Frashëri: Enver Hoxha nuk kishte
asnjë rol në Konferencën e Paqes

Frashëri: Enver Hoxha nuk kishte<br />asnjë rol në Konferencën e Paqes
TIRANE- Lufta e Dytë Botërore filloi më 3 shtator 1939, kur Anglia dhe Franca i shpallën luftë Gjermanisë hitleriane në mbrojtje të Polonisë, e cila më 1 shtator 1939 ishte sulmuar nga agresorët nazistë. Në Europë lufta mori fund me kapitullimin pa kushte të Gjermanisë hitleriane më 9 maj 1945, kurse në shkallë botërore me kapitullimin e Japonisë militariste më 2 shtator 1945. Në këtë luftë morën pjesë shumë vende dhe popuj të botës.

Në Europë me përjashtim të Suedisë, Zvicrës, Spanjës, Portugalisë dhe Turqisë në vorbullën e saj u përfshinë si viktima dhe si agresorë të gjitha shtetet e kontinentit, veç tyre edhe disa shtete të kontinenteve të tjerë. Shtetet dhe popujt që u përfshinë në Luftën e Dytë Botërore u ndanë në dy kampe – në kampin e shteteve agresore, të cilat e provokuan luftën dhe në kampin e shteteve antifashiste, të cilat iu kundërvunë agresorëve nazifashistë. Bllokun e fuqive agresore e kryesuan Gjermania hitleriane, Italia fashiste dhe Japonia militariste, së bashku me satelitët e tyre, në Evropë: Hungarinë, Bullgarinë, Rumaninë, Finlandën.

Përkundrazi, në koalicionin e madh antifashist, të cilin e kryesuan Britania e Madhe, Bashkimi Sovjetik dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, u radhitën, përveç tyre, tetëmbëdhjetë shtete (pa llogaritur Shqipërinë), nga të cilat në Europë: Çekosllovakia, Polonia, Franca, Bjellorusia, Ukraina[1], Norvegjia, Holanda, Belgjika, Jugosllavia, Greqia; në Azi: Kina, India; në Oqeani: Australia, Zelanda e Re; në Afrikë: Etiopia, Afrika e Jugut; në Amerikë: Kanadaja, Brazili.

Lufta, e cila në Europë vazhdoi diçka më pak se pesë vjet dhe shkaktoi vrasjen e miliona njerëzve, la pas një mori problemesh, disa nga të cilat ishin jetike për popujt që u përfshinë në të – administratë të shpërbërë, ekonomi të shkatërruar, ura të rrënuara, shtëpi të djegura, shkolla të rrafshuara, institucione të drobitura, e të tjera. Problem tjetër i ngutshëm ishte ai i urisë dhe i sistemimit të banorëve jo të paktë të shpërngulur nga vatrat e tyre gjatë luftës.

Parimisht barra për zgjidhjen e tyre u takoi qeverive të popujve të dëmtuar nga lufta. Veç këtyre, pati dhe probleme me përmasa madhore, zgjidhja e të cilave nuk ishte në duart e popujve që ato i pësuan, por detyrë e mbarë popujve bashkërisht.

Të tilla probleme ishin: vendimi që duhej të merrej në emër të njerëzimit kundër shkaktarëve të katastrofës botërore; rregullimi i padrejtësive që kishin kryer agresorët fashistë në hartën politike të Evropës; përgjegjësia që u takonte agresorëve për të përballuar dëmet e shkaktuara prej tyre dhe mbi të gjitha ndërtimi i Europës së çliruar nga zgjedha fashiste mbi themelet e shëndosha të lirisë e të demokracisë, të mirëqenies e të përparimit.

Pikërisht këto detyra të përgjithshme mori përsipër të zgjidhte Konferenca e Paqes. Ajo do t’i zhvillonte punimet e saj në tri instanca: në Konferencën e Potsdamit, në Berlin, korrik-gusht 1945, e cila do të merrej me Gjermaninë naziste, përgjegjësja kryesore e luftës agresive botërore; në Konferencën e Paqes në Paris, në verën e vitit 1946, e cila do të merrej me satelitët e Gjermanisë hitleriane (Italinë, Hungarinë, Rumaninë, Bullgarinë, Finlandën); dhe në Konferencën e tretë, e cila nuk u mbajt, ku do të trajtoheshin problemet e lidhura me Japoninë. Në Konferencën e Potsdamit u trajtuan problemet me Gjermaninë naziste si shkaktare e Luftës së Dytë Botërore.

Konferenca u kryesua nga krerët e tri Fuqive të Mëdha  të koalicionit antifashist – nga F.D. Ruzvelt (Roosvelt) dhe pasi ai ndërkohë vdiq nga pasardhësi i tij H. Trumani, si president i ri i zgjedhur i Sh.B.A-së; nga W. Churchill-i dhe nga pasardhësi i tij C. Attlee, i cili ndërkohë në sajë të zgjedhjeve parlamentare u ngarkua si kryeministër i ri i Britanisë së Madhe; dhe nga J. Stalini, kryeministër i Bashkimit Sovjetik. Ata u ngarkuan të zgjidhnin katër problema në ngarkim të Gjermanisë hitleriane - çarmatimin, çmilitarizimin, decentralizimin, demokratizimin.

Në Konferencën e Paqes në Paris, e cila u zhvillua në nivelin e ministrave të Punëve të Jashtme (MPJ) të kampit antifashist, u trajtuan problemet e shumta që dolën nga lufta, përfshirë dhe paqen me satelitët e përmendur të Gjermanisë hitleriane.

 Konferenca që do të trajtonte problemet që lindën në Azi nga agresioni militarist japonez, siç u tha, nuk u realizua për shkak të fillimit ndërkohë të Luftës së Ftohtë.
 
 
Shqipëria e vetmi shtet antifashist që nuk u thirr në Paris 
 
Në lidhje me trajtimin e problemeve të Europës nga Konferenca e Paqes në Paris u rreshtuan përballë njëra-tjetrës shtetet e të dy kampeve të luftës – fitimtarët dhe të mundurit. Në krye të palës së fitimtarëve qëndronin pesë aleatët e mëdhenj të koalicionit – Britania e Madhe, Bashkimi Sovjetik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Franca dhe Kina, shoqëruar nga pjesëtarët e tjerë të koalicionit që kishin marrë pjesë në luftë, të cilat u konsideruan fuqi “shoqe” – Polonia, Çekosllovakia, Norvegjia, Holanda, Belgjika, Jugosllavia, Greqia, Kanadaja, Australia, Zelanda e Re, Afrika e Jugut, Brazili, Etiopia, Ukraina, Bjellorusia, India.

Në radhët e shteteve të mundura në Konferencë u ftuan si fajtorë për të dhënë llogari aleatët e Gjermanisë hitleriane – Italia, Hungaria, Rumania, Bullgaria, Finlanda.

Shteti i vetëm europian që mori pjesë në Luftën Antifashiste, por që nuk u ftua në Konferencën e Paqes në Paris ishte Shqipëria. Ajo nuk u ftua as si pjesëtare e koalicionit të madh antifashist, as si pjesëtare e bllokut agresiv fashist. Mosthirrja e Shqipërisë në Konferencë në rradhët e fitimtarëve ishte një anomali, për të mos thënë një përbuzje ndaj të drejtës së saj si anëtare e njohur deri atëherë e koalicionit të madh antifashist. Para së gjithash, Shqipëria ishte një nga vendet e para që pësoi në kurrizin e saj më 7 prill 1939 agresionin fashist italian para se të fillonte Lufta e Dytë Botërore.

Madje, Shqipëria ishte vendi i dytë në Europë pas Çekosllovakisë, e cila u ushtua nga fuqitë agresore para fillimit të Luftës së Dytë Botërore. Nga ana tjetër, ajo ishte vendi i parë në Evropë që e priti agresionin fashist me rezistencë të armatosur, e cila sado e vogël, përsëri qe një rezistencë.

Veç kësaj, Shqipëria edhe pse me një popullsi të pakët, me rreth një milion banorë, zhvilloi pa ndërprerje gjatë tërë periudhës së okupacionit fashist italian dhe nazist gjerman, rezistencë patriotike e cila u pasua nga një luftë të armatosur çlirimtare me anën e brigadave dhe divizioneve partizane që organizoi me forcat e veta njerëzore, krahas koalicionit të madh antifashist anglo-sovjeto-amerikan.

Në luftën kundër dy fuqive kryesore të bllokut fashist Shqipëria bëri sakrifica shumë më të mëdha në përpjestim me fuqitë e saj. Me mijëra patriotë ranë në fushën e betejës duke luftuar kundër agresorëve fashistë. Krahina të tëra u dogjën dhe u shkrumbëzuan nga ushtritë e bllokut fashist, me dhjetëra mijë vetë u burgosën dhe u internuan nga okupatorët nazi-fashistë, përveç grabitjeve të pasurisë të kryera prej ushtrive të tyre.

