9 raste të reja me fruth të paraqitura nga 1 janari pranë konsultoreve të vendit, ka sjellë edhe reagimin nga Institutin e Shëndetit Publik, specialistë të të cilit u bëjnë thirrje prindëve që të kryejnë në kohë vaksinat kundër fruthit për të minimizuar kështu mundësinë që fëmijet të preken nga virusi.
Erida Nelaj, përgjegjëse e vaksinimit në ISHP,e ftuar në emisionin “Rreze Dielli” në Report Tv thotë ajo për të cilën duhet të shqetësohemi është vaksinimi pasi rastet e fundit të fruthit janë kryesisht fëmijë nën 2 vjeç të cilët janë të pavaksinuar. Sipas saj, ka prindër që refuzojnë të vaksinojnë fëmijët duke i vënë ata para rrezikut të pasojave edhe pas 10-15 vitesh. Megjithatë Nelaj, tha se pavarësisht një rënie të lehtë, Shqipëria ka gjithësesi një mbulim prej 93 % të popullsisë të vaksinuar nga 95% që ka qenë çka ka evituar që të ketë edhe më shumë raste, madje edhe tek të rriturit.
Ne duhet të shqetësohemi në lidhje me vaksinimin. Të paktën nga fillimi i janarit deri tani kanë qenë 9 rastet e evidentuara. Të vegjlit janë problematikë , ky është edhe shqetësimi ynë pasi rastet e fundit janë më të shumta tek fëmijët nën 2 vjeç, të pavaksinuar. Ka prindër që do ti quaj refuzues të vaksinimit , nga dyshimet që kanë, nga çfarë dëgjojnë ata, hezitojnë, frikësohen dhe e shtyjnë vaksinimin dhe kjo ka bërë që mbulesa të bjerë. Të paktën në analizën e bër 6 mujorin e parë, mbulesa ka rënë në 93%, nën 95 %. Sërish është në nivele të larta, të mos kishim këtë lloj mbulese, do të kishim akoma më shumë raste të fruthit edhe në mosha të rritura.
Erida Nelaj, përgjegjëse e vaksinimit në ISHP
Nelaj siguroi gjithashtu se të gjitha vaksinat kundër fruthit blihen nga UNICEF dhe se është e njëjta bëhet edhe në vende të tjera. Ky virus, vaksina ndaj të cilit i bëhet fëmijëve në moshën 1 dhe 5 vjeçare qëndron shumë gjatë në ajër dhe nëse nuk mbahet nën kontroll mund të ketë pasoja të rënda në shëndet.
Vaksinat që janë në programin kombëtar të vaksinimit janë të parakualifikuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Ne nuk i blejmë vetë vaksinat dhe nuk i blejmë në vend. Të gjitha vaksinat na i blen UNICEF, që do të thotë UNICEF nuk mund të sjellë analiza të blera dokudo, sepse duhet të ketë marrë patjetër patentën e OBSH. Për sa i përket fruthit, rubeolës dhe shytave ne kemi të njëjtën analizë që përdoret në të gjithë Europën.
Erida Nelaj, përgjegjëse e vaksinimit në ISHP