Fredi Beleri s’mund të ushtrojë siç duhet mandatin e eurodeputetit

Fredi Beleri s’mund të ushtrojë siç duhet mandatin e eurodeputetit

Fredi Beleri

Në javën e parë të qershorit, kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, Fredi Beleri, u zgjodh deputet i Parlamentit Europian me rreth 237 mijë vota, duke u renditur i katërti në listën me 7 fitues që garuan nën siglën e partisë në pushtet në Greqi, "Demokracia e Re”. Në një situatë të zakonshme, ai do të kishte festuar fitoren politike të radhës. Por arresti e më pas dënimi me dy vite burg për blerje votash në fushatën e zgjedhjeve lokale të një viti më parë në Shqipëri, nuk ia mundësuan këtë. Që nga çasti i prangosjes e në vijimësi, Beleri ka kundërshtuar akuzat që prokuroria ka ngritur ndaj tij, duke e konsideruar këtë një proces politik dhe ka apeluar vendimin. Por edhe Gjykata e Posaçme e Apelit ka vendosur ta lërë në qeli.

Procesi gjyqësor, pengesë për PE

Nisur nga situata gjyqësore në Shqipëri, duket se çështja ndërlikohet kur vjen puna tek ushtrimi i funksioneve të tij si eurodeputet. Për Mechtild Roos, lektore në Universitetin e Augsburgut në Gjermani, eksperte e Studimeve Europiane dhe veçanërisht Parlamentit Europian, Beleri do ta ketë thuajse të pamundur ushtrimin e detyrës si euro-parlamentar.   

"Z.Beleri nuk mund ta ushtrojë siç duhet mandatin e tij, për aq kohë sa është në burg. Ai nuk mund të mbajë fjalime ose të votojë në seancat plenare, në takimet me partinë që përfaqëson apo komisionet. Gjithashtu do ta ketë të vështirë të votohet për ndonjë rol domethënës siç është zëvendëskryetari, raportuesi etj, dhe as nuk mund të marrë ndonjë vend në komitet, çka mund t'i interesojë më së shumti, thjesht sepse nuk është i pranishëm në momentin kur këto rolet shpërndahen brenda anëtarëve të grupit të tij” – thotë Dr.Roos për Deutsche Welle. Sipas saj, partia që e futi Belerin në listën e kandidatëve, "Demokracia e Re”, është anëtare e Partisë Popullore Europiane në Parlamentin Europian, grupimit më të madh politik në PE, mes të cilëve ka shumë pretendentë për role dhe poste të rëndësishme. "Një eurodeputet në mungesë dhe i dënuar nuk ka thuajse asnjë shans që t'i jepet ndonjë rol apo post domethënës deri në lirimin e tij. Prandaj, në rastin më të mirë ai do të informohet në mënyrë joformale për zhvillimet brenda Parlamentit Europian dhe vetëm pasi të ketë përfunduar dënimin do të mund të ushtrojë siç duhet mandatin e tij – në pikën kur Parlamenti do të jetë në agjendën normale të funksionimit…” – argumenton ekspertja Roos.    

Pse "Demokracia e Re” përzgjodhi një kandidat si Beleri për t'u përfaqësuar në Parlamentin Europian, duke ditur këto ngërçe institucionale të Unionit? 

Për Nikolaos Tzifakis, profesor i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Peloponezit në Greqi, ekspert i BE-së dhe politikës bashkëkohore të Ballkanit Perëndimor, kandidimi i Belerit u bë për disa arsye: "Kandidimi nënkuptonte një lloj fitoreje simbolike në atë çka dukej të ishte një betejë e humbur. Teksa Greqia nuk mund të ndikonte në procedurat gjyqësore në Shqipëri, populli grek ishte në gjendje të jepte mbështetjen e tij morale për Belerin dhe kauzën e tij. Megjithatë, mbetet për t'u parë nëse vendimi i ‘Demokracisë së Re' do t'u shërbejë interesave të banorëve të Himarës, të cilët kanë votëbesuar Belerin si kryebashkiakun e tyre” – thotë Tzifakis për DW. 

Vendimi i formës së prerë dhënë nga Gjykata e Posaçme shqiptare e Apelit "vulosi” qëndrimin në qeli të Belerit deri në tetor, çka nënkupton se ai nuk do të mund të marrë pjesë në seancën e parë plenare të mbajtur në Strazburg në muajin korrik, qytet ku ai s'mund të betohet si eurodeputet por ku ka paditur Shqipërinë në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut, lajm të cilin e ka njoftuar mënjehërë pas vendimit të Apelit.

Precedentët  

Beleri nuk ishte i vetmi kandidat për eurodeputet në Parlamentin Europian, që i priste rezultatet pas hekurave. Sipas ekspertes Roos, një rast tjetër dhe – ngjashëm i politizuar – ishte edhe ai i italianes Ilaria Salis, kandidate e "Aleancës së të Gjelbërve dhe të Majtëve”, e burgosur në Hungari për rreth një vit, nën akuzën se kishte sulmuar dy ekstremistë neo-Nazistë. Por në rastin e Salis u apikua lirimi nga qelia pasi Hungaria është shtet anëtar i BE-së dhe në bazë të ligjeve europiane, të zgjedhurit eurodeputet i jep dikujt imunitet ndaj procedimeve ligjore në vendet e tjera të Unionit. 

"Në njëfarë mase, edhe rasti i Eva Kailit është gjithashtu për t'u marrë në konsideratë kur flasim për pasojat që burgosja e z.Beleri do të ketë në mandatin e tij si eurodeputet: edhe pse Kaili u burgos gjatë kohës që ushtronte mandatin e saj si eurodeputete dhe veprimeve të jashtëligjshme gjatë ushtrimit të këtij mandati, ajo pati shumë pasoja në ushtrimin e mëtejshëm të detyrës, duke iu hequr posti i Zëvendës-Presidentes së Parlamentit Europian dhe mundësia për të marrë pjesë në aktivitetet e përditshme të politikëbërjes në PE” – argumenton Roos. 

Çfarë ndodh më pas mes Shqipërisë dhe Greqisë?

"Nga Beleri pritet që të ndjekë ngushtësisht zhvillimet me Shqipërinë” – thotë eksperti Tzifakis. Sipas tij, nuk ka asgjë të re apo të pazakontë në këtë mes. "Shumë eurodeputetë të tjerë grekë, si për shembull Manolis Kefalogiannis, e kanë ushtruar më parë këtë rol. Pa dyshim që eurodeputetët grekë do të jenë mes mbështetësve të mëdhenj të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, nëse Tirana u përmbahet reformave të kërkuara nga BE-ka” – thekson ai. 

Por nëse në lidhje me qasjen e Greqisë ndaj anëtarësimit të Shqipërisë, Tzifakis është optimist, krejt ndryshe është analiza e tij kur flitet mbi marrëdhëniet mes dy vendeve, duke risjellë në vëmendje çështjen e kufirit detar. "Niveli i besimit mes dy vendeve është shumë i ulët. Athina nuk është vetëm e bindur se gjyqet ndaj Belerit ishin të padrejta për shkak të një sërë mospërputhjesh procedurale. Por Greqia është mërzitur gjithashtu nga mungesa e përparimit në referimin e mosmarrëveshjes për demarkacionin e kufijve detarë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Athina dyshon seriozisht në angazhimin e Edi Ramës për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve bilaterale dhe përmirësimin e marrëdhënieve fqinje” – përmbyll analizën e tij Tzifakis./DW

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Protesta e Berishës, Faik Basha i PL-së e pranon: Nuk kishim shumë njerëz edhe prej motit! Haklaj: Mosbindja civile, teatër! PD bllokoi rrugët, vepër penale

Protesta e Berishës, Faik Basha i PL-së e pranon: Nuk kishim shumë njerëz edhe prej motit! Haklaj: Mosbindja civile, teatër! PD bllokoi rrugët, vepër penale