Frrok Çupi: Sa avionë paska qielli sonte?

Frrok Çupi: Sa avionë paska qielli sonte?

Sa nis e bie mbrëmja në Tiranë, avionët duken më afër. Ata që janë nisur për rrugë të gjata, ata janë lart e nuk kanë punë me ne. Kur jam në Tale, ku kam edhe të afërm, aty edhe gjatë ditës- sa zbret njëri, tjetri del mbi Ranën e Hedhun. Në Tiranë më bëhet ta kem shikimin nga Jugu. Mbi kodrën ku e arrinim një herë në vit, nëse ndodhte, dhe e quanim “Lapidari”, ku brigada e Parë kishte qëlluar me top Asamblenë në 1944; aty sa herë ngre sytë- dritat e avionit i ke përballë.

Pastaj merr një kthesë e nuk cuket më, Rinasi ka një drejtim tjetër. Këto dy vitet e fundit, në vendin tonë zbresin avionë pa numërim. Vitin e kaluar, në kohën e ‘pikut’ zbrisnin 200 në ditë. Këtë vit, departamenti i Fluturimeve në Bashkimin Europian bëri një bilanc dhe doli se Shqipëria ishte në krye të listës së shteteve europiane për nga numri i fluturimeve në krahasim me parashikimin. Shifra ishte mbi 200 e ca për qind mbi pritshmërinë. Edhe kryeministri i vendit e komentoi këtë lajm, natyrisht me entuziazëm se vendi ynë është kthyer në një vend të vizitueshëm, të lakmueshëm, të dashur e admirueshëm për turistë e qytetarë të tjerë të kontinentit. Këtë vit këtu zbarkuan rreth 50 për qind më shumë turistë se vitin e kaluar.

E kam menduar gjithmonë si me frikë këtë dukuri:

A do të vinte, vallë, ajo ditë kur në aeroportin e Tiranës të uleshin disa, dhe jo vetëm një aeroplan, në ditë? S’ e perceptoja se kjo ka apo nuk ka lidhje me turizmin; doja të kishte lëvizje dhe fasilitet për t’ u ulur nga qielli në qytetin tim. Kjo nuk ka lidhje vetëm me aeroplanin. Kjo ka lidhje me përparimin e vendit dhe të njeriut, Në fund të fundit, ka lidhje me atë që kam përjetuar vetë. Në atë kohë kur nuk kishe të drejtë për asnjë shpresë, në atë kohë vinte një moment që do të kaloja diku në Kapshticë…, dhe sa shkelja në tokën greke më vinte të ulesha për një kafe anës rrugës. Ishte një hijeshi, një filxhan i bardhë, një rrugë e gjerë… Ja për këto arsye gjeja rast të shkoja në Itali a në Zvicër… Kjo ka një lidhje simbolike me fluturimin. Por fluturimi dëshmon se siç shkoje ti atëherë në Zvicër, sot janë disa shumë të tjerë që dëshirojnë të prekin vendin tënd. Avioni është vetëm një simbol.

Në vitet e para pas përmbysjes së regjimit komunist, gazetari New York Times, David Binder, pat shkruar një reportazh dhe fakti më tronditës që solli, se ‘ ky është një vend ku ulet vetëm një avion në javë’. Me avionin e vetëm ‘Malev, në 1996 patëm përcjellë Zef Brozin, kryetar i Gjykatës së ‘Lartë, të cilin presidenti i Republikës e kërkonte ta eliminonte. Ambasada amerikane e kishte marrë përsipër largimin e tij, por nuk kishte linjë atë ditë kur Berisha mund të ndodhej jashtë vendit. Se duhej që ai të mos zgjohej jerm e të niste drejt aeroportit gangsterët e tij. Kaloi shumë kohë dhe një mëngjes në ora pesë, Malevi i vetëm u ngrit mbi Rinas. E mbaj mend diplomatin amerikan Carl Zibetrit që u ngjit mbi kanxhelat metalike e thërriste me sa kishte në kokë për ‘ fitoren’.

Kur ke vetëm një avion në javë, çdo lëvizje kontrollohet. Jo thjesht pse je një president përbindësh si Berisha, por edhe Hoxha me mungesë lëvizjeje e kontrollonte vendin. Mungesa e sjell frikën. Mungesa sjell edhe ‘ qetësinë’  që disa e tregojnë sot me nostalgji për periudhën e socializmit. Kështu bie gjumi mbi një vend dhe të gjithë flenë. As drita në qiell, as zhurmë avionësh natën as ditën… Njeriu më engjëllor që kam njohur në këtë sens ishte Rikard Ljarja. Aktori dhe regjisori i shquar, i madh si autoritet, por ishte edhe një fëmijë. ‘Si nuk ke frikë me këtë përbindëshin-më thoshte- unë për vete nuk do të guxoja!’. Ulej në oborrin e televizionit Vizion Plus, ku punoni ca kohë si regjisor, dhe e mbante kokën nga qielli.

“E di, sot kanë kaluar gjashtë!’, thoshte dhe bënte krahasim me ditë më parë. Në vitet e diktaturës ishte i ndaluar fluturimi edhe për linjat ndërkombëtare, e jomë për të mbërritur në Rinas.

Rikardi, në saje të shpirtit të tij dhe kulturës si artist, e ndiente se avioni mbi qiellin tënd është përparim, është lëvizje, është jetë. Simbolikisht, kështu. Por realisht, fluturimi në qiell është jo vetëm simbol. Është heqje e frikës, është zbrazje e pushtetit të rëndë e arbitrar të liderit në shoqëritë e dobëta. Fluturimi shkarkon krejtësisht potencën e ideologjisë, të ideologjisë së partisë, të ideologjisë së fesë, të ideologjisë së përçarjes, të nacionalizmit, të ideologjisë së stanacionit. Sepse fluturimi është shpejtësi. Perëndimi, pas Luftës së dytë, u kthye fitimtar bash për shkak të shpejtësisë. Qeveria e Edi Ramës i ka dhënë gjithë fuqinë fluturimit, domethënë lëvizjes. Sot jemi nga vendet më të dëshiruara për t’u vizituar në Europë.

Vite të shkuara dukeshim që vinim nga një vend ku aeroplani ishte mit.

“Mund të them një gjë, si humor!…”, më tha miku im gazetar në Agjencinë Zvicerane të Lajmeve, ATS. Ndodheshim në Gjenevë.

-Po, i thashë, me kënaqësi

-Apo më mirë e lëmë…, druaj se do të ma marrësh për keq.

-Jo, s’ ka arsye, besoj- i thashë dhe bëra hapin tjetër.

-Desha të tregoj si i dallojmë këtu shqiptarët… Vëre re, nëse dikush ngre kokën kur kalon avioni, ai është me siguri shqiptar… Qeshëm. M’u kujtua vetja ime atëherë.

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Tiranë/ Organizonin baste dhe lojëra fati, vihen në pranga 6 persona

Tiranë/ Organizonin baste dhe lojëra fati, vihen në pranga 6 persona