Frederik Rreshpja/Profil malli…
për lirikun e letrave shqipe

Frederik Rreshpja/Profil malli…<br />për lirikun e letrave shqipe<br>
Ese kushtuar Frederik Rreshpjes/ Simbolika e vetmisë në veprën e tij, dhe nje trajtim për herë të pare mbi kontributet e Rreshpjes në fushën e letërsisë për fëmijë…  

 “Me një fjalë të vetme, mund të thuhet: Frederik Rreshpja u shfaq ai që ishte. S’është e lehtë të përdoret kjo sentencë për çdokënd tjetër, sado që njeriu në Udhën e Tij thjesht Fatin e tij “lexon”. Fidrih, e thërrisja ndonjëherë edhe kështu, e pati këtë virtyt: u shfaq gjithë sa ishte, i tëri siç ishte. …  … Frederiku nuk ndërroi. Se mbajti rroba të robit të Zotit, jetoi ditët se ditët ishin jetët, nuk u shtir, ta marrë e mira siç e mori, kurrë nuk bëri atë që kishte leverdi, nuk e uli kryet për të bërë fjalime atyre që i nënqeshte, nuk thonte fjalë të tjera pas teje, nëse t’i kishte thënë ca të tjera ndër sy… Nuk thuhen dot këto fjalë për këdo të asaj kohe… Se, jo kushdo merrte përsipër fatin ta përjetonte ëndrrën e pasvdekjes si jetë. Ishte lojë e shtrenjtë. Frederiku e bëri. … Të tjerë prisnin të ndërronin sistemet, që të ndërronin edhe ata. Frederiku ishte ai që u shfaq.” (Faruk Myrtaj, shkrimtar)

Frederiku, pati edhe një jetë vetmie. Një konstatim ky, që vjen edhe nga njohja ime (e rrethit të miqve të parë), nga refleksi drithërues i vargjeve të tij, që më vonë iu bënë edhe titull libri: “Në vetmi” a “Vetmi” (në një botim tjetër). Si askush tjetër, Fredi ‘Vetminë’ e shpirtëzoi si metaforë në hapësirat e lirikave të tij, të cilat kanë shumë dhimbje. Oh, sa shumë dhimbje!..

Fredi këndoi për këtë ‘jetë vetmie’. E përceptoi atë si lëvizje, si ëndërr, si realitet, si dramë e si shtegtim. U dashurua me dhe në pikëllimin e saj. E, në këtë pikëllim prej hëne dhe yjesh, Fredi pëshpëriste e meditonte, sigurisht, i vetëm këto vargje:

“Hënë s’ka, yje s’ka.

Ecën vetmia me bijtë e saj.”[1]

E jetonte vetminë… Po aq…, i pëlqente dhe ardhja e muzgut. Po aq…, i pëlqente të kridhej në ajrin e muzgut, të një muzgu trishtues, çuditërisht.

E jetonte vetminë… Po aq…, i pëlqente dhe ardhja e natës, dhe e tejnatës. Në tejnatë Fredi shkruante lirikat e fundit. Aty, pranë dëshmisë së heshtur të qiririt naimian. Aq i përhumbur ishte, sa nuk e ndjente trokitjen e paqtë të ardhjes së agimit. Ashtu, i bërë gërmuq, i humbur në vetminë e tij, ndriçohej vetëm nga qiriu (me të ndante heshtjen) që ngjante si një pikëçuditje.

Fredi – shpesh, humbiste në drithërimën e shpirtit dhe në Mbretërinë e lirikave të tij të pikëlluara. Një Mbretëri pa Mbret, por me një pasuri të rrallë xhevahiresh.

I pëlqente të përmendte e të fliste për De Radën, për Mjedën, për Migjenin. Migjenin e pëlqente së tepërmi edhe Skënder Drini, bashkëqytetar dhe bashkëkohës i Fredit, një prozator me një rrezatim sa poetik aq dhe dramatik. Ky prozator që i bën nder letrave shqipe, i një natyre të heshtur mençurore, e kishte vënë portretin e Migjenit në krye të tavolinës së tij të punës. Migjenin… - zëthirrësin nëpër kohëra e përtej kohërave…! Ndërsa bashkëkohësi i tij poeti Rreshpja do të shprehej për Migjenin e dhimbjes së mjerimit, kështu:

            “Ikën zëri yt, avion mbi alpet e hutuara.

            Nga pas mbetet diçka prej perëndie,

            Me mushkëritë e gërryera si një Promete.”[2]

            Por Fredit i pëlqente, dhe vazhdimisht studionte me imtësi kanunin, doket dhe zakonet… vargjet prej tokës Nanë të Fishtës.  Sikur ndiente mallin e vendlindjes së prindërve... E, Fredi për At Fishtën, do të thonte:

            “Shkon një re e bardhë mbi epikën e maleve,

Si shpirti i shqetësuar,

Mbi lahutën e muzgut.”[3]

            Fredit i pëlqente bota e përrallave…, përrallat që i shkruante mjeshtërisht aq bukur e në mënyrë mahnitëse, sa i pikturonte me zemër e me dritëza xixëllonjash. Me të drejtë miku i tij i ngushtë poeti i talentuar e erudit Moikom Zeqo thoshte: “Pikërisht finesa e Frederik Rreshpjes, është ajo që të trondit më shumë. “Aventurat e fundit të Gishtos” nuk janë asnjëherë të fundit. Aty ku duket se mbaron gjithçka, aty fillon gjithçka.”

            Në të folurën e tij, a në shkëmbim dialogu e batute, ishte i prerë, me një prirje të një natyre filozofike, paçka se në shpirtin e tij si prej fëmije gëlonin lule vjollcat, edhe pse “Çeli vjollca e vogël mbi gurishte, / Si një ylber mbi planete të panjohur. … Vjollcë e vogël, o shpirt.”[4] E kjo ndodhte, se, edhe në të folurin e zakonshëm ai shpallte pa droje e guximshëm gjithnjë ca të vërteta; që sigurisht mërzisnin, irritonin, zemëronin në të shumtën e herës ca njerëz të qarqeve zyrtare. Dhe lufta e betejat e tyre ndaj Fredit dhe botës së shkrimtarisë; do të ishin shpërfillja. Mjerisht, qenë tronditëse e dramatike! Mjerisht arritën deri në tentativat e heshtjes si shkrimtar… Për t’i zbehur forcën dhe ndikimin e magjisë poetike. Por… mbetën në tentativë… Talenti rreshpjan triumfoi guximshëm!.. Dhe do ta gjeni kudo këtë talent, po të lexoni vargjet e tij. Do të përthithni lirizmin e tij. E pastaj do të kuptoni se brenda udhëve të poezisë janë ca kode që flasin për bredhjet e ecjet e tij, herë me një zë mallkues e herë me një zë dëshpërues, herë me një zë lotues e herë me një zë zhgënjyes… Bredhjet e Fredit nëpër ato vargje që i skaliti shpirti i tij ishin hapësirat që krijoi e fali poeti. Shikimi i tij: i dinjitetshëm e njerëzor, ishte shpresë por edhe i pashpresë… E megjithatë Fredi me gjithë peripecitë e jetës, e krijoi universin e tij që peshonte sa vetë liria, të cilën e ëndërronte, e dashuronte, e krijonte dhe i besonte…

            “Këndoi bilbili i vetmuar deri në dhembje,

            Por askush nuk e dëgjoi zërin e tij,

            Sepse i mungonte kafazi.

