Frika nga dosjet, PD del kundër
Byrosë së Hetimit sipas SHBA-BE 

Frika nga dosjet, PD del kundër<br />Byrosë së Hetimit sipas SHBA-BE 
Partia Demokratike konteston disa pika kyçe të ligjit themelor për zbatimin e Reformës në Drejtësi, siç është ligji për ngritjen e institucioneve që do të luftojë krimin dhe korrupsionin elitar, i quajtur ndryshe SPAK. Ashtu siç operoi me ligjin e Vetingut, opozita ka shpallur 21 amendamente për ligjin e SPAK, dukë hyrë në një kurs të ri përplasjeje me misionet e SHBA-BE në Tiranë, të cilët kanë hartuar dhe rishikuar nismën ligjore. Amendamentet kryesore të Partisë Demokratike fokusohen tek Byroja Kombëtare e Hetimit, struktura që, në bashkëpunim me ekspertët e FBI, do të hetojë krimin dhe korrupsionin në nivele të larta. Opozita e konsideron të papranueshme Byronë e Hetimit sipas parashikimeve të ligjit të ndërkombëtarëve.

Kontestimet
Kontestimet e ekspertëve të opozitës nisin që nga emri i “BKH”, që sipas PD duhet të quhet “Njësia e Posaçme Hetimore”. Por, neni 4 i ligjit sipas variantit të misioneve të SHBA-BE, parashikon që, Njësia e Pavarur Hetimore do të quhet “Byroja Kombëtare e Hetimit”. Po ashtu, në dokumentin e saj, opozita kërkon sfumimin e rolit dhe uljen e forcës hetimore të Byrosë së Hetimit, strukturë e cila duket se ka trembur një pjesë të politikës shqiptare. Konkretisht, PD shprehet kundër përbërjes së Byrosë së Hetimit nga shërbime të Policisë Gjyqësore. Tek ky parashikim, opozita sheh rrezikun e kapjes së Byrosë nga qeveria dhe përdorimit të saj kundër kundërshtarëve politikë. “Për më tepër, përfshirja në përbërje të Njësisë së Posaçme Hetimore edhe të shërbimeve të Policisë Gjyqësore krijon kanal të gjerë ndërhyrës të qeverisë në NJPH sepse shërbimet e policisë gjyqësore nuk janë gjë tjetër, përvese pjesë e Policisë së Shtetit, pjesë e pushtetit ekzekutiv”, thuhet në opinionin e PD. Ndërsa drafti i EURALIUS dhe OPDAT parashikon që Byroja ka në përbërje të saj Shërbimet e Policisë Gjyqësore, ku të dy strukturat veprojnë vetëm nën drejtimin e prokurorëve specialë të Prokurorisë së Posaçme.

Garancia
Në amendamentin e dytë, PD kërkon garanci që Byroja e Hetimit përdorë vetëm mjetet e ligjshme për kërkimin e provave për të vërtetuar kryerjen ose jo të veprave penale në kompetencë të saj, pasojat e tyre, fajësinë apo pafajësinë e të pandehurit. Ndërkaq, opozita propozon që Prokuroria e Përgjithshme të mbikëqyrur llogaritë financiare dhe komunikimet gjyqtarëve ose nëpunësve civilë gjyqësorë në gjykatat e posaçme, të prokurorëve, oficerëve të hetimit, apo personelit administrativ, të Prokurorisë së Posaçme ose Njësisë së Posaçme Hetimore, si dhe të anëtarëve të afërt të familjes së tyre.

Përjashtimi i institucioneve
Partia Demokratike kundërshton rolin e Drejtorisë së Përgjithshme për Parandalimin e Pastrimit të Parave, Drejtorisë së Sigurisë së Informacionit të Klasifikuar dhe Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, në emërimin në kontrollin e pasurive, kontrollin e figurës dhe llogarive financiare të prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme, hetuesve të Byrosë dhe anëtarëve të Gjykatave Speciale. “Në këtë pikë, dëshirojmë të theksojmë se ILDKPKI, nuk është strukturë që gëzon besueshmëri për paanësi politike, për shkak se ka qenë përzgjedhje individuale e kryeministrit aktual dhe mazhorancës aktuale. DSIK mund të fabrikojë dëshmitarë apo të dhëna për gjyqtarë/prokurorë/hetues të caktuar, dhe të fsheh të dhëna për të tjerë, sipas porosisë dhe vullnetit të kryeministrit”, pretendon PD. Ndërkaq, drafti i EURALIUS dhe OPDAT parashikon që ILDKP dhe DSIK japin një opinionin apo përgatisin një raport për çdo kandidatit që shpreh interesin për t’u bërë pjesë e institucioneve të reja të drejtësisë. Po ashtu, drafti parashikon që Pastrimi i Parave cakton një punonjës të saj për të mbikëqyrur llogaritë financiare të njerëzve të drejtësisë së re.
 
Përplasja
Ashtu siç operoi me ligjin e Vetingut, opozita ka shpallur 21 amendamente për ligjin e SPAK, dukë hyrë në një kurs të ri përplasjeje me misionet e SHBA-BE në Tiranë, të cilët kanë hartuar nismën ligjore.
 
Emri
Kontestimet e PD nisin që nga emri i “BKH”, që sipas PD duhet të quhet “Njësia e Posaçme Hetimore”. Por, neni 4 i ligjit sipas variantit të misioneve të SHBA-BE, parashikon që, Njësia e Pavarur Hetimore do të quhet “Byroja Kombëtare e Hetimit”.

Disa nga amendamentet e Partisë Demokratike për ligjin e SPAK
 

Amendament 2
Njësia e Posaçme Hetimore
1. Njësia e Posaçme Hetimore është një strukturë e pavarur dhe e specializuar hetimi, që ushtron atributet e Policisë Gjyqësore. Ajo ka për detyrë të marrë dijeni, pengojë ardhjen e pasojave të mëtejshme, kërkojë, kryejë hetime dhe grumbullojë gjithçka që i shërben zbatimit të ligjit penal për veprat penale apo subjektet që janë në kompetencë të Prokurorisë së Posaçme, sipas nenit 148/dh të Kushtetutës.
 
2. Njësia e Posaçme Hetimore është në varësi të Prokurorisë së Posaçme dhe nën mbikëqyrjen dhe drejtimin e saj përdor të gjitha mjetet e ligjshme të kërkimit të provave për të vërtetuar kryerjen ose jo të veprave penale në kompetencë të saj, pasojat e tyre, fajësinë apo pafajësinë e të pandehurit, shkallën e përgjegjësisë së tij, si dhe ushtron çdo detyrë tjetër të ngarkuar nga Prokuroria e Posaçme.
 
3. Veprimtaria procedurale penale e Njësisë së Posaçme Hetimore në një çështje konkrete, drejtohet dhe kontrollohet nga prokurori i posaçëm që ushtron ndjekjen penale për atë çështje. Ajo është e detyruar që të kryejë çdo veprim hetimor që i urdhërohet ose i delegohet prej prokurorit.
 
 
Amendament 5
Paragrafi 2 i nenit 12, të riformulohet si më poshtë vijon: 2. Këshilli i Lartë i Prokurorisë, përpara emërimit, shqyrton dhe vlerëson opinionin e Komisionit Ad Hoc të verifikimit të kandidatëve. Kandidati që ka marrë një vlerësim negativ, të bazuar në ligj dhe në prova, nga Komisioni Ad Hoc, nuk mund të emërohet prokuror në Prokurorinë e Posaçme.
 
Amendament 6
Paragrafi 3, i nenit 13, riformulohet si më poshtë vijon: “3. Ndërhyrja, nëpërmjet ushtrimit të ndikimit të paligjshëm, në veprimtarinë e Prokurorisë së Posaçme apo të prokurorëve të posaçëm, ose bërja e komenteve fyese, kanosja apo ushtrimi i presionit, zyrtarisht apo në publik, e kryer nga një funksionar politik apo duke përdorur funksionin zyrtar, është e ndaluar dhe passjell përgjegjësi sipas ligjit.
 
 
Amendament 7
Në paragrafin 2 të nenit 16, bëhen këto ndryshime:
a) Në shkronjën “b”, shprehja “njësinë hetimore në Policinë e Shtetit”, shfuqizohet.
b) Në shkronjën “ç”, shprehja “shërbimet e oficerëve të policisë gjyqësore”, shfuqizohet.
 
