Frrok Çupi: Berisha është fajtor për vrasjen e rreth 3 mijë personave, ka djegur njerëz të gjallë dhe ka eliminuar kundërshtarë politikë

Frrok Çupi: Berisha është fajtor për vrasjen e rreth 3 mijë personave, ka djegur njerëz të gjallë dhe ka eliminuar kundërshtarë politikë

Sali Berisha

Analisti i njohur, Frrok Çupi ka komentuar situatën politike në vend, ndërsa ka shpërthyer në akuza të forta në adresë të ish-kryeministrit Sali Berisha dhe ish-presidentit Ilir Meta-Metaj, të cilët i bën përgjegjës për shumë afera korruptive dhe kriminale, që kanë ndodhur në këto 30 e kusur vite demokraci në Shqipëri. Gjatë një interviste për gazetën “SOT”, zoti Çupi shprehet se Berisha është fajtor për vrasjen e rreth 3 mijë vetëve, ndërsa thekson se bashkë me Metën janë bashkëpunëtorë  për grabitjen e floririt të Krrabës.

Po ashtu, ai zbardh skandalet e rënda, kur nënvizon se Sali Berisha ka djegur njerëz të gjallë dhe ka eliminuar kundërshtarë politikë. Madje, analisti dhe publicisti Çupi paralajmëron ekstradimin e Sali Berishës, ndërkohë që bën me dije se kreu i “Foltores”, do të hetohet për krimet ndërkombëtare dhe sipas tij, e gjithë familja e tij do të përfundojë pas hekurave.

-Zoti Çupi, Sali Berisha është thirrur ne SPAK bashkë me dhëndrin dhe kupolën e tij të mbrojtjes për aferën e ish-Klubit Partizani. Mendoni se do ketë arrestime? Apo sërish Berishës nuk do i hyjë "gjemb" në këmbë si gjithmonë?

Para se të përgjigjem  direkt, e shikoni një gjë? E shikoni që burgosja e Berishës, lideri i fundit armiqësor me popullin e tij, kryhet në kushte krejt të tjera nga burgoja e përbindëshave të tjerë të sapo kaluar, si e Millosheviçit, e Mlladiçit, e Sadamit..? Izolimi i atyre u krye në kushte të nxehta lufte, duke i kërkuar nëpër vrimat e tokës dhe nëpër male ku fshiheshin të maskuar. Ndërsa Berisha ndodhet përditë mes militantëve të tij, pa mjekër, pa fustan, i lejuar që të  paguajë para dhe të mbledhë militarë kundër Amerikës ose kundër stabilitetit në vend.

Është një moment shumë i rëndësishëm ky. Tanimë armiqtë e popullit janë ‘ të parrezikshëm’, sepse ndodhen të  çmontuar. Edhe publiku nuk ka pse paguan për tension, as për gjueti ndaj tyre. Një ditë vjen kur kjo ndodh dhe kaq. Burgosja e Berishës tanimë ka dy ngarkesa. Njëra është emocionale dhe tjetra ligjore. Ngarkesa ligjore: Burgosja e Berishës hap siparin e një epoke të re demokracie në vend. Që atë ditë nis Era e ndëshkueshmërisë për cilindo që kryen krime. Nëse nuk do të ndodhte, atëherë vendi nuk do të kishte kurrë drejtësi. Nuk do të ishte e drejtë që shteti të arrestonte për 5 mijë lekë një mjek në Spitalin Ushtarak duke infiltruar policë me kapuçone të zinj, e të mos burgosë të korruptuarin planetar, shkatërrimtarin e vendit, njeriun e vrasjeve më të mëdha, Sali Berisha.

-Cila është ngarkesa emocionale...

Kjo që populli do ta shikojë Berishën të paguajë për korrupsionin dhe krimet e tij. Që nga dita kur Berisha u shpall ‘non grata’ nga SHBA, sidomos që atë ditë, njeriu këtu ngrihet në mëngjes e hap shpejt televizorin: ‘ Hë, mo e kapën atë?”; deri ditën kur do ta kapin. Burgosja e Berishës është gjëja më e thjeshtë, sidomos për Berishën. Ja e lidhën një ditë në të dy duart dhe shkoi atje. Atëherë nisin gjyqet... Një vit, dy, pesë, dhjetë... Se për të gjykuar gjithë krimet e Berishës duhen më shumë vite se sa ka kaluar ai në këtë jetë. Një ditë do të zhvlerësohet ‘ gjyqi i Berishës’ dhe brezi që po vjen do të mahnitet kur paska jetuar ky ‘ tmerr’..., dhe kaq.

-Po për cilat krime do të gjykohet...

Për rrënimin e demokracisë dhe të besimit në zgjedhje që në vitin 1996? Apo për mbajtjen gjallë të makinës ushtarake të Millosheviçit nga viti 92 deri 96? Apo për shkatërrimin e 500 veprave industriale e bujqësore që trashëgoi vendi derisa u shfaq Berisha? Apo pse ngriti militantët e Veriut në luftë të armatosur kundër Jugut në mars 1997, me qëllim për të mbrojtur pushtetin e tij? Apo pse në luftën e ngrefur nga Berisha humbën jetën rreth 3 mijë vetë? Apo për grushtin e shtetit 1998? Apo për eliminimin e kundërshtarëve politik? Apo pse dogji njerëz të gjallë në Gërdec për pasurimin e djalit që martoi dje? Apo për vrasjen e katër protestuesve kundër korrupsionit? Apo për pasurimin e tij e të familjes dhe për minimin e shtetit të demokracisë. Edhe sikur të gjykohet për këtë ‘lëndinë’ makabriteti krimesh, prapë as gjysma nuk janë...

... Ja që një ditë do të merrej vendimi gjyqësor për dënimin e Berishës! Sa vjet burg? 10? Jo. 100? Jo. 1000 vjet burg. Ndoshta, dymijë, kaq mund të bëhen. Po vallë do të bëhet Berisha një lugat i botës, ku njerëzimi do të presë derisa të humbë emri i tij i keq? Kështu që burgu për atë është gjëja më e thjeshtë. Ai e di këtë dhe prandaj ‘sfidon’ e prish qetësinë njerëzore. ‘ Hë!, thotë-  a do të më burgosni 2000 vjet?” Vlera do të ishte që menjëherë (por ama, menjëherë), Berishës t’i humbë emri, të mos i përmendet kurrë dhe për këtë të bëhet një ligj i rreptë. Vlera do të ishte që të ndërtohet sistemi i tillë që të mos lejojë kurrë më ndonjë ‘Berishë’ në këtë vend. Sepse Berishën e krijoji dhe e mbajti sistemi. Këtu ndalon ora e keqe e kombit.

-Arben Kraja se fundmi ka deklaruar se për Sali Berisha po hetohet edhe për Gërdecin, besoni se ka prova SPAK?

Le të bëjmë një marrëveshje fjale rreth krimit të Gërdecit (bie fjala) dhe provës... Mund të ndodhë që ‘prova’ nuk e ngop barkun e krimit, domethënë prova është mijëra herë më e vogël se krimi i kryer, si në rastin konkret. Atëherë gjykata, dërgon në burg Saliun bashkë me Shkëlzenin, por kjo nuk do të thotë se vendimi e ngopi të drejtën e viktimave për jetën. Krimi i Berishës mbetet mijëra herë më i madh se sa dënimi që  do të marrë ai dhe familja e tij. Drejtuesi i SPAK, Kraja, është prokurori që tashmë ka në dorë dosje dhe prova të mëdha. Është edhe prokurori i sapo ardhur nga Uashingtoni. Por Kraja do të jetë vetëm prokurori i hetimit të krimeve të kryera në vend. Berisha do të hetohet për krimet ndërkombëtare, sidomos për sulmet mbi rezolutat e OKB, për nxitjen e luftës dhe viktimat në Kosovë e Bosnjë, për goditjen mbi sigurinë e shtetit amerikan, etj. Atje nuk e dimë cili do të jetë prokurori.

-Ndërkohë ambasadorja e BE në Tirane, ka kërkuar më shumë lufte ndaj korrupsionit dhe pastrimit të parave, fenomene këto që shqetësojnë tej mase Brukselin. Keni një koment dhe a ka politikanë shqiptarë që kanë pastruar apo pastrojnë para jashtë Shqipërisë?

E mbani mend ditën kur ambasadore e BE në Tiranë, zonja Christane Hohmann, tha se BE kërkon që në Shqipëri të luftohet krimi i pastrimit të parave?... Ka qenë dita pasi SPAK shpalli listën e personave që do të thërriten kësaj jave për dëshmi rreth krimit të privatizimit të klubit sportiv “Partizani”. Klubi u rrëmbye nga dhëndri i Berishës. Dhëndri ndërtoi 19 kulla, me 20 mijë euro... Fitoi 200 milionë... Nga erdhën dhe ku shkojnë paratë e ‘ lara’  në lavatriçen e Berishës?  Kjo ishte dita e deklaratës së ambasadores së BE. Dhe kjo është java e thërritje së familjes Berisha para prokurorit.

Nëse BE nuk do të ishte i shqetësuar për këtë, atëherë për çfarë tjetër? Me pastrimin e parave politikanët si në rastin tonë, marrin në dorë shtetin, pastaj marrin në dorë luftën, pastaj vrasin me mijëra dhe nxjerrin njerëz në rrugë për të krijuar ‘ terrorizmin popullor permanent’. Pastaj gërryejnë BE, Europë dhe qytetërimin perëndimor. Këtu ndalojnë gjërat.