 Duhet shtuar me këtë rast se kontributi që dhanë shqiptarët në luftën e madhe antifashiste u vlerësua që në ditët e luftës nga tri fuqitë kryesore të koalicionit të madh antifashist. Sikurse do të shihet, më 10 dhjetor 1942 Sekretari i Shtetit të Sh.B.A-së Cordel Hull, një javë më vonë më 17 dhjetor 1942 ministri i Jashtëm britanik Antony Eden dhe një ditë më vonë, më 18 dhjetor 1942 ministri i Jashtëm i Bashkimit Sovjetik Vjaçesllav Molotov e përshëndetën dhe e njohën kontributin që po jepte Shqipëria e robëruar në luftën kundër agresorëve fashistë.

Nga vlerësimet e tyre nuk është vështirë të kuptohet se ata e trajtuan Shqipërinë që ne fund të vitit 1942 si pjesëtare të koalicionit të madh antifashist. Në fillim Britania e Madhe, pastaj Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe më pas Bashkimi Sovjetik dërguan misione ushtarake pranë forcave të armatosura partizane të Shqipërisë, gjë që tregonte se ata i konsideronin këto forca partizane aleate të tyre. Megjithatë, pasi Lufta e Dytë Botërore mori fund tre aleatët e mëdhenj anglo-sovjeto-amerikanë nuk e ftuan Shqipërinë të merrte pjesë si fuqi shoqe në Konferencën e Paqes në Paris.

Anomalia e qëndrimit të tre aleatëve të mëdhenj të bie në sy me faktin se Shqipëria nuk u ftua as si shtet armik. Pra, Shqipëria dukej sikur gjatë Luftës së Dytë Botërore flinte gjumë të thellë, as pro, as kundër luftës së madhe antifashiste.
         

Britania e madhe shpiku gjoja divergjencat me Enver Hoxhën

Arsyet e këtij trajtimi të Shqipërisë nga Konferenca e Paqes, ndonëse kanë kaluar rreth 70 vjet, deri sot nuk janë sqaruar në mënyrë bindëse nga Treshja e Koalicionit Antifashist. Që në atë kohë shtrohej pyetja: përse Shqipëria, e cila, para Konferencës së Paqes në Paris (1946), trajtohej si një anëtare e koalicionit të madh antifashist - kur filluan punimet në Pallatin e Luksemburgut nuk u lejua të merrte pjesë në punimet e saj.

          Si argument për të justifikuar mospranimin e Shqipërisë në Konferencën e Paqes, Britania e Madhe përdori faktin se Shqipëria nuk ishte anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB). Dihet se pranimin e Shqipërisë në OKB e kundërshtoi Britania e Madhe me të drejtën e vetos që i jepte asaj statuti i OKB-së, për divergjencat që ajo pati me qeverinë e Tiranës të kryesuar nga Enver Hoxha, të cilat do të trajtohen në vendin e duhur.

Për historianin objektiv, antagonizmat që mund të ekzistonin midis qeverive të dy vendeve nuk përbënin argument për t’ia mohuar një populli të drejtën politike që ai kishte fituar me gjakun e mijëra dëshmorëve në luftën patriotike. Nuk është vështirë të kuptohet se në këtë mes Britania bënte lojën e qerthullit vicioz: pasi kundërshtoi hyrjen e Shqipërisë në OKB, kundërshtimin e saj e përdorte si argument se ishte OKB-ja që kundërshtonte parimin e Shqipërisë në Konferencën e Paqes.

Për Tiranën zyrtare, motivi i vërtetë i qëndrimit britanik ishte premtimi që Londra i kishte dhënë Athinës së do ta ndihmonte të realizonte aneksimin e pjesës jugore të Shqipërisë. Sikurse do të shihet gjatë trajtesës, Athina kërkonte me çdo kusht që Shqipëria të cilësohej agresore ndaj Greqisë për luftën që Italia i kishte shpallur më 1940 shtetit helen. Përndryshe, në rast se Shqipëria cilësohej aleate, Athina nuk kishte asnjë shans të realizonte lakmitë e saj ndaj të ashtuquajturit “Vorio-Epir”, pasi dihet fare mirë se fitimtarët nuk mund të dënohen, por vetëm të shpërblehen.

Pikërisht, kjo ishte ndihma që Britania e Madhe i jepte qeverisë greke duke kundërshtuar pranimin e Shqipërisë në Konferencën e Paqes. Sikurse do të shihet, për shkak të qëndrimit negativ që mbajti Britania e Madhe duke mos e pranuar shtetin shqiptar si anëtar të OKB-së, Konferenca e Paqes pati për disa javë me radhë në qendër të debatit çështjen nëse lufta nacionalçlirimtare i jepte të drejtë Shqipërisë të cilësohej ose jo si fuqi shoqe e kampit të madh antifashist.

Është me interes të thuhet se asnjë nga pjesëmarrësit e Konferencës, me përjashtim të Greqisë, nuk e mohoi kontributin e partizanëve shqiptarë në fitoren e kampit të madh antifashist. Megjithatë, kontributi që dha Shqipëria për triumfin mbi agresorët fashistë, ishte një kontribut, sado i vogël,por jo pa rëndësi në krahasim me rezistencën e disa anëtarëve që u ftuan në Konferencë si fuqi shoqe.

Sidoqoftë, deri sot nuk është vënë në dukje se kush e pati përgjegjësinë që ajo u la jashtë Konferencës: Shqipëria e sapodalë nga lufta, e cila u akuzua padrejtësisht nga Greqia si fuqi agresore apo fuqitë që organizuan Konferencën e Paqes? Më në fund, si ndodhi që në mbyllje të Konferencës së Paqes Shqipëria e papërfillur u pranua, ndonëse me vonesë, si fuqi “shoqe” e koalicionit të madh antifashist anglo-sovjeto-amerikan? Çështja është komplekse dhe përgjigja ende mund të diskutohet.
 

Arkivat që ndriçojnë çështjen shqiptare në Konferencën e Parisit
 
Përpara se të vijmë te trajtimi i çështjes shqiptare në Konfrencën e Paqes, në këtë punim jemi përpjekur të sqarojmë fillimisht rrënjët historike të vetë problemit. Të dhënat burimore për historinë e këtij problemi janë pak a shumë të njohura. Ndryshon vetëm trajtimi metodologjik i tyre. Në këtë pikë jemi përpjekur të ndriçojmë qëndrimin e padrejtë që mbajtën në fillim ndaj çështjes kombëtare shqiptare fuqitë e mëdha antifashiste kur ato ia mohuan Shqipërisë të drejtën që ajo kishte fituar në luftën kundër okupatorëve fashistë për t’u rreshtuar si fuqi shoqe në Konferencën e Paqes.

Përkundrazi, kapitujt që merren me trajtimin e çështjes shqiptare në Konferencën e Parisit mund të thuhet se përmbajnë të dhëna që janë të pashfrytëzuara nga historiografia shqiptare.
Bazën kryesore dokumentare të këtyre kapitujve e përbëjnë procesverbalet e seancave plenare të Konferencës së Paqes dhe të komisioneve të veçanta të saj. Në lidhje me to kemi shfrytëzuar tri fonde diplomatike të nxjerra nga arkivat frënge, amerikane dhe shqiptare.

1. Materialet diplomatike që i kemi kaluar nëpër duar janë përfshirë në serinë katërvëllimëshe me titull “Recueil des Documents de la Conférence de Paris, Palais du Luxembourg, 29 Julliet-15 Octobre 1946” (Përmbledhje dokumentesh të Konferencës së Parisit, Pallati i Luksemburgut 29 korrik-15 tetor 1946), botuar pa vend dhe pa datë me shënimin tipografik Imprimerie Nationale – J. A. 707074, 707075, 707076, 707077.

2. Materialet diplomatike amerikane, të cilat i përkasin Konferencës së Paqes së Parisit janë përfshirë në serinë njëmbëdhjetë vëllimëshe botuar nga Departamenti i Shtetit të Sh.B.A-së (United States Government Printing Office Ëashington), në vitet 1969-1972,  me titullin e përbashkët: “Foreign Relations of the United States 1946 Volume I-XI” (Marrëdhëniet e Jashtme të Shteteve të Bashkuara më 1946, vëllimi I-XI).

3. Burimi i tretë dokumentar tepër i domosdoshëm janë materialet diplomatike shqiptare, të cilat ndodhen në Arkivin e Ministrisë së Punëve të Jashtme, Tiranë. Ato janë të pabotuara. Në arkivin e Ministrisë së Jashtme të Tiranës ndodhen edhe materiale të përdorura nga delegacioni qeveritar shqiptar dhe nga Ministria e Jashtme e Shqipërisë jashtë seancave zyrtare. Janë materiale të cilat nuk ndeshen në asnjë nga arkivat e huaja. Nënkuptohet se janë shfrytëzuar edhe burime të tjera, të cilat trajtojnë aspekte dhe fragmente të veçanta të Konferencës së Paqes në Paris dhe të historisë së Shqipërisë të viteve të Luftës dhe të viteve të para të Pasluftës së Dytë Botërore.
 
 (Shënim: Titujt dhe mestitujt janë nxjerrë sipas referencave të tekstit nga redaksia.)


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 3 Dhjetor 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)  

 

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Zjarri në magazinën në Kurbin, rrezikohen banesa! Policia bllokon qarkullimin në aksin Milot-Laç

Zjarri në magazinën në Kurbin, rrezikohen banesa! Policia bllokon qarkullimin në aksin Milot-Laç