Amendament: 8
Në nenin 31, bëhen këto ndryshime: a) Paragrafi 4, riformulohet si më poshtë vijon:
“4. Policia e Shtetit apo do agjent ose oficer tjetër i Policisë Gjyqësore, është i detyruar
të ekzekutojë urdhrat e lëshuara në përputhje me Kodin e Procedurës Penale, nga një
prokuror i posaçëm apo gjykata e posaçme, në rastet kur urdhri ngarkon ato me
ekzekutimin. Ato janë të detyruar të përmbushin edhe çdo detyrë apo kërkesë tjetër të ligjshme, të dhënë nga një prokuror i posaçëm ose nga Drejtuesi i Prokurorisë së
Posaçme. b) Paragrafi 5, shfuqizohet.
 
 
Amendament 9
 
“Neni 32. Detyrimet e Drejtorisë së Përgjithshme për Parandalimin e Pastrimit të Parave
1. Nëse ekziston dyshimi për pastrimin e produkteve të veprave penale të parashikuara në paragrafin 2 të nenit 135 të Kushtetutës, apo nga subjektet e parashikuara në atë nen, Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave, njofton menjëherë Prokurorinë e Posaçme, si dhe përmbush të gjitha detyrat e saj të parashikuara në nenin 22 të ligjit nr. 9917, datë 19.05.2008 “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizimit”, i ndryshuar.
 
 
Amendament 11
 
“Neni 36
Kriteret e emërimit të Drejtorit të Njësisë së Posaçme Hetimore
 
f) Të mos ketë qenë dhe të mos jetë bashkëpunëtor, informator ose agjent i ndonjë shërbimi sekret.
 
g) Në periudhën 29.11.1944 - 02.07.1991 të mos ketë qenë anëtar ose kandidat i Byrosë Politike, anëtar i Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë, anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor, kryetar i Gjykatës së Lartë, Prokuror i Përgjithshëm, kryetar i Hetuesisë së Përgjithshme, anëtar i Këshillit të Ministrave, kryetar i Degëve të Punëve të Brendshme, punonjës i organeve të ish-Sigurimit të Shtetit, bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit apo i favorizuar, anëtar i Komisionit Qendror të Dëbim-Internimeve, hetues, prokuror, gjyqtar në procese politike, denoncues apo dëshmitar i akuzës në proceset politike të posaçme.
 
Amendament 16
Në nenin 50, bëhen këto ndryshime: Gjyqtarët ose nëpunësit civilë gjyqësorë në gjykatat e posaçme, dhe prokurorët, oficerët e hetimit, apo personeli administrativ, i Prokurorisë së Posaçme ose Njësisë së Posaçme Hetimore, plotësojnë dhe nënshkruajnë deklaratën mbi llogaritë e tyre financiare, si dhe ato të anëtarëve të afërt të familjes, sipas Aneksit C, bashkëlidhur këtij ligji. Deklarata dorëzohet tek drejtuesi i institucionit përkatës, i cili ia përcjell menjëherë Prokurorit të Përgjithshëm. Telekomunikimet dhe llogaritë financiare të këtyre funksionarëve i nënshtrohen kontrollit periodik nga një prokuror i Prokurorisë së Përgjithshme, i caktuar me short çdo 6 muaj. Të gjitha llogaritë e reja financiare deklarohen brenda 3 ditëve.
 
Amendament 18
1. Prokurori i Përgjithshëm, organizon çdo 6 muaj, shortin për zgjedhjen e një prokurori të Prokurorisë së Përgjithshme, për të mbikëqyrur llogaritë financiare të gjyqtarëve ose nëpunësve civilë gjyqësorë në gjykatat e posaçme, të prokurorëve, oficerëve të hetimit, apo personelit administrativ, të Prokurorisë së Posaçme ose Njësisë së Posaçme Hetimore, si dhe të anëtarëve të afërt të familjes së tyre.
 
Amendament 21
Në nenin 60, pas paragrafit 9, shtohet paragrafi 10, me këtë përmbajtje: “10. Deri në fillimin e funksionimit të Prokurorisë së Posaçme, kompetenca e saj për të ushtruar ndjekjen penale dhe përfaqësimin e akuzës në gjyq, për veprat penale apo subjektet e përcaktuara në paragrafin 2 të nenit 135 të Kushtetutës, ushtrohet përkatësisht nga Prokuroria e Përgjithshme, prokuroritë e rretheve gjyqësore, apo Prokuroria e Krimeve të Rënda. 

 
Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Djegin karriget dhe sende drejt Spiropalit, si e vlerësoni aksionin e PD?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Partitë e reja dështojnë sepse, populli voton por Rama-Berisha numëron

Spahiu: Partitë e reja dështojnë sepse, populli voton por Rama-Berisha numëron