Thirrje për pjesmarre në votime ka bërë edhe nënkryetarja e FRESSH, Maria Myridinasi. Në një deklaratë për mediat ajo u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve, veçanërishttë rinjve që të shkojnë të votojnë.

Sipas Myridinasit këto janë zgjedhjet e të rinjve si kurrë më parë, pasi vendoset jo vetëm për komunitetin në të cilin jetojmë, por edhe për çështjet që prekin drejtpërdrejtë çdo të ri.

“Dua t’ju bëj një thirrje të gjithë bashkëmoshatarëve të mi, të gjithë të rinjve e të rejave, në Tiranë, Durrës, Korçë, Elbasan, Vlorë, Shkodër, Lezhë, Fier, Lushnje e kudo në 61 bashkitë anembanë Shqipërisë që të dalin të votojnë. Dita është akoma mjaftueshëm e gjatë që secili prej jush, të marrë me vete një shok a një shoqe, të kapë përdore një të afërm a një mik e t’i drejtohet qendrës së votimit. Këto janë zgjedhjet tona si kurrë më parë. Sot vendoset jo vetëm për komunitetet ku ne jetojmë, jo vetëm për familjet e prindërit tanë, por edhe për çështjet që prekin drejtpërdrejtë çdo të ri. Vota juaj sot është një votë që do të vendosë se çfarë mundësish do të ofrojnë nesër për të rinjtë bashkitë e reja. Vota juaj sot është një votë për gjithë ata të rinj që kandidojnë për bashkitë e reja e për këshillat bashkiake e që nesër do të jenë përfaqësuesit tuaj.
Njerëzit që do të luftojnë për interesat e rinisë, për të vendosur sa kënde sportive, sa qendra rinore, sa mbështetje për sipërmarrjen rinore e për projektet e të rinjve do të ketë nesër. Prandaj votoni, votoni, votoni miqtë e mi. Mos e humbisni këtë rast. Ne jemi shumë dhe sa më shumë prej nesh të votojnë aq më e fortë do të jetë kauza jonë”
, - tha Myridinasi.

Redaksia Online
(o.b/ Shqiptarja.com
)