TIRANE- Deputeti Tom Doshi dhe Mark Frroku, dy personazhet të politikës shqiptare që deri para pak kohësh konsideroheshin si shokë për kokë, tashmë zihen njëri me tjetrin korridoreve të prokurorisë.

Gjatë ditës së djeshme këto dy emra, kanë nxehur gjakrat teksa janë ballafaqur të dy në prani të prokurorëve. Për shkak të gjendjes së acaruar, prokurorëve u është dashur të ndërpresin dy herë seancën e ballafaqimit, për të anashkaluar çdo situatë tjetër të pakëndshme mes dy deputetëve. Vetë Tom Doshi, njeriu që ka sjellë të gjithë këtë histori vrasje në dyert e prokurorisë, i ka kërkuar ish-shokut të tij të ngushtë që të mos gënjejë por të tregojë të vërtetën.

Sipas burimeve të prokurorisë, Tom Doshi gjatë seancës së ballafaqimit i ka kërkuar Frrokut që ta shihte në sy dhe mos e mbante kokën ulur, por të tregonte atë që i kishte thënë vetë ai, që kërkonte ta vinte në dijeni të një komploti që po i bëhej Doshit për ta vrarë.

“Bëhu burrë e trego”
Ndryshe nga sa pritej Tom Doshi dhe ish-shoku i tij Mark Frroku kanë hyrë në godinën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda nga drejtime të kundërta. Por në fund ata e kanë para njëri-tjetrin përballë në zyrën e prokurorit Përparim Kulluri i cili së bashku me drejtuesin e komanduar të Krimeve të Rënda Adnand Xholi, i kanë pyetur rreth deklaratave kontradiktore që ata kanë dhënë në prokurori.

Doshi menjëherë ka marrë fjalë dhe mësohet t’i ketë pohuar Mark Frrokut që të bëhet burrë dhe të tregojë të vërtetën, dhe mos gënjente si në dëshminë e parë. Nga ana tjetër Mark Frroku ka deklaruar se i qëndronte deklarimit të parë të dhënë në prokurori dhe se nuk kishte asnjë dijeni nga ato që ka shpikur kohët e fundit miku i tij Tom Doshi.

Fill pas kësaj deklarate janë nxehur gjakrat, ku Tom Doshi ka filluar ti flasë Mark Frrokut, por për të shmangur ndonjë përplasje fizike mes tyre, prokuroria ka vendosur të ndërpresë seancën e ballafaqimit. Më pas është urdhëruar që Frroku të largohej nga prokuroria ndërkohë që Tom Doshi është mbajtur për të dhënë shpjegime.

Shoferi në pyetje    
Për të gjetur një dëshmitar që të hedhë poshtë “tradhtinë” e shokut të tij Mark Frroku, Tom Doshi i ka pohuar prokurorëve se duhet të pyetet shoferi i tij personal. Sipas Doshit, shoferi i tij ka qënë në dijeni të këtij atentati dhe të takimit mes tij dhe Mark Frrokut në ambjentet e hotel “Sheraton”, ku Frroku e ka vënë në dijeni për planin e vrasjes.

Doshi pretendon se shoferi ka qënë me ta në tavolinë dhe e ka dëgjuar kur Mark Frroku ia ka treguar planin e atentatit. Për pasojë, prokuroria i ka dërguar fletë-thirje shoferit të Tom Doshit, ndërkohë që nga ana e prokurorisë janë kërkuar tabulatet telefonike mes Doshit dhe Frrokut dhe pamjet filmike të hotelit ku ata kanë pirë kafë.
 
Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 10 Mars 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)