Ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias ka komentuar sërish çështjen e Fredi Belerit duke dhënë një mesazh të qartë se BE nuk do tolerojë shkeljet e të drejtave.

I ftuar në televizionin Ant1, Dendias komentoi zgjatjen e masës së sigurisë për Fredi Belerin, për të cilin GJKKO vendosi ta lërë në burg deri në përfundim të hetimeve.

“Ministria e Jashtme ka dhënë një njoftim zyrtar. Zgjatja e paraburgimit, bie ndesh me ndjenjën e drejtësisë publike dhe perceptimin europian të shtetit të së drejtës. Por ka edhe gjëra që nuk thuhen në publik. Takova edhe homologen time shqiptare dhe i thashë gjithçka që shumëkush kupton se duhet t’i thosha. Ne nuk duam të sjellim askënd në pozitë të vështirë, por nga ana tjetër jo vetëm qeveria greke, por edhe BE nuk do të tolerojë shkeljet e shtetit ligjor nga një vend në Europë”, u shpreh ministri grek.

Ditën e djeshme, pas vendimit të GJKKO për të lënë në burg Belerin, erdhi një reagim nga faqja zyrtare e Ministrisë së Jashtme ku thuhej se ishte një goditje për drejtësinë publike dhe perceptimin evropian për shtetin e së drejtës.

"Zgjatja e paraburgimit të Fredi Belerit, tashmë i zgjedhur kryetar i Bashkisë Himarë, godet sensin e drejtësisë të publikut dhe perceptimin evropian të shtetit të së drejtës” shkruhej në reagim.  

Ndërsa ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka tha se gjatë bisedës që pati me homologun grek u shpreh se kjo është një çështje gjyqësore që nuk duhet të ndikojë në faqen e re që kemi hapur në marrëdhëniet tona dypalëshe.

Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për bashkinë e Himarës Fredi Beleri u arrestua më 12 maj në lokalin e tij, teksa ofronte para për të vlerë 8 vota në shifrën e 40 mijë lekëve. Arrestimi erdhi pas denoncimit në prokurori nga një person, i cili kishte treguar se i ishin ofruar para në këmbim të votave. Po ashtu, Beleri sipas organit të akuzës, u premtonte se do t’i përfshinte në skema për përfitimin e shtetësisë greke dhe të pensionit nga shteti grek. Ndërsa përmes bashkëpunëtorëve të tij dyshohet se paguante shuma nga 50 deri në 200 euro për një votë në favor të tij. Pavarësisht hetimeve të nisur ndaj tij, Fredi Beleri mori Bashkinë e Himarës me 19 vota më tepër, përballë kandidatit socialist Jorgo Goro.