TIRANE - Deputeti Mark Frroku ka lënë banesën e tij nën shoqërinë e efektivëve të policisë për t’iu bashkuar mbledhjes së Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit për shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë për arrestimin e tij në lidhje me akuzat nga Belgjika se ka vrarë një shqiptar në vitin 1999. Aktualisht deputeti ndodhet në “arrest shtëpiak” për akuzat që lidhen me çështjen Doshi.
 
Në nisje të mbrojtjes së tij para deputetëve, Frroku shprehu vullnetin për të qenë para organeve të drejtësisë, duke bërë paralele me cështjen Doshi, por referuar akuzave belge, theksoi se nuk ka vrarë askënd me argumentin se ka qenë në Shqipëri kohën kur ka ndodhur vrasja.
 
“Nuk kam vrarë askënd, nuk isha në Belgjikë kur u ekzekutua Kurti”
“Dua të theksoj që vullnetin tim për të qenë para organeve të drejtësisë e kam treguar të enjten duke pritur për 4 orë policinë te lokali im, kështu që nuk e kam ndërmend t’i fshihem drejtësisë. Dua të them që nuk kam vrarë asnjë njeri, dhe nuk kam bashkëpunuar me askënd për vrasjen e askujt. Autoritetet belge të më provojnë vetëm një fakt të vogël që unë në atë kohë kam qenë në Belgjikë dhe unë jam gati të pranoj vrasjen. Unë kam qenë në vendin tim në atë kohë”, tha Frroku.
 
Frroku sqaron “takimin e baballarëve”
Frroku ka sqaruar edhe “takimin e baballarëve” i cili citohej në relacionin që Prokuroria e Përgjithshme i kërkoi Kuvendit autorizimin për arrestimin e Frrokut në lidhje me akuzat nga Belgjika. Sipas Frrokut, babai i tij është takuar me baballarët e personave që akuzohen se janë përfshirë në vrasjen e shqiptarit Aleksandër Kurtit, por se ky takim nuk ka ndodhur në vitin 1999 sic thuhet në relacion, por rreth para dy vjetësh.

“Çështja e sotme më përket mua dhe për këtë do të jap përgjigje para jush. Është e vërtetë se familjarët tanë kanë pasur një takim shumë i vonshëm, jo më shumë se një vit e ca, se babai im është 85 vjeç dhe ecën me të drejtën zakonore, unë do të eci me të drejtën e ligjit. Jam i gatshëm të përgjigjem për çdo gjë që mund të pyesni”, u shpreh Frroku.

Frroku: Urdhër arresti? Udhëtova deri më 22 shkurt në zonën Shengen e s’më arrestuan
Sa i përket urdhrit ndërkombëtar për arrestim, Frroku thotë se ka udhëtuar pa asnjë problem deri më 22 shkurt në vendet e zonës Shengen.
“Sa i takon Interpolit unë jam kthyer në 22 Shkurt nga Amerika e Veriut, kam udhëtuar nëpërmjet vendeve Shengen dhe nuk kam pasur asnjë problem me drejtësinë as këtu as në vendet shengen”, tha Frroku.
 
Frroku: Shumë shpejt prova për cështjen Doshi
Ndërsa lidhur me çështjen Doshi, Frroku tha se së shpejti avokatët e tij do të bëjnë publike prova që tregojnë se nuk ka lidhje me historinë e atentatit që pretendon deputetii përjashtuar nga Partia Socialiste.

“Sa i përket dëshmitarit kyç unë nuk kam lidhje me atë çështje. Avokatët do të bëjnë publike se çfarë provash ka në shkresën e Prokurorisë, me mua s’ka lidhje ajo çështje”, përfundoi Frroku.

Frroku takim miqësor me kolegët që e “çuan” në pranga
Pak para nisjes së mbledhjes deputeti Frroku ka ndarë disa momente miqësore me kolegët e tij deputetë, të cilët votuan në seancën e së enjtes pro arrestimit të tij për çështjen “Doshi”. Menjëherë pas vendimit për heqjen e imunitetit, Frroku ta në prangat e Policisë por Gjykata e Lartë vendosi ndaj tij masën e sigurisë “arrest me burg”. Frroku akuzohet nga drejtësia shqiptare se ka inskenuar historinë që Doshi denoncoi publikisht për një atentat ndaj tij dhe demokratit Mhill Fufi gjashtë muaj më parë.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)