 -SPAK ka regjistruar një tjetër padi ndaj Ilir Metaj, lëvizje kjo qe ka ardhur pas kallëzimit që avokati Idajet Beqiri ka bërë sa i takon trajtimeve estetike të çiftit Meta-Kryemadhi. Mendoni se Prokuroria Speciale do i shkojë deri ne fund kësaj çështjeje dhe a rrezikon Meta të arrestohet?

Tanimë kanë hyrë në veprim dy ‘Drejtësi’. E para është drejtësia mbi prova të njohura dhe që kanë krijuar vragë në trupin e shoqërisë. Kjo drejtësi mban mend dhe nuk harron kurrë se si LSI operoi si një grupim i dhunshëm vjedhësish, si specie e keqe njerëzore, si banditë. LSI është një bandë familjare e Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit. Këta të dy t’ i marrësh, t’ i çosh në fabrikat e floririt e t’i nxjerrësh të larë, kurrë më nuk u afrohet njeri e as i beson njeri. Floriri i tyre lahet vetëm duke u zhdukur nga syri i njerëzve. Kjo është drejtësia e drejtë. Drejtësia tjetër është ajo që jep gjykata, e cila është njëmijë herë më minore se drejtësia që dhëmb në trupin e shoqërisë. Por këta, po të dënohen për ‘estetikë’, u bën nder. Kjo është gjëja e fundit. Para se të dënohen për ‘ zbukurimin e fytyrës’  së tyre, duhet të dënohen pse ia shëmtuan fytyrën jetës së njeriut këtu.

-Gjithashtu avokat Idajet Beqiri e ka kallëzuar penalisht Ilir Metajn edhe për grabitjen e floririt te Krrabës, te cilin e akuzon se e ka vjedhur bashke me Sali Berishën ne dy momente ne vitet 1997-1999. Çfarë dini ju për këtë megagrabitje?

Çfarë di unë ndryshe nga gjithë dynjaja për floririn?! Di një gjë:  Që me floririn e Thesarit të një shteti nuk bëhen lojëra, aq sa nuk lejohen lojëra me shpirtin e kombit. Kombi që i lejon këto, ky është i destinuar për keq. Që nga dita kur Berisha dhe Meta u kapën në vjedhjen e floririt, kanë kaluar disa votime dhe disa  mazhoranca..., asnjëra nuk ka kthyer floririn në Thesar. As kanë folur për Thesarin.  Di një gjë, si dëshmitar:  Kur Uzina e Bakrit në Rubik prodhonte dy lingota flori, rreth 10 kilogramë, bëhej gati transporti i tyre drejt Tiranës. Sigurohej gjithçka. Ajo ishte ditë e shënuar për kombin. Tani, këta që i vodhën, po mallkohen edhe nga shpirtrat e atyre qindra minatorëve që e nxorën floririn nga thellësitë e tokës në mijëra metra. Di edhe një gjë tjetër: Berisha dhe Meta janë bashkëpunëtorë ‘ për floririn’. Atë ditë kur e vodhën, atë ditë u saldua krimi i tyre i përbashkët, që rron edhe sot e kësaj dite. Nuk keni dëgjuar të pyesin njerëzit se ‘çfarë i bashkon’? Ja, kjo është një gjë. Në sy të një populli viktimë, këta bëjnë sfida.

-Meqë erdhëm te pika e bashkëpunimit të tyre të gjatë, çfarë po tentojnë në këto situata Berisha dhe Meta?

Jemi në luftë, dhe bota është në luftë. Si do të dalim prej kësaj lufte? A do të sulmohemi me armë nga Rusia? Si do të dalim nga ky dimër që po hyn? Kjo është puna jonë si komb, si politikë, si mazhorancë dhe si individë. Fatmirësisht kemi në krah Amerikën. Por ne çfarë jemi? Në këtë mes Berisha ka futur ‘ thikën’ e vet dhe gërryen nervin e shtetit e të aleatëve.  Po ngrenë platformën për të gjunjëzuar shtetin dhe kombin. E vini re cilët janë elementët e Platformës?

Opozitën thonë se e kanë të tyren, dhe kjo është shumë e rëndësishme në kolonën e shtetit. Pasurinë publike e kanë mbledhur prej 30 vjetësh dhe e përdorin për të ndezur konfliktet- element i dytë i Platformës.  Amerikën e kanë ‘përjashtuar’ si zgjidhje. E vini re çfarë tha Berisha për takimin e zonjës Kim me Metën. Sipas tij ajo ishte ‘një ambasadore’, ndërsa Meta është një ‘partner’. Edhe Meta tha se ‘ mes Amerikës dhe Berishës nuk ka diskutim, dmth ky është me Berishën edhe kundër Amerikës. Duke sulmuar Amerikën këta kanë ngritur një grupim antiamerikan me të cilin sfidojnë çdo lloj autoriteti dhe ligji. Në pilaret e platformës së tyre antiamerikane kanë krijuar edhe mediat e tyre, që deklarojnë se ‘ në Shqipëri po ndërtohet sistemi kriminalo narkotik me mbështetjen e Amerikës’.  Këta duan t’ i dëshmojnë botës se Shqipëria ka vetëm një problem: Berishën dhe non gratën e tij... Ditën kur të hyjë dimri i egër, njerëzit do t’i falen mumjes së Berishës (!)

-Si i komentoni thirrjet për revolta dhe masive dhe madje grevë të përgjithshme të dyshes Meta-Berisha?

Një arkaizëm i të dyve për të krijuar trazira dhe cenuar stabilitetin... Kjo është. Por nuk janë aq budallenj sa ta bëjnë, thjesht mashtrojnë budallenjtë e tyre.

-Ambasadorja e SHBA ne Tirane, Yuri Kim dhe ish-presidenti Ilir Metaj duket se kane bere "paqe", për shkak se kanë hedhur pas krahëve akuzat e artikuluara mes tyre para zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit të vitit 2021. Si ju duket kjo lëvizje e amerikanëve dhe zbutje e marrëdhënieve me radikalin Metaj? A po tenton SHBA të afrojë Metën, duke e mbajtur larg nga "non grata" Sali Berisha, për shkak se ky i fundit është izoluar nga ndërkombëtarët dhe askush nuk e njeh atë...

Nuk ka paqe mes Yuri Kim dhe Ilir Metaj, në sensin politik. Ilir Meta është shpallur një armik i madh i Reformës në Drejtësi, i stabilitetit në vend, është shpallur i korruptuat kampion në kontinent, ka ngritur dorën kundër ‘amerikanëve në Tiranë’  duke i kërcënuar se ‘ i kap për veshi’, ka tentuar të blejë politikanë në SHBA për të mbuluar krimet e tij në Shqipëri... Kjo është Amerika e cenuar. E pamundur të ketë paqe me Metaj. A mund të vijë ambasadore Kim në zyrën e Metës? Po. Sipas zakonit tonë shqiptar, ne i shkojmë në vatër atij me të cilin kemi një bisedë të rëndë. Sipas diplomacisë amerikane: Amerika flet dhe dialogun më shumë me armikun se me mikun.  Doni të dini si ishte biseda e zonjës Kim me Metën? Atëherë prisni e shikoni si do të jetë sjellja e Metës ndaj revoltave, ndaj kërcënimeve, ndaj Iranit, ndaj sigurisë dhe stabilitetit në vend... Prisni e shikoni Metaj ‘një qengj’, ose...

-Pas paralajmërimeve të kreut te SPAK se po hetohen dosje “të nxehta”, mendoni se do të shkojnë pas hekurave "peshq të mëdhenj"?

SPAK mund të kishte edhe emërtimin SPKPM (Strukturë e Posaçme Kundër Peshqve të Mëdhenj). Por e ka emërtimin ‘Strukturë e Posaçme Kundër Korrupsionit). Domethënë është e njëjta gjë, por SPAK lindi pak kohë para se ambasadori Lu të fliste për ‘ peshqit e mëdhenj”. Në të gjitha vendet ku armiqtë e popujve të tyre kanë kryer krime, është ngritur ‘ Strukturë e Posaçme’, duke nisur që nga Nurembergu pas Nazizmit. Edhe SPAK, për zotin Berisha e zotin Meta është ngritur, fillimisht.

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • dori: 02/10/2022 16:07

    SALIU DO VARUR NE LITAR PER KRIMET QE KA BERE....

    Përgjigju
  • veliu: 29/09/2022 18:46

    QE ESHTE KRIMINEL+HAJDUT SALIU E DIME ,,PO PSE E VOTOJNE NUK E KUPTOJ.....

    Përgjigju
  • Abduraman Aga: 29/09/2022 17:44

    O Frok Çupi kam një pytje kur do arestohet Krimineli Sali Berisha kur të shkoi 100 vjeç ? ? ? Ai po gëzon lekët e vjedhura po ha po pi po bën karshillëk kundra Amerikës e spo i ndodh asgjë. E po të arestohet sot ai ska pagu asgjë se i ka bo gjith qefet. Po shkon 80 vjeç. Pra o Zoti Frok Çupi mos ja fut pordhës pa pushim. Po thuaj si sdoli një Shqiptar nga kta 3.000 që ju jan vrar djemt, nënat, baballarët, motrat nga krimineli Sali e ti merte hakën. Se Saliu nga kjo lloi drejtësie në Shqipri jeton 1000 vjet.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, sot ishte i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, sot ishte i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen