TIRANE -  vijon nga dje...

Në lidhje me pikën e dytë, në mesazhin drejtuar Harrimanit, Sektretari i Shtetit nënvizonte se ajo ishte formuluar për të mbrojtur të drejtën e popullit shqiptar që të zgjedhë formën e qeverisjes nën të cilën ai dëshiron të jetojë, një e drejtë e cila është përsëritur nga aleatët vazhdimisht dhe pohuar në dokumentet publike të tilla si Karta e Atlantikut, Deklarata e Krimesë mbi Europën e çliruar dhe në veçanti deklaratat e Ministrave të Jashtëm sovjetik, britanik dhe amerikan në dhjetor 1942.

Nga ana tjetër, Sekretari Amerikan i Shtetit Byrnes, i kujtonte ambasadorit Harriman që të njoftonte Ministrinë e Jashtme sovjetike për detyrimin që kishte marrë përsipër regjimi shqiptar për të mbajtur zgjedhje të lira; pa asnjë formë kërcënimi ose frikësimi; të gjithë individidët dhe grupet jo fashiste në Shqipëri të gëzonin lirinë e fjalës dhe lirinë për të paraqitur kandidatët e tyre; zgjedhjet të zhvilloheshin me votim të fshehtë; korrespondentët e gazetave të huaja të lejoheshin të hynin në Shqipëri për të vëzhguar dhe raportuar lirisht për zhvillimin e zgjedhjeve për Asamblenë Kushtetuese dhe se qeveria e Tiranës i kishte marrë parasysh shumicën e këtyre kushteve.