Desha të them se diskutimi që sapo ka lindur mes nesh mbi “yllin e kuq” është njësoj si një shishe birrë: Pa formë rezistente, me një destini vulgare e të pathënshme. Mora si objekt birrën Heineken, jo thjesht si pije që shkon kudo në botë me yllin e kuq mbi zguall, por edhe për shkak të një ngjarjeje të fundit. Në Hungarinë që mund të quhet ‘konservatore’, është bërë gati një ligj për të ndaluar hyrjen e Birrës Heineken, ose ‘ të heqë yllin’. Sikurse ndodhi në Tiranë me spektaklin e famshëm Sunny Hill të Dua Lipas, ku u sulën kundër yllit të lodhurit e verës pa birrë. Por as birrën nuk e ndaluan dot, as ligjin nuk e miratuan dot as në Hungari, as në Tiranë nuk e ndaluan Duan. Gjithë sulmi i njeriut kundër konvencioneve të veta, gjatë gjithë historisë ka shkuar huq. Me konvencionet e magjishme të Yllit të kuq dhe të Kryqit të Thyer ka luajtur dhe po luan politika që nuk ka me çfarë e ‘punon tokën’. Të paditurit i bëjnë nder birrës që mbështillet në shishe, si të ishte birra ajo që shpiku yllin.
Ylli (edhe Kryqi) lindi bashkë me njeriun:
Po të hysh të numërosh mes atyre që merren me politikë, burra me emrin ‘Ylli’ dhe gra me emrin “ Yllka” janë në numër thuajse të barabartë si në grupimin e majtë ashtu edhe në grupimin e djathtë. Nuk kam dëgjuar kurrë të ketë ndodhur që pasi Ylli kthehet nga ceremoni për formimin e partisë antikomuniste, ose pasi erdhi me zë të mekur pas protestës ‘ kundër komunistëve’[FC1] , dikush nga familja t’i ketë mbyllur derën e t’ i thotë “Shko fli me Leninin, qen bir qeni!”. Nuk mundet, ashtu si nuk mund të ndalohet birra Heineken, as uji San Pellegrino, as Milky Way… të gjithë kanë yje.
![](https://shqiptarja.com/template/img/NO_ALFA_Kuadrate%20shqiptarja.png)
Djemve dhe vajzave u thërrasin ‘o yll’, të dashurën e përkëdhelin ‘yll e bukur’; ka hotele me shtatë yje dhe aty vdesin të flenë antikomunistët; titulli ‘star’ nis në Hollivud e vjen në klasën e parë të shkollës. Gjithë sistemi i vlerës nis e mbaron me yllin. Njeriu, sapo hapi sytë si ‘sapienca’, raportin e parë me natyrën e gjeti te ylli, fëmija për herë të parë vizaton yllin, njeriu i menduar me një gur në dorë bën shenjën e yllit mbi rrasën tjetër; ylli ishte ikonë e lindjes së Krishtit. Edhe Kryqi i Thyer, që nga Babilonia e lashtë, përfaqëson simbolin e mirësisë. Më shumë se një birrë, kjo punë është një enciklopedi.
Enciklopedi e të humburve:
Këta që ulërijnë kundër Yllit, të gjithëve u ka rënë ylli. Dikur ishin atje, te pesë cepat. Komunistët antikomunistë kanë humbur ‘Kashtën e Kumtrit”, as si komunistë nuk mbahen mend për mirë, as në demokraci nuk mundën të fshihen. E vetmja mënyrë për tu shfaqur është kjo: ‘Pashë një yll, nxitoni kundër…’. Ylli ka pasur dy fatkeqësi në jetën e vet: Ditën kur e mori Lenini dhe e vuri në ballë të revolucionarëve shkatërrimtar; dhe ditën kur po e sulmojnë antikomunistët komunistë si këta tanët. Ndërsa Kryqi i Thyer kaloi vetëm një ‘gropë’, kur e përdori Nazizmi si simbol të shfarosjes. Kur u ndanë në vitin 1990, pjesa më e keqe e komunistëve u shty për në partinë ‘antikomuniste’; as Kryq, as Yll.
Enciklopedia e të njësojtëve
Ato ditë me shi e ftohtë, dhjetor 1990 kur Bujar Marikaj, një piktor spektakolar, po formulonte logon e gazetës RD, qe një moment kur shfryu i lumtur se ‘e kishte gjetur’ sensin… Mirëpo shpejt i erdhën ata të PD-së dhe i kërkuan edhe ‘ logon e PD’. Bëri si bëri Bujari dhe në një moment nxori nga dora këtë logo që ndodhet sot herë si antikomuniste e herë si antiamerikane. Ngjan më shumë me ‘Drapër e Çekan’, se sa me një krijim imazhi.
-Ka dalë si e Leninit- Bujar, i them.
-E di, e di, por ça të bësh. Këtu në sy të vjen o “Drapri’, o “Cekani”, tha ai me ironi. Por në fakt, Bujari- një piktor i etur për artin perëndimor, kishte në kujtesë më shumë grupe muzikore të famshme, si Deep Purpule. Shikojeni me kureshtje logon e PD, a nuk është e ngjashme me grupin e famshëm londinez ‘Deep…”? Mund të ishte edhe Pink Floyd, të dy në grupimin ‘rock” bëjnë pjesë… Ngjashmëri magjike. Sot e kësaj dite këtu grinden pikërisht për të ngjashmen. Të ngjashëm me bolshevikët e Leninit, të ngjashëm me vrasjet e Stalinit, të ngjashëm me helmimet e Berja dhe korrupsionin e Causheskut… Të gjithë vetëquhen “anti”, por janë si ata. Po të ishte Bujari sot, do të ngazëllehej nga fantazia e tij artistike që krijoji simbolin ku gjejnë të përngjashmen të gjithë ata që nuk kanë shpirt pozitiv, as aq sa Kryqi.
Enciklopedia e mallkimit:
Pas Yllit mund të vijë rasti të mallkohet e gjuhet me gurë ‘Drapri’ i antikomunistëve leninistë. Komunizmi më yll në Shqipëri ka vrarë rreth 6000 vetë në 40 vjet, ndërsa post- komunizmi ‘demokratik’ ka vrarë rreth 3000 në tre muaj, veç të tjerëve me dhjetëra. Motivi i këtyre tre dekadave është urejtja, përçarja dhe vulgizimi. Si lufta e klasave nën simbolin e yllit. Edhe spiunët e Sigurimit, aq sa ishin në komunizëm, aq erdhën, një për një, në demokraci. Pika e ujit është në buzë të gotës, mund të prishet ekuilibri. Mund të nisë mallkimi i ‘Draprit’ të PD dhe të shembet simboli i rremë, gjë që duket e afërt.
Ndoshta është fundi i kësaj epoke vulgare.
Komente
![](https://shqiptarja.com/template/img/antipiracynote.jpg)
![](https://www.shqiptarja.com/template/img/sh_logo1.png)