Frashëri: Veliera po e lë Durrësin
antik pa portën e fortifikimit

Frashëri: Veliera po e lë Durrësin<br />antik pa portën e fortifikimit
Një velë prej betoni ka nisur të ndërtohet pranë hyrjes se lashtë të Dyrrahut nga Bashkia e Durrësit. Për ndërtimin e Velierës prej betoni kanë nisur dy javë më parë gërmime intensive me mjete të rënda, ekskavatorë, kazma e lopata. Nisja e gërmimeve është pritur me protesta nga qytetarët e Durrësit. Reagime kundër ndërtimit të objektit kanë nisur të bëjnë edhe disa specialistë të arkeologjisë. Gjergj Frashëri specialist i arkeologjisë shprehet se ndërtimi prej betoni po dëmton hyrjen kryesore të fortifikimit të Durrësit, që daton nga fillim i shek. 4. Më tej Frashëri flet edhe për shkeljet flagrante të ligjeve për arkeologjinë.

Pranë Torres Veneciane në Durrës po ndërtohet një objekt i ri i quajtur Velierë. Ditët e fundit ka pasur një protestë nga qytetarët e Durrësit kundër ndërtimit të këtij objekti, sepse ata mendojnë se po shkatërrohen vlerat historike të qytetit në këtë zonë. Çfarë është kjo Veliera apo Vela prej betoni?

Projekti i quajtur italisht Veliera është paraqitur nga Bashkia e qytetit të Durrësit dhe ka si autorë arkitektë italianë. Ky projekt në shqip me emërtimin “Vela” parashikon ndërtimin e një strukture në formë vele me sipërfaqe 2 mijë metra katrorë që mbahet në ajër me katër këmbë konstruktive. Ajo nuk ka ndonjë funksion të posaçëm utilitar social apo ekonomik. Është një strukturë betoni me karakter thjeshtë dekorativ - një skulpturë masive e stilizuar gjeometrike në formën e një vele anijeje. Si vepër arti ajo ka legjimitetin e vet të ngrihet brenda hapësirës së një qyteti. Por ka një shqetësim, sepse dy këmbët e saj veriore bien mbi Zonën Arkeologjike A të Durrësit, ku për hir të ruajtjes së monumenteve të kulturës dhe të pasurisë arkeologjike të nëntokës, ligji ndalon kategorikisht çdo lloj ndërtimi të ri.
 
Bashkia e Durrësit bashkë me arkitektët kërkojnë ndërtimin e Velës si një përmirësim të imazhit arkitektonik dhe artistik të qytetit, ndërsa mbrojtësit e trashëgimisë janë kundër?
Arkitektët italianë e kanë pohuar vetë se e kanë bindur Kryetarin e Bashkisë së Durrësit, se Vela e tyre prej Betoni do të sjellë më shumë turistë në Durrës, se sa zbulimi dhe restaurimi i Mjedisit të Hyrjes së Lashtë të Dyrrah-ut. Kjo nuk është e nevojshme të diskutohet tani, sepse kur flasim për një ndërtim të ri mbi hapësirën e monumenteve të kulturës dhe ngulje themelesh në një nëntokë me pasuri arkeologjike, pushteti, shteti, qeveria, arkitektët, artistët, etj. domethënë të gjithë né kemi punë me ligjin. Ligji shqiptar (edhe ai evropian) lejon ndërtime të reja në Durrës në Zonën Arkeologjike B dhe C, me kusht që ndërtuesi të shlyejë detyrimin e zbulimit dhe dokumentacionit (vlerësimit) të substancës arkeologjike që ndodhet në sheshin e ndërtimit të tij. Ndërsa në Zonën A ndalohet plotësisht ndërtimi i ri. Kjo mund të ndodhë vetëm me vendime të posaçme të institucioneve madhore të shtetit, kur ndërtimi i ri gjykohet i domosdoshëm të ndërtohet për interesa të përmasave kombëtare apo ndërkombëtare dhe nuk funksionon në një vend tjetër. Në rastin konkret, ndërtimi i një skulpture moderne për qëllime estetike apo turistike lokale si kjo Vela nuk e shoh si një rast të posaçëm për përjashtime. E them këtë si njohës i historisë, të monumenteve dhe të pasurisë arkeologjike të Durrësit.
 
