aktore, njihet për marrjen e subjekteve të tij nga artikujt e gazetave dhe nga intervistat dhe shumë nga historitë e tij janë të bazuara në ngjarje autobiografike apo ngjarje të lidhura me pushtimin gjerman të Luftës së Dytë Botërore. 


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 10 Tetor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com) 

 

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Qëlloi të riun në Thumanë, pezullohet nga detyra drejtori i Rrugores Altin Qato

Qëlloi të riun në Thumanë, pezullohet nga detyra drejtori i Rrugores Altin Qato