Freedom House, Dunham: Ligjet
s’zbatohen, ndaj media s’është e lirë

Freedom House, Dunham: Ligjet<br />s’zbatohen, ndaj media s’është e lirë
TIRANE- Në ditën Ndërkombëtare të Medias, përfaqësuesja e Organizatës Ndërkombëtare "Freedom House" për Ballkanin, Jennifer Dunham në një intervistë për "A1 Report" nga New York shprehet se Shqipëria mbetet në vendet me media pjesërisht të lirë si shkak i mungesës së zbatimit të mbrojtjes ligjore për median.

Përshëndetje znj.Dunham, ndihemi mirë që ju kemi sot ne televizionin “A1 Report” me anë të kësaj interviste. Na thoni ku janë të bazuara kërkimet tuaja kur paraqisni këtë performancë për Shqipërinë?
Kërkimet tona janë mbarëbotërore. Përsa i përket Shqipërisë ne përqendrohemi fillimisht tek komuniteti shqiptar në New York dhe në të gjithë SHBA. Më pas testojmë opinionin e përgjithshëm në Shqipëri, me anë të pyetësorëve që përgatisim. Shqipëria është pjesërisht e lirë përsa i përket medias. Ka arritur nivelin 49 në këtë kontekst. Pra paraqitet në nivel të mesëm, mund të themi. Ne kemi analizuar 197 vende dhe territore ku pika 0 paraqet nivelin më të lartë të lirisë së medias, ndërsa pika 100 paraqet nivelin më të ulët. Shqipëria duke arritur 49 pikë do të thotë që vendi ka situatë relativisht të mirë, përsa i përket ligjeve dhe mbrojtje konstitucionale, përsa i përket lirisë së shtypit. Por që ligje të tilla mbeten të pazbatuara në praktikë dhe ligje të tilla nuk janë gjithmonë të respektuara nga politika. Duhet kuptuar që qëllimi i raportit nuk është të sulmojë qeverinë, por të analizojë terrenin në të cilën media e vendit tuaj operon. Këtu ne analizojmë sjelljet e pronarëve të medias, të aktorëve joshtetërore, apo të vetë gazetarëve të cilët përpiqen çdo ditë shumë deri sa të arrijnë të thyejnë barrierat dhe u japim kredite për këtë, e kjo ndodh për çdo shtet.
 
Pra këta janë faktorët apo aktorët përgjegjës për situatën pjesërisht të lirë të medias në Shqipëri?
Këto janë elementët e përgjithshëm. Pra po përpiqem të nënvizoj që nuk është qeveria fajtore për çdo situatë jo të lirë që media po kalon në vendin tuaj. Aktorët përgjegjës janë të shumtë. Aktorët që ne shikojmë janë tre kategori:
Kategoria e parë është Mjedisi ligjor për shtypin e median. Sa i rregullt është ligji, a ka një bord rregullues për lirinë e medias në Shqipëri, që duket qartë se edhe pse institucionet ekzistojnë, pra infrastruktura në këtë drejtim është e ngritur, sërish mungon zbatimi në praktikë.
 
Kategoria e dytë është elementi politik. Pra shohim nëse janë mediat dhe gazetarët nën presionin politik. Këtë e analizojmë nga konteksti që gazetarët prodhojnë. Shohim nëse ka polarizim të medias. Pra nëse janë qytetarët të informuar në mënyrë korrekte, apo marrin informacionin thjesht për njërën palë të përfshirë në një çështje të caktuar. Shohim nëse janë të kërcënuar apo të sulmuar gazetarët teksa mbulojnë lajme dhe raportime të caktuara.
 
Kategoria e tretë që ne analizojmë është elementi ekonomik. Pra nëse lidershipi i medias është i përqendruar me disa pronarë, apo nëse qeveria përdor tërheqjen apo presionin ekonomik si formë të mbrojtjes së saj nga media e lirë dhe e pavarur. Analizojmë rastet kur gazetarët bëhen pjesë e lojërave financiare që në prapaskenë sjellin dëmtimin e lirisë së medias. Dhe në Shqipëri ka raste të tillë, pra të përdorimit të gazetareve nëpërmjet joshjes financiare apo e kundërta kur financat përdoren si formë presioni.
 
Por nëse bëjmë një krahasim të tillë, para 1 viti ne kishim një tjetër qeveri dhe tani kemi një tjetër po ashtu atëherë si ka ndodhur që kemi rënë me dy pikë në raportin tuaj vjetor.
Shqipëria nuk ka ndryshuar dhe aq në këtë drejtim. Pra vazhdoni të keni një media pjesërisht të pjesshëm, dhe vazhdoni të jeni në vendin e 49 në këtë kontekst. Që do të thotë se problemi nuk është vetëm qeveria..
 
Por nëse shohim trendin znj.Dunham, sipas të dhënave tuaja, cilat janë shanset e Shqipërisë për të patur një Media të lirë në të ardhmen dhe për ti rritur pikët në raportin tuaj?
Po patjetër, në shohim që trendi është pozitiv. Keni mjaft mundësi për të patur media të lirë dhe që gazetarët të kenë akses të plotë edhe në informacionet shtetërore. Ne shohim po ashtu që edhe media sociale dhe blogjet janë në rritje në Shqipëri, kjo është një shenjë pozitive dhe i jep një shans të madh vendit tuaj për të rritur ndjeshmërinë ndaj informacionit dhe për t’i bërë pushtetarët tuaj të reflektojnë.

Ju falënderoj shumë për këtë intervistë znj.Dunham dhe për të gjitha informacionet që na i përcollët në këtë ditë botërore të lirisë së medias
Jeni të mirëpritur

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Tenis/ Numri 2 i botës pozitive me doping, pezullohet me një muaj

Tenis/ Numri 2 i botës pozitive me doping, pezullohet me një muaj