TIRANE - Fryma e Re Demokratike ka përmbyllur fushatën e saj për këto zgjedhje lokale si pjesë e Aleancës për Shqipërinë Evropiane. Në një aktivitet te mbajtur në Pallatin e Kongreseve, kreu i FRD-së Bamir Topi theksoi se është shumë e rëndësishme t’i tregohet Evropës se ky koalicion është i aftë të bëjë jo vetëm ligje por edhe qytete. Ndërkaq Topi vlerësoi figurën e Erion Veliajt si kandidatin e duhur për kryebashkiak të Tiranës. 

“Unë besoj që një politikë e re, një politikë e moderuar, një politikë që t’i thotë Evropës që ne vërtetë dimë të bëjmë ligje dhe administratë të standardeve evropiane, por ne dimë dhe të bëjmë qytete dhe kjo është arsyeja që ne jemi këtu së bashku sot. Por dua të vlerësoj edhe sikur këtë vlerësim ta bëj jashtë kësaj tribune një lider të ri politik, një njeri të artikuluar shumë mirë, një njeri të pjekur qysh në rini, një njeri me eksperiencë politike por dhe administrative i cili patjetër jepi shume garanci në këtë lloj bashkëpunimi, e kam fjalën për zotin Veliaj”, u shpreh kreu i FRD-së.

Topi i kërkoi Veliajt që në bashkëpunim me përfaqësuesit e FRD-së në këshillin bashkiak të punojnë për ta kthyer Tiranën në një kryeqytet të denjë për shqiptarët në mënyrë që qytetarët të kenë mundësi të jetojnë. 

“Do të dëshiroja t’ju thoja, t’ju bëja një apel do të keni një sfidë shumë të vështirë por totalisht të mundshme për ta realizuar për ta transformuar këtë kryeqytet për ta sjellë në një model të një qyteti të jetueshëm jo vetëm për ne por dhe për brezat. Kështu që projektoni të ardhmen e qytetit tonë së bashku me këshilltarët tanë bashkiakë për të shkuar në këtë drejtim që ju me të drejtë e keni quajtur slogan në drejtimin e duhur sepse drejtimi i duhur është jo vetëm rregullimi i standardeve por vetëm në këtë drejtim ne mund të shkojmë dhe ta prekim Evropën me dorë”, tha Topi.


Fryma e re Demokratike vendosi t’i bashkohet koalicionit të djathtë pak para se të niste fushata elektorale.