Frashëri: Shqipëria, e pasigurtë
për armët e Skënderbeut

Frashëri: Shqipëria, e pasigurtë<br />për armët e Skënderbeut
Dje në Tiranë erdhën nga Muzeu i Vjenës përkrenarja dhe shpata e Skënderbeut me rastin e 100 Vjetorit të Pavarësisë. Lidhur me këtë, arkeologu Gjergj Frashëri thotë, se lajmi tingëllon mirë nga pikpamja mediatike dhe politike dhe ardhja e armëve në kryeqytetin tonë është për t'u përshëndetur. Por Armët e Skënderbeut, thotë ai, nuk janë dokumentat më autentike dhe domethënëse, se sa veprat ku kanë ndodhur ngjarjet e mëdha siç është Kalaja e Krujës, e cila prej vitit 1992 është përçmuar dhe dhunuar në mënyrë të pashëmbullt në ditët tona. Ajo është monumenti më përfaqësues që lidhet ngushtë me veprën madhështore të popullit shqiptar në shek. 15 nën udhëheqjen e Heroit Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeut, për mbrojtjen e lirisë së tij dhe të qytetërimit europian. Në vitet 1974-1989 Frashëri ka kryer gërmime masive arkeologjike shumëvjeçare në Kalanë e Krujës, të shoqëruara me konservime arkeologjike dhe restaurime monumentesh, për t'a bërë atë më të vizitueshme.

Përse vijnë Armët e Skënderbeut në Tiranë me rastin e 100 Vjetorit të Pavarësisë?

Sjelljen e armëve të Skënderbeut në Tiranë, e shoh si një gjest politik pozitiv të shtetit austriak ndaj Shqipërisë, për të uruar 100 Vjetorin e shtetit shqiptar. Përkrenarja dhe shpata autentike e Skënderbeut vijnë nga Vjena si relike origjinale të Heroit Kombëtar, por me sa jam në dijeni, ato nuk do të qëndrojnë gjatë në vendin ku u takon të qëndrojnë përherë. Armët e Skënderbeut po vijnë pas gati pesë shekujsh jo për t'u riatdhesuar, por si të thuash për vizitë turistike në Atdheun e tyre. Pas ekpozimit disa javësh në Tiranë ato do të kthehen përsëri në Muzeun e Vjenës. Pra ardhja turistike e Armëve të Skënderbeut në Tiranë shoqëron vullnetin e mirë të qeverisë austriake përfaqësuar nga zëvendëskancelari i Austrisë, Mikael Spindeleger për të marrë pjesë në festimet për 100-vjetorin e Pavarësisë. Në anën tjetër duket vlerësimi pozitiv që qeveria shqiptare e lidh figurën e Skënderbeut me 100 Vjetorin e Pavarësisë. Por, ndërsa me të drejtë po vlerësohet kuptimi simbolik i armëve të tij, kjo nuk n'a lejon të injorojmë vlerat reale të monumenteve të epokës së Skënderbeut, që ndodhen në vendin tonë, siç është Kalaja e Krujës.

Si është historiku i fatit të armëve të Skënderbeut?
Reliket përbëhen nga përkrenarja dhe dy shpatat që ndodhen në Muzeun e Historisë së Artit në Vjenë. Sipas biografit të mirënjohur akademikut Kristo Frashëri, pas vdekjes së Skënderbeut, ato i morën me vete, e shoqja Donika dhe i biri Gjoni, kur mërguan në Itali. Pasi kaluan nga njëra dorë në tjetrën të pasardhësve të tyre, ato shfaqen në burimet dokumentare në vitin 1590, kur përkrenarja dhe dy shpatat nuk ndodheshin në një dorë të vetme. Përkrenaren dhe njërën shpatë e kishte në zotërim konti Wolfang i Sturbenbeng-ut. Shpata tjetër ndodhej në Muzeun e Armëve të arkidukës Karl i Stirisë, biri i perandorit të Gjermanisë në Gratz (Austri). Ai që i bashkoi ato ishte biri tjetër i perandorit gjerman (vëllai i Karlit) arkiduka Ferdinand i Tirolit, me porosinë e të cilit, kancelari i tij, Jacob Schrenk von Götzing i shtiu ato në dorë me blerje. Me ato, ai pasuroi Muzeun që Ferdinandi ngriti në Ambras pranë Tirolit në Austri. Në inventarin e hartuar në vitin 1595 përkrenarja dhe dy shpatat e Heroit renditen ndër objektet e Muzeut të Ambrasit. Që këtej në vititn 1806, ato u transferuan në Muzeun Perandorak të Vjenës, por përsëri të veçuara. Përkrenarja dhe shpata me trup të drejtë u vendosën në sallën e quajtur të Maksimilianit (salla XXV, nr. 71 dhe 92), kurse shpata tjetër me trup të harkuar (palla) në sallën e quajtur të Karlit V (salla XXVII, nr.345). Ato u veçuan ngase drejtuesit e Muzeut të Vjenës, nuk ishin plotësisht të bindur se palla, e shkëputur nga përkrenarja, i takonte me të vërtetë Skënderbeut. Në pragun e 500-vjetorit të vdekjes së Heroit, ato u bashkuan në të njëjtën sallë, madje në të njëjtën vitrinë, të po atij institucioni që tani quhet "Muzeu i Historisë së Artit" (Kunsthistorisches Museum, Ëien).

Çfarë përfaqësojnë sot armët e Skënderbeut në publikun shqiptar?
A ka objekte me pasuri dokumentare më përfaqësuese për heroin dhe qëndresën heroike të popullit për pavarësi në shek. 15?

Duhet bërë një dallim midis armëve të Skënderbeut, që janë objekte personale të Heroit Kombëtar, me Kalanë e Krujës, e cila përfaqëson heroizmin e një populli që luftoi për 25 vjet me rradhë dhe nuk iu dorëzua armikut. Përkrenarja dhe shpata zgjojnë tek né efekte emocionale, sjellin para syve tanë personin-hero, të cilin në sajë të këtyre objekteve e përfytyrojmë duke luftuar vetë me armiqtë në krye të ushtrisë së tij. Kurse kalaja përfaqëson rezistencën heroike popullore. Kur e viziton atë duket sikur sheh ende luftëtarët trima të Skënderbeut duke mbrojtur qytetin, jo vetëm me muret e kalasë, por edhe me gjokset e tyre. Ajo që i bashkon të dyja këto objekte është Heroi. Prandaj edhe një herë e përsëris, ardhja e objekteve personale të Skënderbeut, qoftë edhe përkohësisht është për t'u përgëzuar.

Por kjo vizitë e armëve n'a jep rastin të pyesim, se ç'gjëndje ndodhet aktualisht Kalaja e Krujës si dokument arkeologjik dhe ndërtimor në prag të 100 Vjetorit të Pavarësisë?
Nuk ka monument me informacion dokumentar më domethënës historik, shpirtëror, social dhe etik që dëshmon për heroin dhe veprën e popullit shqiptar nën udhëheqjen e tij, se sa Kalaja e Krujës. Brënda këtij qyteti ka banuar edhe vetë Skënderbeu. Deri para Luftës II Botërore Kalanë e Krujës e kanë vizituar me dhjetra amatorë të trashëgimisë kulturore, studimtarë të monumenteve, historianë dhe arkeologë të huaj, midis tyre edhe amatorë vëndas, të cilët e kanë cilësuar atë si dëshmitare të pazëvëndësueshme dokumentare të historisë së lavdishme të popullit shqiptar nën udhëhëqjen e mbrojtësit të krishtërimir evropian, Gjergj Kastriotit Skënderbeut në shek. 15. Por ata nuk arritën të kryenin gërmime arkeologjike apo gjurmime arkitektonike për të ndriçuar vlerat e saj dokumentare shkencore

Po më tej si u trajtua Kalaja e Krujës?

Kujdesi për ruajtjen e saj si dokument historik u bë i mundur vetëm pas Luftës II Botërore. Kalaja e Krujës u shpall në mbrojtje të shtetit më 1948. Në vitet 50' studimin shkencor të saj si dokument historik, arkeologjik dhe kulturor e morën në dorë historianët dhe arkeologët e Shqipërisë. Veprimtaria e studimtarëve shqiptarë e Pasluftës deri në vitin 1991është periudha më e frytshme e historiografisë së monumentit. Sinjalin e parë rreth lashtësisë së Krujës e dha arkeologu Frano Prendi më 1958, i cili zbuloi në truallin e Krujës shënja jete njerëzore që i përkasin fillimeve të epokës së hekurit dhe arrijnë deri ne shek. 7-5 p.Kr. . Material me rëndësi të veçantë për historinë e Krujës si vendbanim nxorrën në dritë arkeologët S. Anamali dhe H. Spahiu, në gërmimet shumëvjeçare përfunduar më 1961, të cilët nëpërmjet zbulimit të nekropolit, shfaqën mendimin për ekzistencën e kalasë saj qysh në fillim të mesjetës së hershme (shek.7-8) . Kërkimet e para mbi mbetjet ndërtimore në hapsirën e kalasë u kryen në vitet 1966-1967 nën drejtimin e historianit Stilian Adhami, me rastin e 500 vjetorit të vdekjes së heroit kombëtar. Ai bëri të parën përpjekje për hartimin e një kronologjie të historisë ndërtimore të kalasë dhe kreu punime restaurimi në pjesën e ballkonit të Kullës së Sahatit, në Hamamin e kalasë, në ndërtesën e Haremllëkut të Toptanëve që u kthye në Muze Etnografik dhe në rikonstruksionin e pjesshëm të Pazarit të Vjetër jashtë kalasë.

Një vënd të rëndësishëm në kërkimet arkeologjike dhe restaurimet për qëllime muzeale në Kalanë e Krujës zënë edhe punimet tuaja shumëvjeçare?

Në vitet 1974-1989 Kalaja e Krujës iu nënështrua një kujdesi shëmbëllor të shkollës shqiptare në historinë e ruajtjes, studimit dhe restaurimit si pasuri arkeologjike, arkitekturore dhe si vepër arti. Ky ishte një vlerësim multidisiplinor historik i monumentit, një projekt shumëvjeçar nën veprimtarinë e Institutit të Monumenteve të Kulturës dhe të Qëndrës së Kërkimeve Arkeologjike. Projekti përfshiu tërë urbanistikën dhe sistemin fortifikues të saj. Kujdes i veçantë iu kushtua zbulimit dhe restaurimit të veprave të kohës së Skënderbeut. Kështu u kryen gërmime masive arkeologjike dhe restaurime në tërë sipërfaqen e kalasë, në muret dhe kullat e fortifikimit rrethues, në oborrin e fortifikuar të krojeve që mbronte burimin me ujë të pijshëm të kalasë , në kompleksin e hyrjes , në bërthamën urbane të qytetit mesjetar , në zbulimin e restaurimin e akropolit të kalasë , në zbulimin dhe konservimin e pesë kishave prej shek. 5 deri në shek. 15, të xhamisë së Fatihut të shek.15 brënda kalasë, Hamamit të shek.15, Teqes së Dollmës (1789) , rikonstruksionin e Çezmës në hyrje të kalasë, etj. Tërmeti i 9 Janarit 1988 shkaktoi shkëputjen e disa blloqeve të mëdhej shkëmbore nga trupi i kalasë nën Kullën e Sahatit (Këmbanores mesjetare). Për të penguar rrëzimin e tyre u kryen ndërhyrje të guximshme ndërtimore, duke i qepur këta masivë me konstruksione inxhinierike pas trupit të kalasë, duke e shmangur rrëzimin e tyre . Në vitet 1974-1989 në Kalanë e Krujës është kryer si asnjëherë më parë një punë kolosale, e papërsëritshme në zbulimet dhe konservimet arkeologjike dhe në paraqitjen muzeale të tyre, sipas koncepteve evropiane të kohës. Këto punime ia rritën së tepërmi vlerat e saj si dokument historik dhe e bënë kalanë më të vizitueshme për vendasit dhe të huajt. Aty u derdh përvoja e specialistëve të dalë nga shkolla shqiptare e vlerësimit e qyteteve të fortifikuara, e cila u çmua në konferencat ndërkombëtare të monumenteve të kulturës. Megjithë ndërtimin në vendin e gabuar të Muzeut të Skënderbeut në vitin 1982, Kalaja e Krujës mbeti një nga veprat më përfaqësuese të shkallës së interesimit të shtetit shqiptar për trashëgiminë kulturore. Këtë e treguan edhe shpenzimet që u bënë në atë kohë për realizimin e këtij projekti shumëvjeçar multidisiplinor, të cilat kapin shumën e konvertuar mbi 9 milion euro me çmimet e sotme për gërmimet arkeologjike dhe restaurimet (pa llogaritur investimet për ndërtimin e Muzeut Kombëtar të Skënderbeut dhe ngritjen e Muzeut Etnografik brënda hapësirës së kalasë).

Po në këto dy dekadat e fundit si është vlerësuar Kalaja e Krujës?
Përpara se të largohesha nga vendi në pranverën e vitit 1990, Kalaja e Krujës ruhej me dëshmitë dokumentare të konservuara në gjëndjen e përshkruar më sipër. Më vjen keq t'a them, por atë e gjeta pas 20 vjetësh si Kala të Qofterive, të Parkimeve dhe të Betonizime, të ndërtuara mbi substancën arkeologjike të monumentit. Gjatë 16 viteve të punës si autor i projektit shumëvjeçar në Kalanë e Krujës (1974-1989) nuk m'ë pati shkuar në mëndje, se do të vinte një ditë që ky monument kulture, më domethënie të veçantë për identitetin kombëtar të popullit shqiptar, do të shkatërrohej si dokument historik nga vandalizmi shtetëror, në vënd që të ruheshin të paktën arritjet e realizuara deri në vitin 1990. Më shumë se 50% e mjedisit të saj të zbuluar dhe të pazbuluar arkeologjik është zhdukur gjatë këtyre dy dekadave nga betonizimet e kundraligjshme, nga ndërtimi i katër restoranteve në zemrën dhe pjesën e akropolit të kalasë, nga ndërtimet shtesë të banesave private në brendinë e saj, prej ndërtimeve prej betoni që po ngrihen aktualisht në hapsirën historike të kompleksit të hyrjes së kalasë duke dhunuar edhe strukturat origjinale të kullave të saj. Atëhere nuk do t'a kisha besuar gjithashtu, se fatin për ruajtjen e vlerave kombëtare të trashëgimisë historike e kulturore, do t'a merrnin në të ardhmen në duar, punonjës pa arsimin e duhur profesional dhe kulturën qytetare.

 Drejtimi i pakualifikuar është shtrirë sot në tërë damarët shtetërorë të Shqipërisë, parasëgjithash në shkeljen e ligjës dhe përhapjen e strukturave të korruptuara zbatuese. Sot punohet për grabitje kombëtare, në vënd të mbrojtjes së pasurisë së saj. Shumica e nënpunësve shtetërore sillen me pasurinë kombëtare, sikur të jenë banorë provizorë në këtë vend. Ajo që po lexojmë përditë në shtyp për grabitjet dhe trafikimet e veprave e trashëgimisë jashtë vendit, ka ndodhur edhe në Krujë. I tërë materiali arkeologjik që ndodhej deri në vitin 1990 në Muzeun e Kishës së Akropolit të kalasë është grabitur më pas pa lënë asnjë gjurmë dhe asnjë shpresë për t'u rigjetur përsëri, e shumë të tjera. Në kohën që qeveria mendon të sjellë armët e Skënderbeut në Tiranë, do bënte mirë të ndalte sëpari shkatërrimet në hapsirën e Kalasë së Heroit.

Janë përgjegjëse institucionet shtetërore për mbrojtjen e trashëgimisë?

Pyes veten për rastin konkret, cila nga zyrat shtetërore punon për të ndaluar kafshimet për vdekje që po i bëhen kalasë së Skënderbeut si dokument historik? Mjerisht, përgjegjësi më direkt i tyre është drejtoria mbushur plot e përplot me diletantë e DRKK-së Tiranës, pastaj Instituti i Monumenteve të Kulturës që prej kohësh (siç e kemi treguar disa herë në shtyp) nuk merret me mbrojtjen e monumenteve por me tenderat që përfundojnë në shkatërrimin e tyre, më tej Drejtoria e Trashëgimisë Kulturore pranë MTKRS-së, e cila duket sensibël më tepër për të mbrojtur vetveten se sa monumentet, dhe natyrisht vetë Ministri i Kulturës, që mendoj se ka shumë në dorë. Askush prej tyre nuk merret me këtë detyrë ligjore. Kam pyetur shpesh veten, e kanë arësimimin dhe përvojën e duhur drejtuesit e këtyre institucioneve për të qenë të aftë në qeverisjen e këtyre problemeve? Shqetësuese është edhe klima që krijojnë udhëzimet nga lart për dhënien me qira apo konçesion të kalave të mëdha dhe unikale të historisë së vendit, për t'ia dhënë në duar "biznesmenëve" shqiptarë të falimentuar qysh në origjinë nga piramidat e kredive, në kohën kur ndërtimi pa leje brënda monumentit është bërë një zakon i pashndëshkueshëm nga shteti, madje edhe pjesë e amnistive shtetërore. Betonizimet në Kalanë e Krujës janë një njollosje e rëndë e historisë sonë. Përgjegjës është shteti shqiptar. Shteti i diktaturës ka qënë i varfër, thuhet shpesh, por nuk po shohim se sa i pasur është ky shteti i sotëm në çështjen e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore. Bilanci i rezultateve tregon qartë të paktën, se ky i fundit vuan nga varfëria mendore. Mjafton si shëmbull, braktisja e plotë që i është bërë këto 20 vjet Kalasë së Krujës, mjafton humbjet e pakthyeshme që i janë shkaktuar substancës historike të saj. Egziston realisht një strategji e segmenteve politikë antishqiptare që duan t'a zhveshin Shqipërinë dhe shqiptarët nga identiteti i tyre historik. Personalisht jam shumë i dëshpëruar për këtë gjëndje. Nuk duhet lënë të vazhdojë kështu.

Në të vërtetë qeveria shqiptare po tregon preokupim për të sjellë armët e Skënderbeut. Nuk është kjo shenjë respekti ndaj veprës së heroit?

Në se dikush m'ë rrënon tërë shtëpinë ku banoj dhe pastaj kërkon të ekspozojë stilografin tim në stendat e muzeut, ky nuk është respekt. Armët e Skënderbeut janë një relike muzeale e heroit, nuk janë dokumente për të mësuar historinë e shek. 15, siç janë monumentet e kohës së tij. Kalaja e Krujës e bëri Shqipërinë të njohur në histori më shumë se armët e Skënderbeut. Në vënd që ajo të ruhet, e të pajiset me vlerat dokumentare e muzeale, ajo po betonizohet. Në se Kalaja e Krujës shkatërrohet si dokument historik, armët ose reliket e Skënderbeut bëhen përherë e më të pabesueshme. Duhet të mësohemi t'i shohim gjërat që n'a rrethojnë me etikë profesionale dhe kulturë historike, pjesa tjetër është ironi, e pavërtetë.

Përse armët e Skënderbeut nuk do të qëndrojnë përfundimisht në Shqipëri?
Kushtet që po sjellin armët e heroit kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeut në Shqipëri më gëzojnë dhe më trishtojnë. Ato do të ekspozohen në Tiranë me rastin e 100 Vjetorit të Pavarësisë dhe do të marrin përsëri rrugën e kthimit për në Vjenë. Arsyeja është se vendi ynë nuk plotëson kushtet për të garantuar ruajtjen e përhershme të objekteve muzeale. Në këto rrethana, dorëzimi i objekteve muzeale në një vend të pagarantuar për ruajtjen e tyre, i ngarkon vjenezët me përgjegjësi, pavarësisht se nga vinë dhe kujt i takojnë këto objekte. Pas më shumë se 500 vjetësh, Armët e Skënderbeut do të vazhdojnë t'a kenë "shtëpinë" e tyre ende në qëndër të Evropës. Ato kanë të drejtë të vinë në atdheun e tyre vetëm si vizitorë, si turistë, madje të mbrojtur nga ligjet dhe rojet e huaja. Armët e Skënderbeut ende pas më se 5 shekujsh qëndrojnë si test për mungesat e qytetërimit të shqiptarëve në vlerësimin (ruajtjen) e trashëgimisë së tyre historike. Edhe pas 100 vjetësh pavarësi, shqiptarët nderojnë ende kusarët e floririt të shtetit dhe udhëheqësit që e braktisin vëndin në ditë të vështira, ende jetojnë me ëndrrat e thësarkërkuesit ilegal, të grabitjes së veprave të trashëgimisë kulturore në trojet e veta, të dhunimit të monumenteve dhe të pasurisë arkeologjike në atdheun e tyre. Në prag të shekullit të pavarësisë po demostrojnë edhe një aftësi e zell në përmasa ndërkombëtare-prodhimin e trafikimin e drogës. Por një gjë ende nuk po e ndërtojnë dot-shtetin e vet ligjor, që t'iu sigurojë atyre një bashkëjetesë të pranueshme evropiane. Deriatëhere, edhe armët e Heroit tonë Kombëtar do t'a kenë banesën e tyre ende në mërgim.

(ad.ti/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë