ITALI- Një shqiptar dhe e dashura e tij janë arrestuar në Itali gjatë një operacioni antidrogë, i cili mund të ndihmojë edhe në zbardhjen e vrasjes së 35-vjeçarit Ferdinant Hoti më 9 shtator. Eris Makaj dhe Noemi Karibba kanë përfunduar në burg pasi karabinierët gjetën në banesën e gruas hashash, kokainë dhe para. Ata janë arrestuar për çështjen e drogës, jo për vrasjen e Hotit. Hetuesit po verifikojnë nëse mes këtyre ngjarjeve ka ndonjë lidhje.
Sipas mediave italiane, karabinierët e kishin prej kohësh nën vëzhgim Eris Makajn, banues në Spinea, pranë Venecias. Kontrolli i parë në banesën e tij nuk dha rezultate, por hetuesit dyshonin se ai shpërndante drogë duke lëvizur me monopatinë elektrike dhe duke u ndalur pranë makinave të klientëve.
Kontrolli i radhës u krye në banesën e të dashurës së tij, Noemi Karibba, në Mirano. Me ndihmën e qenve antidrogë, karabinierët gjetën 800 gramë hashash, rreth 200 gramë kokainë dhe 2 mijë euro para të gatshme. Të dy u arrestuan dhe ndodhen në burg në Padova, me vendim të gjykatës.
Çfarë lidhjeje mund të ketë operacioni me vrasjen e Hotit?
Hetuesit po shqyrtojnë një lidhje të mundshme mes Eris Makajt dhe një tjetër shqiptari, Luigi Makaj, 44 vjeç. Ky i fundit u arrestua në korrik, së bashku me 39-vjeçarin Amiol Gjoka, për tentativë vrasjeje dhe armëmbajtje pa leje, pas të shtënave ndaj një 25-vjeçari në Mirano.
Sipas dyshimeve të hetuesve, 25-vjeçari mund të ketë qenë i përfshirë në një rrjet shpërndarjeje droge dhe po përpiqej të shkëputej prej tij. Po verifikohet nëse Eris dhe Luigi Makaj kanë lidhje familjare, si dhe nëse kjo ngjarje mund të ketë lidhje me ekzekutimin e Ferdinant Hotit. Asnjëra prej këtyre lidhjeve nuk është konfirmuar deri tani.
Ferdinant Hoti, me origjinë nga Kurbini dhe banues në Mirano, u gjet i pajetë më 8 shtator brenda një makine “Fiat Bravo”, të zhytur në lumin Tergola, në provincën e Padovës. Trupi i tij ishte futur në një qese të zezë, me duart e lidhura, ndërsa mbi të ishin vendosur goma. Makina ishte pa targa.
Nga autopsia rezultoi se 35-vjeçari ishte qëlluar nga afër dhe kishte vdekur përpara se trupi të hidhej në lumë. Hetuesit dyshojnë se vrasja është kryer në një vend tjetër dhe se autorët e kanë transportuar trupin me makinë për të fshehur gjurmët e krimit.
Pista e drogës dhe lidhja e mundshme me të shtënat e korrikut në Mirano mbeten ende pistat të cilat po heton policia.











Komente
Komento