Kaq e vështirë ishte që të gjendej një vend tjetër për Velën gjatë bregut të qytetit?
Çdo skulpturë apo strukturë dekorative urbane mund të ndërtohet kudo në Durrës ku nuk preket nëntoka arkeologjike dhe nuk shkelet hapësira e monumentit të kulturës. Një skulpture prej betoni nuk e justifikon ligji të ngrihet duke dhunuar dokumente historike në qytet. Në ditët e sotme ky veprim cilësohet një akt antikulturor dhe antiqytetar, një lloj karshillëku apo vagabondim ndaj ligjit, por edhe mungesë respekti e udhëheqjes së pushtetit lokal ndaj historisë së trashëgimisë së qytetit të vet.
 
Pse po ndërtohet me insistim pikërisht në këtë vend kjo e ashtuquajtura “Vela”?

Personalisht jam i bindur se qytetarët historikë të qytetit të Durrësit të rrudhur tashmë prej dy dekadash në minorancë, nuk janë dakord që kjo Vela të ndërtohet aty ku ka filluar. Më falni, por jam në dyshim edhe për kulturën profesionale të arkitektëve autorë italianë, që insistojnë për këtë. Për mua skulptura futuriste Vela nuk përfaqëson asnjë identitet të posaçëm historik për qytetin (siç do ishte për shembull Statuja e Afërditës). Megjithatë edhe për skulpturat e reja (ashtu si për një ndërtim të ri) nuk mund t’u bëhet vend duke dhunuar monumentet në hapësirën e Hyrjes së Lashtë dhe Mesjetare të qytetit. E kam fjalën gjithnjë për pjesën qe Vela zë në zonën A. Dikush mund të mendojë se kam ndonjë tendencë politike që e shpreh këtë. I them atij, se qyteti i lashtë i Durrësit që quhej Dyrrah, e ka pasur hyrjen kryesore të fortifikimit të tij qysh në fillim të shek. 4, pikërisht në hapësirën ku po ndërtohet kjo skulpturë dekorative prej betoni. Kompleksi i kësaj hyrjeje ka qenë pajisur me mure dhe kulla të paktën qysh në kohën e mbretërive ilire në fillim të shek. 4 para Kr. Ato u plotësuan dhe u përforcuan në kohën e administratës romake, madje edhe një herë në shekujt e hershëm të administratës bizantine. Rindërtime dhe ndërtime fortifikimi janë kryer në këtë hapësirë edhe në kohën e Karl Topisë në shek. 14, si edhe nga venecianët në prag të kërcënimit osman. Të tjera ndërtime me përmbajtje historike janë ndërtuar në këtë mjedis edhe në pesë shekujt e fundit. Mbetjet e këtyre strukturave gjenden njëra mbi tjetrën deri në 5,o m thellësi prej tabanit të asfaltit të sotëm. Përpara këtij ansambli muresh dhe kullash pritet të zbulohen një ditë edhe mbetje të “autostradës” së famshme antike të Rrugës Egnatia përpara Hyrjes së qytetit. Nuk ka dyshim se ndërtimi i kësaj Vele në këtë hapësirë është përveçse i palejuar ligjërisht, është i pajustifikuar nga çdo pikëpamje të kulturës qytetare bashkëkohore.
 
I rikthehem edhe një herë pyetjes, jeni në dijeni se kush e solli idenë e Velës prej Betoni dhe pse u caktua pikërisht vendi i ndërtimit të saj pranë Torres Veneciane, që është monument kulture?
Mendoj se rol kanë pasur si zakonisht autorët e projektit. Si arkeolog dhe restaurator aktiv brenda dhe më shumë jashtë vendit kam pasur shumë “ndeshje” me arkitektët, sepse shpesh na “duhet të gatuajmë në të njëjtën tenxhere”. Detyra ime profesionale është të zbuloj dokument historik mbi tokë dhe nëntokë dhe më pas ta mbroj atë, që ai të jetojë sa më gjatë midis njerëzve, që ata të mësojnë histori prej tij. Një arkitekt dëshiron të ndërtojë një gjë të re, që nuk ka ekzistuar kurrë më parë, një krijesë të tij duke shpresuar se ajo do të zërë vend në jetën e njerëzve. Ka pasur raste, që arkitekti ka tentuar të mbulojë dokumentin historik me një kapele shumë të bukur, tërheqëse, me shpresë se njerëzit kënaqen më shumë ta shohin atë, se sa për shembull mozaikun e vjetër, të cilën e ka mbuluar kapela e bukur. Kjo është një betejë që nuk ka filluar sot dhe nuk mbaron sot. Në një vend fiton prioritet trashëgimia, në një tjetër e zhdukin trashëgiminë dhe duan një ndërtesë të re. Ne shqiptarët jemi shumë të lidhur me historinë tonë, me natyrën dhe e duam trashëgiminë tonë, por kemi humbur shumë nga orientimi qytetar, solidariteti dhe besimi kolektiv, madje edhe sigurinë për hapat që duhet të hedhim për të ardhmen. Nga kjo anarki edhe Durrësi prej vitit 2000 ka humbur shumë-shumë pasuri arkeologjike dhe monumente kulture. Numërohen gati 150 ndërtime të reja që me sheshet e tyre të ndërtimit kanë zhdukur pa lënë gjurmë substancën arkeologjike me vlerë kombëtare, për të cilën nuk është mbajtur kurrfarë dokumentacioni nga institucionet përgjegjëse. Në këtë klimë vitet e fundit edhe në Durrës kanë fituar projekte futuriste të arkitektëve të huaj, në vend që të hapnim dritare e parcela në tokë për të ekspozuar pjesë urbane historike, ku të shiheshin se si kanë jetuar të parët tanë në lashtësi, antikitet, mesjetë dhe deri sot. Fitorja e projektit të Velës mbi historinë e Hyrjes së Lashtë të Dyrrah-ut është vetëm një shembull.

Ja edhe një tjetër: para gati tre vjetësh, po arkitektë italianë treguan projektin e tyre për shfrytëzimin e Amfiteatrit të Durrësit në ditët e sotme. Në vend që të aplikonin për këtë metodën e restaurimit, projektuan ndërtimin të tij mbi kurrizin e niveluar të Arenës të një teatri butaforik, me skenë dhe karrige plastike, për shfaqje të ditëve të sotme. Unë nuk mund ta pranoj kurrë një zgjidhje të tillë, e cila është mohim i vlerave të pazëvendësueshme të Amfiteatrit tonë në botën antike, të cilat presin të zbulohen dhe të restaurohen. Por ka mundësi që shumica e qeveritarëve, parlamentarëve, vendorëve, etj. iu pëlqen më shumë një teatër kauçuku se sa të mësojnë nga një dokument, se si 2000 vjet më parë kanë përjetuar të parët tanë ndeshjet dhe vendimet e arenës. Teatri prej kauçuku mbi Amfiteatër mund të jetë kapelja e bukur që pëlqehet më shumë se sa historia.

Ja edhe një shembull tjetër: Jo më shumë se dy vjet më parë Ministria e Kulturës i dha leje Bashkisë së Durrësit të betononte Sheshin Iliria, ku u varros pa dokumentacion qendra e Dyrrah-ut, me vlera nga më të mëdhatë dhe më origjinalet e historisë botërore. Shumica që kanë vulën dhe firmën në Shqipëri donin një kapele, në vend të një dritareje për të parë qendrën e ilirëve të Dyrrahut. Sot Sheshi Iliria është një sipërfaqe e bardhë, si oborri i Xhamisë së Madhe të qytetit, me palma mes çarçafit të bardhë, që mua më kujton sheshet e faljeve të faltoreve të Kuvajtit. Por kështu donte pushteti dhe të tjerë mbi atë, kjo është shija, ky është interesi, ky është niveli kulturor i udhëheqjes, kështu është edhe vendimi...
 
Po cilët kush janë përgjegjësit e dëmeve që shkakton ky projekt në trashëgiminë historike?

-Frymëzuesi dhe financuesi i këtij projekti duket se është Bashkia e Durrësit. Autorë të projektit janë arkitektë italianë dhe ndonjë shqiptar. Fjala është se përgjegjësi dhe vendimmarrësi që ky projekt të zbatohet mbi një mjedis monument kulture është Ministria e Kulturës. Ky institucion qeveritar merr vendime nëpërmjet dy Këshillave të saj – Këshillit Kombëtar të Restaurimeve (KKR) për mbrojtjen ligjore të monumenteve të kulturës dhe Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë (KKA) për mbrojtjen e pasurisë së nëntokës arkeologjike. Këto dy këshilla nuk duhet të lejonin apriori të ngrihej një ndërtim i ri në këtë hapësirë të Zonës Arkeologjike A, direkt pranë Torres Veneciane dhe Murit të qytetit. Këto dy këshilla të pajisura me juristë të specializuar për mbrojtjen e trashëgimisë kanë në përbërjen e tyre titullarë dhe specialistë të ashtuquajtur elitarë të institucione të specializuara nga Instituti i Arkeologjisë (QSA), Instituti Monumenteve të Kulturës (MK) dhe Departamenti i Arkeologjisë pranë Universitetit të Tiranës. Gjykoj se vendimet dhe kontrollet e këtyre strukturave janë të plotfuqishme dhe të mjaftueshme për rregullimin e veprimtarisë restauruese dhe arkeologjike në vend. Dëgjova nga mediet (Bashkia e Durrësit lidhi kontratë me shërbimin arkeologjik dy muaj pasi ka nisur punimet, Birn, Durrës 3 Shkurt 2017) se qytetarët e protestës kanë paraqitur dy padi penale dhe civile për kryebashkiakun Vangjush Dako, që sipas tyre është fajtor për shkatërrimin e vlerave arkeologjike në hapësirën Vela. Ky është për mua një vlerësim i gabuar. Përgjegjësinë dhe kompetencën e kontrollit të punës me monumentet dhe arkeologjinë e ka Ministria e Kulturës. Duhet denoncuar pikërisht MK dhe jo Bashkitë. Kështu humbasim fillin. Lejen në tokën arkeologjike e jep Ministria, jo Bashkia.
 
Në intervistat e mëparshme, jo vetem ju, por edhe specialistë të tjerë kanë theksuar se “Ligji e ndalon një ndërtim të ri në Zonën Arkeologjike A, ose mbi, ose pranë monumenteve të kulturës të klasit parë”. Kush e mban përgjegjësinë kryesore për rastin konkret, ose më mirë nga fillon përgjegjësia ligjore?
Përgjegjësinë ligjore dhe penale e mban ai që shkel ligjin. Shkelësi i ligjit në rastin konkret është sipas meje vendimmarrësi -Ministria e Kulturës, me KKA dhe KKR. Sepse Veliera nuk është objekt i rëndësisë nacionale që të sakrifikohet pasuria me vlerë historike, për t’i bërë vend ndërtimit të saj. E dyta, Velierën e Durrësit nuk e kërkon populli i qytetit, por kupola udhëheqëse politike. Në se kjo udhëheqje mendon të bëjë një ndërtim të ri për qëllimet e veta politike duhet të zgjedhë një vend të përshtatshëm dhe jo mbi një mjedis ku e ndalon ligji i ruajtjes së trashëgimisë.
Konkretisht janë bërë dy shkelje, dy vendime të gabuara nga Ministria e Kulturës:
E para, Këshilli Kombëtar i Restaurimit (KKR) dhe Instituti i Monumenteve të Kulturës (IMK) kanë dhënë lejë për ndërtim të ri brenda vijës kufitare prej 50 m të monumentit Torra e Qytetit të shek. 15, të Murit Rrethues të Mbivënë të Qytetit prej kohës ilire e në vijim deri në atë mesjetare (periudhës së Karl Topisë), gjithashtu mbi mbetjet e disa ndërtesave publike të qytetit që vijnë nga periudha klasike osmane dhe e kohës së pavarësisë. E dyta, Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë (KKA) dhe Agjencia e Shërbimit Arkeologjik (ASHA) kanë dhënë leje për ndërtim të ri brenda Zonës Arkeologjike A të Durrësit dhe konkretisht në hapësirën direkt pranë Murit Rrethues antik të Qytetit, nëntoka e së cilës përmban mbetje të segmentit të rrugës Egnatia, varre të periudhës së vonë romake dhe të mesjetës së hershme, mbushje stratigrafike deri në 5,o m thellësi nga sipërfaqja e asfaltit të sotëm, vlera këto që e kalojnë interesin lokal, madje edhe atë shkencor kombëtar duke hyrë në rëndësinë e kulturës ndërkombëtare historike. Gabime më groteske kundra ligjit një ministri nuk mund të bëjë.
 
Ka vendime të rregullta ministrore për sa thatë më sipër?

Janë pikërisht dy vendime të KKA-së. Në të parin me Nr. 106 datë 14.09.2016 KKAja pasi ka dëgjuar Relacionin përshkrues të projektit “Zbatimi i sheshit publik para hyrjes së portit Durrës” paraqitur nga Bashkia Durrës, i ka kërkuar kësaj të fundit të hartojë me një subjekt të specializuar “Konceptin e Plotë të Vlerësimit Arkeologjik të zonës”. Ndërkohë Bashkia Durrës ka zgjedhur si “subjekt të specializuar” Institutin Arkeologjik Tiranë (IA), i cili është një institucion shtetëror kërkimor shkencor brenda Qendrës së Studimeve Arkeologjike (QSA). Përzgjedhja nga Bashkia e Qytetit të IAsë është veçanërisht interesante, sepse ajo e fundit merret me gërmime kërkimore shkencore dhe jo me gërmime shpëtimi që merren firmat e licencuara arkeologjike.
Shkojmë më tutje. Në vendimin e dytë me Nr. 128 datë 22.11.2016, KKA-ja pasi ka shqyrtuar Konceptin e ndërhyrjes arkeologjike në kuadër të projektit “Zbatimi i sheshit publik para hyrjes së Portit në Durrës” paraqitur nga Instituti i Arkeologjisë (QSA), ka vendosur miratimin e këtij koncepti. Akoma më interesant janë detyrat që KKA-ja i ka caktuar IA-së të kryejë në zonën arkeologjike A ku po ndërtohet Vela fluturuese. Ato janë detyra me karakter të rëndomtë për një shoqëri të licencuar në arkeologji dhe jo më për një institut shkencor akademik.
Aktualisht është për tu sqaruar pyetja - Pse Instituti Arkeologjik e ka marrë përsipër të kryejë një gërmim shpëtimi, duke mos pasur licencë për këtë lloj pune dhe as të drejtë për të kryer veprimtari private institucionale? Kjo është tashmë një nga çështjet që duhet ta zgjidhë prokuroria dhe më pas gjykata.
 
Jemi informuar nga mediat se punimet e ndërtimit dhe gërmimet në sheshin e ndërtimit “Vela” kanë filluar më se dy muaj më parë, ndërsa arkeologët nuk ndodheshin prezent?
Unë e shoh të keqen në radhë të parë te Ministria e Kulturës dhe dy Këshillat Kombëtare të saj. Mjerisht ka ardhur koha, që Ministria e Kulturës më shëmbëllen me një makinë të prishur për nga teknika dhe disiplina ligjore, e cila shumicën e karburantit që posedon e harxhon jo për punë, por për të “qepur letra”, për fjalime propagande që po mbulojnë dëme kolosale në trashëgiminë kulturore që po ndodhin nga institucionet shtetërore anembanë vendit. Interesohem në veçanti për arkeologjinë dhe monumentet në Durrës. Si studiues arkeolog dhe restaurator kam sjellë rezultate për historinë iliro-shqiptare të Durrësit që mendoj se do të mbeten. Kam punë të tjera nëpër duar edhe për Epidam-in prehistorik, Dyrrah-un antik dhe Durrësin mesjetar dhe të Kohës së Ré, që do të dalin në dritë. Doja të thoja, se gjatë këtyre dy muajve kam vajtur herë pas here në hapësirën e “Velës” dhe kam parë batërdinë e shpimeve dhe hapjen e mbylljen e kanaleve për qëllime nga më të ndryshmet deri në 3,5 m thellësi. Nuk m’ë ka zënë syri ndonjë arkeolog. Po kush është arkeologu që duhej të udhëhiqte gërmimet qysh dy muaj më parë? Koncepti i miratuar nga KKAja nuk deklaron asnjë arkeolog drejtues. Kush e drejton sot gërmimin dhe mban përgjegjësi për kryerjen e dokumentacionit të gërmimit? Askush? Ja një përgjigje nga “kryearkeologu” i Durrësit, njëkohësisht punonjës shkencor në Institutit Arkeologjik, gjithashtu anëtar i Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë pranë Ministrisë së Kulturës, etj., i cili deklaron se “sheshi i gërmimit është vëzhguar deri tani nga specialistët durrsakë të kësaj fushe nisur nga meraku i profesionit“. Më falni, por vendimi i Ministrisë ia ka ngarkuar gërmimin dhe monitorimin arkeologjik Institutit të Arkeologjisë, me çfarë të drejte i drejtojnë gërmimet specialistë durrsakë (pa emra) nga „meraku i profesionit“?! Për mua kjo do të thotë, se tani e ka radhën të shkatërrohet Hyrja e Lashtë e Dyrrah-ut për t’i lënë vendin Velës prej Betoni të Kryetarit. Si gjithnjë pa u lagur të gjithë aktorët, edhe Ministria e Kulturës, edhe Instituti Arkeologjik, edhe Bashkia e Durrësit. Me siguri faji i këtij shkatërrimi historik do t’i mbetet ndonjë “specialisti durrsak pa emër që e ha meraku i profesionit”.

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë