Dy ditë para finales së madhe të kampionatit Europian në kampin e Italisë ka frikë për shkak të koronavirusit. Tre gazetarë, të cilët kanë qenë pothuajse gjatë gjithë kohës me ekipin kombëtar, janë testuar pozitiv me COVID-19. Dy prej tyre gjithsesi kanë mbetur në Londër pas gjysmëfinales që Italia luajti me Spanjën, ndërsa një tjetër ishte në qendrën stërvitore të Italisë në Konverçiano.
Lajmi i mirë është se për momentin asnjë futbollist nuk është i prekur dhe diçka e tillë ka pak gjasa të ndodhë. Kjo pasi kombëtarja është e vaksinuar me të dyja dozat.
Ndërkohë nga Anglia raportohet se kryeministri Boris Jonhson nuk do të lejojë që stadium Ëembley të mbushet në kapacitetin maksimal për finale. Kjo hipotezë qarkulloi një ditë më parë, ndërsa tani është hedhur poshtë për shkak se Anglia po njeh një rritje të rasteve me COVID.
Gjithsesi tifozët pak po mendojnë për koronavirusin. Deri më tani 300 mijë të tillë kanë nënshkruar një peticion që dita e hënë të bëhet pushim kombëtar në rast se Anglia fiton kampionatin europian. Tifozët duan të festojnë trofeun dhe tashmë peteicioni do kalojë në parlament për t’u votuar.
Shanset janë që tifozët ta fitojnë këtë të drejtë, por jo të hënën e 12 korrikut. Festa mund të zhvendoset pas 19 korrikut kur edhe Anglia të rihapet plotësisht, por edhe për këtë ka pikëpyetje. Në pritje të qeverisë shumica e bizneseve në Angli kanë marrë masa. Ata iu kanë dhënë leje puntorëve të tyre që ditën e hënë të paraqiten tre orë me vonesë, duke supozuar se festimet për trofeun do të zgjasin deri vonë të dielën.