            Mbi një piedestal heshtjeje,

            Dergjet profili im që në lindjen e gurit.”[5]

            Fredi – magjia e ngjashmërive

            Kohët e fundit, shpesh e më shpesh, nuk e ndaj nga dora dhe mendja, libri me poezi, të vetmin libër, “Në vetmi”[6] të poetit vetmitar por të shquar, lirikut si rrallë ndonjëherë Frederik Rreshpja. Bisedoj me të... si me një mik: të afërt e të largët, të njohur e të panjohur. Dua të shmallem e nuk shmallem dot!.. Ndoshta unë dhe Ai pres (t), pres - im: “... një dallëndyshë që s’ka për të ardhur kurrë...”[7] Ndoshta, vetë Fredi ishte një dallëndyshe, por vetmitare. Por Fredi ishte dhe i tillë: i mallkuar, sylotuar dhe i pafat, i dashuruar dhe i harruar, miqësor dhe i përjetshëm... I tillë, si:

            ‘Që fëmijë e kam kuptuar se kisha lindur i mallkuar me art.

Gjërat i shihja ndryshe:

Nëpër shirat e vdekur

Peshqit fluturonin drejt çerdheve, te yjet.

Në vend të borës binin zogj në çdo dru.

Era si ketër brente degët.

Qante mbi mua nëna, Shënmëria ime. Ave nëna ime!

Mos e pastë njeri këtë fat!

Kam dashuruar një Afërditë në Olimpin e trëndafilave.

Pastaj erdhe ti tërë ikje.

Më vonë vije vetëm nëpër ëndrra, si perënditë ilire.

Kështu iku edhe rinia, filigrami i djalërisë,

i mallkuar me art.

Mos e pastë njeri këtë fat!

Tani që po vdes ëndërroj vetëm një kryq te koka,

dhe të harrohem, se nuk dua që edhe pas vdekjes

të më ndjekë mallkimi  i artit.

Mos e pastë njeri këtë fat!

Po kur të vdes, portreti im ka për t’u shfaqur nëpër gjethe,

se unë kam patur miqësi me çdo dru.

Në stinë kur bien gjethet

Do të bien edhe sytë e mi.

Tani e tutje shirat do të jenë lotët e mi.

Mos e pastë njeri këtë fat!’[8]

            Një nga miqtë e tij të ngushtë, ishte dhe poeti Moikom Zeqo. Nuk kam parë poet më erudit si ai! Poliglot! Ca më kujton Nolin, ca më kujton Konicën, ca më kujton De Radën, ca më kujton… Më tej. Ca më kujton hieroglife të botës, ca më kujton mall shkretëtire, ca më kujton mbibotën shpesh absurde, ca më kujton misteret e botës nënujore, reale. Ca më kujton... dhe mençurinë, udhën e urtësisë, librat enciklopedikë të tij. Po, Moikomi është një enciklopedi! Nuk më ka rastisur të njoh poet të tillë, me të tillë universalitet!..

            Moikomi, në një dialog me Frederikun, ndërton një imazh të tillë rreshpian, ja, si ky që po e shënjojmë:

            ”Moikomi: - ... shpesh mendoj se në lirikat e tua të holla, Frederik, ka disa fanitje, ndoshta halucinacione nga poetët klasikë kinezë. Të jetë e rastësishme?

            Frederiku: -Ti e di, Du Fu dhe Li Bo janë për mua kryemjeshtra. Ashtu si De Rada ynë. De Rada e ka kuptuar, së pari, mjeshtërinë imazhiniste. Si askush. Kujto, p.sh.: vargun madhështor ”Lisa bota kish ndëruar...”.

            Moikomi: -Ke të drejtë. ... Figurat dhe metaforat e De Radës kanë një transparencë kozmike. De Rada flet për Diellin që, kur perëndon, duket sikur fshihet nën tokë si nënat, që kënduan valle para shumë shekujsh. Te balli i një vajze hijeshon një mendim. Bie bora mbi det dhe mbi leshterikë, duke zbardhur krahët e pulëbardhës. Kur ëndërron, poeti thotë: ”Thua se trupi po më largohet”. Ja dhe këto vargje të pashembullt: ’Luleje e hapur / Një të hëne plot hare, / Të enjten duke u bërë e bardhë / Thua se po e sheh të dielen?’

            Frederiku: -Duket sikur këto vargje janë shkruar në shekullin e artë të poezisë klasike kineze. De Rada është i mbushur plot mrekulli të tilla. De Radën me poetët e vjetër kinezë e lidh natyra, deti, era, stinët. Lëvizjet ciklike të Diellit dhe të Hënës. De Rada është një poet i madh, që vjen nga natyra. Nga konkretja. Edhe metaforat e tij më abstrakte, janë plot.”[9]

            Fredi – përrallëtar e tregimtar për fëmijë

            1.

            Kritika letrare e realizmit socialist, në të shumtën e rasteve, nuk foli mirë për përrallat e Frederikut, kur i gjykoj apo i interpretoi ato.

Kritika letrare e realizmit socialist kritikën për këtë autor e kishte në majë të gjuhës e të penës. Mendoj se nuk u kuptua rrëfimi përrallëtar i Fredit. Më shumë u keqkuptua. U vunë në shënjestër detajet dhe jo thelbi.

Kritika letrare e realizmit socialist nuk i njohu risitë e talentit të tij. Ishte ndryshe nga të tjerët. Nuk arriti të njohë imazhin e ri rreshpian që po sillte edhe në këtë gjini, krahas poezisë, romanit dhe dramës. Në këtë marrëdhënie kritikë letrare – krijim – autor, mendoj se zgjon interes mendimi i studiueses Pandora Dedja. Duke folur në një shkrim të saj për përrallën e re, për dritën që duhet të sjell ajo, Dedja e ilustron dhe e përqas me një seri titujsh të kontributeve të përrallëtarëve shqiptarë. Më të shquarit. Evidenton si arritje edhe librin “Trofta hutaqe” e Frederik Rreshpjes. Pas përmendjes dhe arsyetimeve të saj, autorja e përfundon ligjërimin me këto fjalë: “Në këto vepra bëhen përpjekje serioze për të krijuar një përrallë të re, …  … Të gjitha këto përralla të reja ndihmojnë për të arritur më së miri qëllimet edukative për zhvillimin mendor, moral dhe estetik të fëmijëve të vegjël.”[10]

Në këtë vazhdë, e sidomos të misionit të përrallës, shkrimtari Naum Prifti kërkon që kjo gjini e dashur “duhet të lirohet nga disa shtampa që krijohen ndonjëherë kot e që më pas bëhen norma”. … Autori më pas vazhdon përmes një vlerësimi dhe kritike: “Frederik Rreshpja shkruan me fantazi dhe lirizëm. Në përrallat e tij elementet e natyrës ndërthuren me mjeshtri. Ai diku përdor figura të folklorit (Gishton) për të treguar sa shumë ka ndryshuar vendi ynë, diku i mbetet besnik mënyrës klasike të mbarështrimit (sidomos Andersenit) e diku përpiqet të çajë vetë. Veç në përrallat e tij ka mjaft lotë e qarje, të cilat në shpirtin e lexuesit të vogël lënë gjurmë. Natyra e fëmijës do më shumë përfundime të gëzuara dhe këtë duhet ta ketë parasysh autori në krijimet e ardhshme.[11]

Kritika letrare e realizmit socialist, në objeksionet e saj, dëshironte dhe kërkonte që përrallat e Fredit të mishëronin doemos “kolektivitetin socialist”. Në një shkrim të një studiuesi të mirënjohur, pasi ai analizon përrallën “Pylli oshëtin” të F. Malos, dhe përrallën “Do të ndërtojmë hidrocentral” të T. Gjokutajt, thotë: “… Kjo ngjet, sepse të dy këto krijime mishërojnë idetë e kolektivitetit socialist. Shembuj të tillë ka plot. Por është vështirë ta thuash këtë për përrallën “Trofta hutaqe” (nga vëllimi me të njëjtin titull i F. Rreshpes), ku autori, si të thuash, me qëndrim pak a shumë indiferent, na përshkruan një qënie fatkeqe, që loton dhe që nuk ka rrugëdalje dhe për të cilën gjyshja-troftë  thotë: “Hutaqe je dhe hutaqe të thonë... Ah, që na lindi kjo budallaqe në shtëpi! Unë nuk kam parë kurrë një peshk të tillë të hutuar mu si krap.” Ma merr mendja se synimet e edukatës sonë e, aq më shumë, ndikimi edukativ  që duhet të ushtrojë përralla, nuk duhet të na çonin gjer atje, sa një të mete të tillë, si hutimi (te fëmija ose trofta – kalama), ta paraqisnin në formën e një udhe pa krye.”[12] Ndërsa një autor tjetër në lidhje me përceptimin moshor, thotë:

“Nëse kemi parasysh adresimin e përrallës për mosha të caktuara të fëmijëve, mendojmë gjithashtu se karakteri lirik i trajtimit të përrallave e dëmton gjer në një farë shkalle interesimin e fëmijëve të vegjël për të , siç ndodh, p.sh. tek përrallat e vëllimit të fundit “Trofta hutaqe”. Trajtimi lirik si edhe trajtimi shkencor i subjekteve e rëndon gjer në një farë mase përrallën.”[13] E, duke vazhduar me vështrime të tjera të këtij vëllimi e të kësaj  përralle, po përmend edhe disa studiues të tjerë. Studiuesi Nikollaq Hanxhari shprehet kështu: “F. Rreshpja në përrallën “Trofta hutaqe” nxjerr realitetin bazë sekondar dhe rastësinë primare, në kohën kur fëmijët nuk mund të jenë kurrë aq hutaqë sa trofta, etj. Shembulli pozitiv duhet të bëhet zotërues në përrallën e re, edhe atëherë kur flitet për një fenomen negativ.”[14] Kurse studiuesi Astrit Bishqemi, thekson: “E veçanta e këtij vëllimi me përralla të shkrimtarit Frederik Rreshpja, është mënyra poetike e konceptimit të tyre, mjediset fantastike nëpër të cilat e shëtit lexuesin e vogël autori, informacionet e reja që na sjell dhe mesazhet që transmeton si pakuptuar.”[15] …

“Përralla “Trofta hutaqe”, që i jep titullin vëllimit, na çon në një mjedis tjetër interesant, në atë të nënujit. Na njeh me banorët e tij (troftat, cironkën, peshk gurin, krapin etj.)  Përshkrimet janë të bukura. Ja një pasazh i tillë: “Rrugët e shtruara me rërën më të imët llamburisnin nga ca fenerë të vegjël. Çatitë prej guackash shkëlqenin. Drurët e kaltër lëkundeshin nën erën prej uji (f. 31). Përralla përshkohet nga një humor i lehtë. Lexuesin e bën për vete Trofta e vogël hutaqe me zemrën e mirë që ka humb shallin e saj, kujton se ka gjetur një shall të huaj dhe kërkon ta çojë te vitrine e sendeve të gjetura. Megjithëse ka shumë lot, ajo i mëson fëmijët e vegjël të mos jenë të hutuar dhe të pyesin për një gjë që nuk e dinë.”[16]

Përsëri, mendime dhe filozofi të tjera na shfaqen në të tjera shkrime lidhur me  përrallat e Frederikut. Kështu, një autor shkruan: “Që të shkruash për fëmijë, duhet ta njohësh jetën, në përgjithësi, dhe botën e fëmijëve, në veçanti, e ta pasqyrosh këtë realitet si një proces në zhvillim me një të kaluar, me të tashmen dhe perspektivën e tij, me kërkesat, preokupacionet dhe shqetësimet e botës që i drejtohesh. Mjetet letrare e artistike duhet të përkojnë me botën reale të fëmijëve, me psikologjinë dhe emocionet e tyre, pasi tiparet e botës së përrallës përputhen më së miri me botën mendore konkrete – figurative ende primitive të intelektit të fëmijëve dhe se ajo është shumë e pasur me figura, ngjyra, ngjarje e veprime konkrete e fantastike, që gjallërohen e marrin jetë nëpërmjet personofikimeve. Shumë autorë, nëpërmjet përrallave të tyre, zbërthejnë moralin e ri në veti të larta, si: ndjenjën e punës, kolektivitetin, përpikmërinë, ndershmërinë, shembullin pozitiv, etj. Por takon edhe ndonjë rast kur botës së fëmijëve i janë servirur ide negative që nuk edukojnë, por që përkundrazi, dëmtojnë. ...; F. Rreshpja në përrallën “Pulëbardha”, thotë: “... Pastaj pulëbardha fluturoi dhe u suall rrotull më kot, gjersa erdhi mbrëmja” – duke predikuar kotësinë dhe pesimizmin në jetë si ide morale.

            Nga cektësia ideore dhe mosnjohja e realitetit, ka raste kur disa autorë vënë theksin në mënyrë të tepruar tek paraqitja e shembullit negativ duke karikaturuar personazhet në proporcione shumë të errëta.[17] Ndërsa për këtë përrallë kemi edhe këtë mendim: “Edhe përralla tjetër e bukur “Pulëbardha” sjell informacion se ata lloj zogjsh rrojnë pranë ujërave të detit, shumohen me vezë, ushqehen me cironka, kanë armike dhelprën…”[18]

            ...

            I njohur me përrallat e Fredit, lexuar dhe rilexuar, studiuar dhe ristudiuar, mund të them pa hezitim në themel të arkitekturës përrallore qëndron poetika e tij. Poetika e tij ishte geni dhe shpirti i tij. Ishte frymëmarrja. Ishte përditësia e individualitetit letrar e poetik. Se të veçantat e përrallave të Fredit janë: mënyra e rrëfimit (komunikimi) pothuajse lirike, ndërtimi i frazës, ngjyra, emocioni, loja, lëvizja, psikikja, krijimi i imazhit, fantastikja, surrealja dhe stilistika figurative. Shpesh, përrallat kanë në tekstin e tyre ka paragrafë të shumtë të mbushura plot ngjyresa poetike, sa lexuesit të vogël i ngjan sikur po lexon një poezi. Shpesh, përrallat, si hyrje kanë ca formula magjike që thuren e thuhen poetikisht teksa bazohen në traditat e përrallave popullore të të rrëfyerit. E kjo është arsyeja se, njëra përrallë nuk I ngjan tjetrës, si në konceptim ashtu edhe në strukturë. Origjinën e tyre, mbase duhet t’i kërkojmë në qëndisjen e xhamadanave që Fredi që ishte mjeshtër i vërtetë. Ndaj, dhe përrallat e kanë këtë ‘qëndisi’, që nuk e gjejmë në modelet e përrallave që na kanë ofruar autorët e tjerë shqiptarë. Modelet që ofron Fredi të mahnisin, janë të çuditshme, kaq të afrueshme, sa të fusin si pakuptuar në botën magjike të përrallës rreshpjane.

Si ilustrim, kam ofruar tri modele:

1.

“Robi qe një lepurush i çuditshëm, bile ai dinte edhe të fluturonte. O Zot! Po vallë a fluturonjnë lepurushët?

E vërtetë ose jo, në një të diel të bekuar, ai na u gjend në cep të një reje të bardhë.”[19] 

2.

“Hajt – hajt, na doli ky Plaku i Pyllit në krye të malit dhe na përshëndeti botën: “Mirëmëngjesi diell, mirëmëngjesi lugina, mirëmëngjesi, o pyje!” Pushkën e mbante në sup dhe qe i gëzuar.

Drurët sapo qenë zgjuar. Rrrinin aty nën qiell dhe mendonin. Befas lisat pleq pyetën:

-Kush po vjen?

Po vjen Plaku i Pyllit, ai që na ruan dhe që na do, - u përgjigj rreshti i parë i drurëve.”[20]

Për këtë fragment që solla si model, dhe është përralla me titull: “Një lis i vogël”, ku studiuesi evidenton për këtë përrallë dhe të tjerat këtë veçori: “Në rrëfimin e tij autori e mban të pavarur planin fantastik nga ai real. Rrëfimi është i bukur, poetik. Për të na treguar zgjatjen e veprimit, autori përdor frazeologji të tilla popullore, si: “Hajt – hajt, na doli ky…; Hajt – hajt, na u kthye plaku; Hajt – hajt, na erdhi nata: nejse… Përdorimi i dhanores dative na sikur e afron lexuesin me ngjarjen, e bën pjesëmarrës në të.[21]

3.

“Ju lutem, kush më thotë mua si mësojnë të fluturojnë pulëbardhat?

Pak njerëz në botë e dinë këtë.

Ja ç’më ka treguar dikur një gjahtar plak:

Pulëbardha e vogël lindi në një shpellë ndanë liqenit. Në një ditë me diell. Ajo doli nga veza dalëngadalë, pastaj hodhi tutje lëvozhgën e thyer, e cila u rrokullis, sa u rrokullis nëpër gurët e bregut dhe më në fund vajti e ra në ujë.”[22]

            ***

2.

Fredi edhe në prozë ruajti po ngjyresat e përrallës, veçanërisht kur ishte fjala për motivin, rrëfimin, trajtesën dhe përshkrimin e gojëdhënës apo të legjendës. Fantastikja, duke mos humbur realen, mbetet fantastike. Edhe pse shkroi vetëm tre libra në prozën tregimtare “Trimi i fshatit të Bardhë” (tregime, Naim Frashëri, Tiranë, 1968), “Eranda” (legjendë, Naim Frashëri, Tiranë, 1968) e “Legjenda e Arbrit” (pa vend e vit botimi), pasurojnë dhe dimensionojnë profilin e tij si krijues i vërtetë.

Kritiku nga Kosova Hasan Hasani është marrë me studimin e këtyre dy librave të Fredit. Nga analiza e tij kemi shkëputur këto shikime vlerësimesh: “Nuk ka kënaqësi më të madhe për lexuesin se kur merr në dorë një vepër të përkryer letrare, qoftë nga paraqitja e jashtme, qoftë edhe nga ajo ideore, estetike, artistike etj. E njëjta gjë ndodh edhe me shkrimtarin, ku vepra e tij bëhet pjesë e pandarë e shpirtit të lexuesve, kur ajo e pushton masën e gjerë dhe të thuash bëhet vepër e secilit, e më së paku mbetet e shkrimtarit. Kur vepra e vazhdon jetësimin ndër lexues, qëllimi i saj është arritur, efekti është i dukshëm.”[23] … “E gjitha kjo mund të thuhet pas leximit të përmbledhjes së tregimeve për fëmijë të shkrimtarit bashkëkohës shkodran Frederik Rreshpjes, titulluar “Trimi i fshatit Bardhë”. Është një vëllim i përbërë prej shtatë tregimeve, ku Rreshpja hudhet në epokën e lavdishme të historisë sonë kombëtare, në shekullin XV, pra në kohën e Skënderbeut…”[24]

Kritiku Hasani duke gjetur “majanë” e tregimeve të Rreshpjes, konkludon dhe arsyen e jetëgjatësisë së këtyre krijimeve: “Duke shfrytëzuar  legjendat dhe gojëdhënat e ndryshme rreth Skënderbeut, këngët dhe bisedat, rapsoditë kushtuar heroizmave të tij, i mundësuan Rreshpjes që lexuesve të vegjël t’ua dhurojë një vëllim simpatik që kurrë nuk do të harrohet nga kujtesa e tyre.”[25]

Po ky autor për krijimin “Eranda” thotë: “Edhe tregimi “Eranda” është një rrëfim simpatik, …”[26]…

Më tej, fokusohet në vlerën e personazheve, për të cilët vë këto shenja: “…, personazhet e këtyre tregimeve, përveç Skënderbeut dhe bashkëluftëtarëve të tij të njohur nga historija, përveç pleqve që ndihmojnë luftën; fëmijët Tanushi dhe Tana, Eranda dhe Beni, Gjoni dhe Gjini, dhe vajza e quajtur Omeri, nuk do të zbehen nga kujtesa e lexuesve të vegjël.[27]

Raporti i personazhit dhe kujtesës mbetet një problem ende i pastudiuar në letërsinë për fëmijë dhe të rinj, aq më pak në krijimtarinë e Frederikut. Dhe ku e ka ‘sekretin’ magjik Fredi? Autori i shkrimit e përfundon kështu materialin e tij, duke gjetur dhe çelësat e këtij ‘sekreti’, : “Të gjitha këto Frederik Rreshpja i arriti përmes rrëfimit të thjeshtë, të sinqertë, dialogjeve të lehta, të kuptueshme, duke i shfrytëzuar këngët, rapsoditë, legjendat, gojëdhënat që për botën e fëmijëve janë shumë të afërta, të pranueshme.[28]        

1/1
            Në vend të mbylljes (përsëri me përrallën…)

            Ai që zbërtheu kodet e vërteta të përrallave të Fredit, ishte poeti Moikom Zeqo. Ai e njohu në thelb Fredin. Përcaktimi i tij, që sigurisht vjen nga kulturologjia hapësinore, mbetet parësore e rrezatuese. Askush më mirë se Moikomi nuk i studioi përrallat e Fredit. Moikomi shprehet kështu: “Çdo shkrimtar i mirëfilltë, është përralltar. Shkrimtari i vërtetë është vetvetiu përralltar i madh.. Frederik Rreshpja është shkrimtar i vërtetë. Vetkuptohet se çfarë përralla di ai të shkruajë.

            Frederiku është ngjizur në Mbretërinë e Fëmijërisë ashtu si ata princat e panjohur por që nuk mund t’i harrojmë asnjëherë. Në çfarëdo moshe, pavarësisht nga thinjat, vuajtjet dhe sëmundjet, Frederiku nuk arrin të mplaket. Ai nuk është i fuqishëm t’i kapërcejë sinorët e Mbretërisë së Fëmijërisë, sepse është më i plotfuqishëm brenda kësaj Mbretërie. Ai bisedon me kafshët dhe shpendët sepse e njeh gjuhën universale të tyre. Ai është i trishtuar sepse e çmon shumë gëzimin njerëzor. Frederik Rreshpja përzien fjalën me pikturën dhe na çudit ne të tërëve me disa koleidoskopë prej ëndrre. Nuk ka jetë më të ndërlikuar dhe më të vrazhdë, nga të gjitha pikëpamjet, se sa jeta e Frederik Rreshpjes. Si një kampion i kontrastit në përrallat dhe në poezitë e tij, ai projekton një botë delikate si ato qelqet e tejdukshme dhe të mrekullueshme veneciane. Pikërisht finesa e Frederik Rreshpjes, është ajo që të trondit më shumë. … Amen![29] (Tiranë, më 21 maj 2002).

***
            Përrallat e Fredit ngjajnë si piktura, që i flasin përjetësisht ëmbël fëmijërisë. Fredi nuk plaket se është fin…, pavarësisht se e mbështolli gëzofi i vetmisë. “Ai (Frederiku, shënimi im Xh. B.) është i trishtuar sepse e çmon shumë gëzimin njerëzor.” Ky është postulati përrallor që miku i tij i besës Moikom Zeqo, kësaj here (si gjithëherë), e ka pikëzuar çmueshëm lirikun e letrave shqipe, rrezatuesin Frederik Rreshpja. 

            Përrallat e Fredit që u përmblodhën në librin e fundit “Aventurat e fundit të Gishtos”[30], nuk janë gjë tjetër, veçse një testament i tij, kësaj here… për fëmijët e fëmijërinë e tyre. Vetëm një talent si i Fredit na e fali çdo tekst përralle me kaq hapësira të mëdha vezulluese e të ylberta! Nderim! /Shkodër, dhjetor 2017

[gallery]25132[/gallery]

d.c./shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë