Frederik Rreshpja si
gjithë gjenitë e vërtetë

Frederik Rreshpja si<br />gjithë gjenitë e vërtetë
Siç shprehej Bretoni, "Nuk ndodh të bësh një vend në diell veçse për të zënë frymën nën një lëkurë kafshe", Frederiku gulçoi nën lëkurën e kafshës, iu mbajt fryma shpesh, ndonjëherë reshti së marruri frymë... Jetën asnjëherë s'e pranoi si një arkë veprimesh që zë rrugën, s'e përfilli...

Por dhe jeta nuk e pranoi Frederikun, si një përrua i bollshëm, ku ai kërkonte të vendoste Anijen e tij poetike. Jo një anija, loder fëmijësh, por atë anije rrotullore, të shtyrë prej erërave të largëta të gjyshërve të tij, Poetë të madhej. Frederiku fliste për kontrabandën dhe tirrte ndonjë mashtriim... Cfarë ishte kjo pakuptimësi jete!? Paradoksi e pllakoste atë prej posturës deri tek imagjinata prëj përbindëshi. Aspak simetrik. I egër. Por qante për Lasgushin dhe vdekjen e tij. Kërkonte vdekjen e vet...

Jo rrallë, sikush mund të shikonte te fytyra e tij buzëqeshjen më të ëmbël të fëmijëve të botës. Nuk ka nën diell ndonjë, tek i cili ka rrahur zemra e poezisë, mos të ketë pasur dëshirën për të takuar Bllejkun, Artur Rembonë, apo Bretonin. Një poet të madh. Frederikun mund ta takonim çdo ditë, bile ndonjëherë i bënim bisht hasjes me të... Ndoshta kështu ka qenë edhe në kohën e Bodlerit e Malarmesë. Artur Rembonë e rrahën kafshërisht, kur ende s'ishte veç një lastar i hajthëm zambaku.

Frederiku Rreshpja ishte fisi i Malarmesë dhe i Bretonit. Poezia kishte zënë vend në trupin e tj, por nuk e njihte atë, pasonte jetën e saj të lirë, aty ku e shtynte një puls gjenial, që vinte kushedi se prej çfarë visesh yjore. Frederiku ishte i mallkuar me këtë lëng yjesh. E thoshte edhe vetë. Kur i vente ora, poezia e kapte prej dore, e çonte në rrugët e saj të habitshme, të panjohura, plot kurthe dhe të papritura. Frederiku ndjehej i tromaksur.

Ai nuk donte ta quaje poet. "Jam gazetar". Ai qe zaptuar prej poezisë, nuk ndjehej rehat me të. Me dashje pa dashje iu dha arbitraritetit të "poetit" më të madh që pati shkelur në trojet tona. Nuk e kërkoi ai poezinë, ishte poezia ajo që e kërkoi atë. Dhe doli se kjo e fundit kishte gjetur personin më të përshtatshëm.

Një gjeni. Frederiku gjeti, për të vendosur poezinë, vendin e duhur në kohën e duhur, që askush tjtër nga paraardhësit e tij s'kishte mundur ta bënte. Bëri pikërisht atë që kishte bërë Zhan Morea dhe Malarmeja ne 1886 me Manifestin e simbolizmit. "Mos të emërtosh sendin, por impresionin që sendi le në shpirtin e poetit", "Jo reportazhe, jo përshkrime objektive, natyraliste, por poezia të japë kuptime të shumta; ndijime, ide, pamje e realitete të larta, transhendentale, formën dhe të vërtetën e brendshme".

Ai instinkt gjeniu e udhëhoqi Frederkun në të vërtetën poetike më kuptimplotë, të cilën Bretoni e shprehu kështu në Manifestin e tij. "Poezia del përmbi poemat, ajo kapërcen edhe vetë gjuhën; Bëhet ekzistencë". Pikërisht Frederiku qe i mallkuar me "poezinë si ekzistencë", ai nuk sajonte poezi, as nuk e shpikte atë...

Poezia materializohej nëpërmjet Frederikut, duke marrë prej tij shumë të dhëna, duke i yshtur gjuhën, fjalët, ngjarjet, inteligjencën, por duke ruajtur me fanatizëm të vërtetën e vet transhendentale, duke përbuzur dhe flakur këngën bajate, ritmin e sëmurë kronik, marshin, kureshtjen e stisur balladeske, kërcitjen e fjalëve të përzgjedhura, bukuritë e ditura...

Rrëzohet nga drurët trishtimi i borës.
Lugina me hënë lyer
Dhe, drerët e erës vënë kujë me dhembje,
Me brirët prej akulli thyer.
O dimri i drerëve me brirët në erë.
... (Rekuiem),
ose
Bie alarmi i shirave,
rrëzohen udhët e zogjve,
Dhe hëna projekton profilin tim në xham.
Kështu do iki vizatuar nga hëna
... (hënë s'ka.)
Ose
Druri i pritjes u vesh me vjeshtë
Rrufetë u bien kambnave
Në ajrin e ngjyer në mbrëmje
... (rri e rri)


E mbaj mend figurën e këtij gjeniu të stolisur nga buzëqeshja engjëllore që i prekte ballin, sytë e buzët... Poezia te Frederiku ndjehej në shtepinë e vet. Ai u ndje në shtëpinë e vet në toke..., si gjithë gjenitë e vërtetë.

Shkrimi u botua sot në Suplementin Rilindasi në gazetën Shqiptarja.com (print) 31.03.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Bllokimi i aksit Thumanë-Kashar/ Morën pjesë në protestë, policia fillon shoqërimin e disa prej banorëve

Bllokimi i aksit Thumanë-Kashar/ Morën pjesë në protestë, policia fillon shoqërimin e disa prej banorëve