Frrok Çupi: Sa pak e paskan njohur Agim Radën!

Frrok Çupi: Sa pak e paskan njohur Agim Radën!

Agim Rada

Agimi shkoi dje. Qysh dje nuk po lë faqe pa lexuar për të gjetur rreth Agimit atë që kam gjetur për njerëzit e famshëm kur ndahen nga jeta. Pak a shumë, nuk lënë gjë pa treguar rreth jetës së gjallë të njeriut të famshëm. Nga një herë, sipas meje, edhe e teprojnë; ose aq më keq jargaviten rreth personalitetit të tjetrit.

Me Agim Radën ndodhi ndryshe. Shumë pak njerëz kanë marrë lapsin e kanë shkruar diçka, edhe pse të gjithë ‘vdesin’ që të vdesë një njeri i shquar dhe të dëshmojnë se e njihnin, e çmonin, madje edhe e adhuronin. Edhe ata që kanë shkruar, kanë marrë nga njëri tjetri, dhe kanë bluar vetëm dy, as tre, gjëra që lidhen me jetën e artistit vërtet special siç ishte Agim Rada.

Miku i tij, Gjergj Luca, studiuar në Arte por pasuruar me biznesin e peshkut, kishte shkruar fjalë të ndjera, me premtimin se ‘kur të vijmë aty te ti, Agim, kushedi si do të na presësh’. Dhimbje, natyrisht.

Ndërsa miku i afërt i Agimit, Edi Rama, u ndodh larg në Vilnius për Samitin e NATO-s. Por edhe po të ndodhej këtu, çfarë do të bënte më shumë se sa bëri në jetën e Agimit. Kur ishte i pa sëmurë, të dy folën andej e këndej, u grindën dhe u pajtuan, u pajtuan dhe u grindën. Kur u sëmur, Rama e ndihmoi mikun e tij artist që të kurohej në spitale ‘magjistare’ si në Turqi e në  Irlandë. Por aq ishte puna, nuk mund të bëhej më shumë…

Tjetër gjë nuk ka, edhe pse sot Agimi ka zënë banesën e përjetshme.

Agimin e kanë njohur shumë pak; dhe jo për fajin e njerëzve që duan të dinë shumë nga puna e artistit. Por Agimi nuk i lëshonte kujt njohje të madhe. Agim Rada nuk ishte ‘artisti popullor’, për të cilin vdesin shumë njerëz që nga ata që shpallen ‘Nder i Kombit’, apo ‘Artist i madh’.

Jo, Agimi nuk kishte lidhje me ‘popullin’. Asnjë nga veprat e tij në skulpturë nuk u krijua, nga njëra anë  duke gatuar baltën e nga ana tjetër duke vëzhguar nga dritarja se ‘cili popull’ po e admironte. Arti i tij është art, nuk është ‘popull’.

Vetë figurat e mëdha të historisë për të cilat ngriti statujat, nuk kanë lidhje me ‘popullin’. Madje shpesh janë figura kontroverse. Mit’hat Frashëri, për shembull, nuk shikohet me sy nga ata që janë gatuar me historiografinë komuniste. As Gjergj Fishta, monumentin e  të cilit e la në mes, për të thënë të vërtetën nuk e duan në ‘popull’. Ca pse ishte ‘me serbët’, ca pse ‘nuk e donte Enveri e të tjerë’, ca pse ishte prift katolik, etj. Petro Marko, shkrimtari i pashoq, e kalonte jetën i vetëm sa në apartamentin e tij para makinës së shkrimit,a q edhe në një shëtitje në bulevard.

Agim Rada nuk ka lidhje me ‘popullin’. Prandaj nuk ka pse ta njohin shumë.

Por as ‘rebel’ nuk ishte Agimi, siç thotë dikush duke dashur ta ngrejë në nivelin e njeriut të çuditshëm. Madje as në tornon ku punonte alabastrën në Ndërmarrjen Artistike Migjeni, Agimi nuk shfaqte asnjë pakënaqësi e shenjë rebelim. Ai nuk rebeloi ndaj resë së pluhurit të alabastrës, që një ditë i pushtoi mushkëritë dhe i mori jetën, e si të rebelonte ndaj njerëzve?!

Edhe kur duan ta lavdërojnë Agimin, duket që e njohin pak.

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë