Frrok Çupi: Fati ynë i mirë që këta votojnë keq

Frrok Çupi: Fati ynë i mirë që këta votojnë keq

Sali Berisha

Titullin e kisha, pak më ndryshe: ‘që këta votojnë kundër’, por më mirë më duket se thuhet e vërteta me trajtën: ‘që votojnë keq’. Se këta sot, duke votuar në Kuvendin e Shqipërisë kundër Reformës në Drejtësi dhe pranisë së Perëndimit, kanë votuar ‘keq’, jo thjesht ‘kundër’. Deputetët e dalë nga Partia Demokratike dhe quhen ‘Foltore’ bashkë me Sali Berishën që u shpall ‘minues i demokracisë’ nga qeveria e Shteteve të Bashkuara, sot kanë vendosur të votojnë kundër amendamentit kushtetues që ‘zgjat afatin e Vettingut në Drejtësi’. Edhe deputetët e ‘nënë- bijës’ LSI, kanë vendosur po kështu; ky grupim ka në krye Ilir Metën, njeriun që ‘i kap për veshi amerikanët’ e qeverisë.

Këta sot po votojnë keq; ja ky është fati ynë i mirë.

Nuk është se vetëm unë po bëj ironi; por kjo është ironi e fatit.

Ja cila është:

Teksa këta po votojnë kundër, Shqipërisë dhe Drejtësisë nuk i bëjnë dot asgjë, aq më pak Amerikës; Kuvendi i ka aq anëtarë të parlamentit sa të kalojnë sot të miratuar ‘zgjatjen e afatit kushtetues’ të Reformës… Nëse  do të votonin ‘pro’ Reformës, përsëri po i njëjti produkt do të dilte nga seanca e Parlamentit. Puna është se në këtë rast, prapa ‘pro’ Reformës do të fshiheshin këta. Këta do të na nxirrnin sytë, si deri më sot me dy gishtat e tyre, duke ulëritur se ‘po u japim Drejtësi!, po u japim Demokraci!, Amerika është me ne!…’, etj.

Sikur miliona faqe gazetash dhe miliarda orë televizive të kishim shpenzuar për t’i treguar botës njerëzore të vërtetën se ‘këta janë edhe kundër Drejtësisë, edhe kundër SHBA, edhe kundër Evropës!’, këtë nuk do të na e besonin kurrë. Kush besoi deri më sot se Sali Berisha nuk kishte lidhje me lirinë, as me demokracinë, as me ligjin, as me dobinë e vendit?! As për onturazhin e  tij nëpunësor të korruptuar që po e ndjek pas, nuk do ta besonte njeri… Se nuk po them për Ilir Metën, nëse e beson njeri apo jo… Ai e ka të shkruar në ballë se çfarë është.., po kush e llogariti.

Ja pra cili është fati dhe cila është ironia: Këta treguan vetë çfarë janë.

Po Shteteve të Bashkuara, a mund tua kishim treguar të vërtetën? Zoti ishte në qiell e ne ishim përtokë; ne tokësorët ishim milingona për këta që tani po votojnë ‘keq’ dhe po hanë bishtin e tyre. Nuk më del nga sytë një pamje e fillesës: Ishte dhjetor i vitit 1992, ftohtë në palcë këtu në Tiranë. Presidenti Berisha u nis drejt vendeve Arabike ‘për mbështetje financiare’ dhe përfundoi me një lajm tronditës: ‘Shqipëria iu bashkua Konferencës Islamike (OIC)’. Ato ditë kur ai fluturonte nëpër ato vende, ne këtu dridheshim më shumë se nga dimri. Mblidheshim me Sparak Ngjelën, Gramoz Pashkon, Azem Hajdarin…, dhe çfarë flisnim?! Flisnim se ‘sikur Berisha të merrte nga ato vende nja pesë milionë dollarë, erdhi e na griu të gjithëve!’. Por për ‘fat’ nuk mori asgjë!

… E shikoni? Prapë themi ‘për fat’ kur fati ishte i zi. Edhe në këtë rast ‘fati’ që këta të Berishës e Metës nuk votojnë në Parlament ‘pro’ Drejtësisë…, prapë na kthehet ‘fati i zi’ e na bëhet ‘fat i bardhë’ për të gjithë ne të tjerët qytetarët e Shqipërisë. Se sikur këta të mos i hynin ‘ndër hundë’ fuqisë së madhe demokratike Evropë e Amerikë, vallë çfarë do t’u bënim ne?! Ne qytetarët shqiptarë, edhe ne gazetarët e shkrimtarët, artistët juristët e humanistët…, të gjithë u përpoqëm të tregojmë përbindëshin me gisht… Po kush mund të na dëgjonte!?. Po të mos ishte Amerika, këta do të ishin duke lulëzuar mbi fatkeqësinë tonë, mbi dhunën, mbi korrupsionin, mbi padrejtësinë, mbi shëmtimin dhe humusin.

Ja ky është fati; fati ynë i mirë që këta votuan keq dhe aktruan keq. Këta vetë e zgjuan ‘zotin’ që po bënte një sy gjumë atje në qiell. Zoti nuk do të na dëgjonte kurrë ne ‘milingonat’ që shpëtuam nga viti 1992…, e deri më sot. Dhe ne dolëm nga errësira me gjemba, njësoj si Sherif Merdani ynë, artisti botërisht një yll, doli e thërriti: ‘‘Po ku  ishe ti o Zot/ Për një çast kur të mohuan!?’.

Me Amerikën fliste edhe artisti i burgosur.

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen