TIRANE- Abuzim me detyrën, shkelje të pabarazisë në tendera dhe falcifikim dokumentash, këto janë akuzat që 68 qytetarë të Vlorës, i kanë adresuar prokurorisë për të hetuar kryebashkiakun Shpëtim Gjika. Numri i lartë i kallëzimeve penale kundër Gjikës, është përdorur dhe si argument nga prokuroria e Vlorës, e cila i kërkoi Gjykatës së Lartë, transferimin e dosjes nga Vlora në Tiranë. Veç këtij argumenti, në kërkesën e saj prokuroria e Vlorës i ka vënë në dukje gjykatës se në dy seancat e para gjyqëosre, ka pasur grumbullime njerëzish në hyrje të gjykatës, militantë të kryebashkiakut Gjika, të cilët kanë vënë në presion dhe kanë kërcënuar me fjalë, prokurorët e çështjes.Nisur nga këto kushte, organi i akuzës së Vlorës ka kërkuar që çështja të trasferohet në Tiranë, me qëllim zhvillimin e një procesi gjyqësore normal dhe të qetë.

19 dëshmitarë
Në procesin penal ndaj Shpëtim Gjikës dhe 7 të pandehurve të tjerë pritet të dëshmojnë plot 19 persona. Bëhet fjalë për individë që janë anëtarë të KRrT bashkisë Vlorë dhe banorë të tjerë të qytetit, që kanë bërë kallëzimin penal. Duke marrë shkas nga grumbullimi i militantëve në dy seancat e para gjyqësore dhe presionin e vazhdueshëm që ata mund të kryenin, është vendosur nga Gjykata e Lartë, që dosja të tranferohet në Tiranë. Sipas vendimit gjyqësor organi i akuzës ka gjykuar se në Vlorë ekziston një situatë e rëndë lokale, e cila cenon lirinë e vullnetin e personave që marrin pjesë në gjykim.

“Këto rrethana dëmtojnë zhvillimin normal të procesit dhe nuk mund të mënjanohen me mënyra të tjera, përveç se duke u transferuar në një gjykatë tjetër”-thuhet në kërkesën e prokurorisë së Vlorës. Kjo kërkesë i është komunikuar brenda afatit të pandehurve Shpëtim Gjika, Eleni Dardha, Gentian Sherifaj, Gëzim Feta, Blerdi Liçaj, Mustafa Tartari, Artan Ferhati dhe Aleks Ahmataj. Brenda afatit 7 ditor disa prej tyre kanë paraqitur vërejtjet përkatëse para Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë.

Akuza hamëndëson
Të pandehurit Shpëtim Gjika dhe 7 personat e tjerë nëpërmjet avokatëve të tyre kanë kërkuar rrëzimin e kërkesës së prokurorisë, duke parashtruar këto disa argument. Sipas mbrojtësve të 8 të pandehurve kërkesa e organit të akuzës mbështetet në hamendësi dhe nuk ka asnjë ankesë nga ana e të pandehurve apo dëshmitarëve se ndaj tyre po ushtrohet presion. “Duke gjykuar çështja në Tiranë vështirësohet sjellja e provave, sidomos ardhja e dëshmitarëve të cilët janë banues në Vlorë. Transferimi do të ndikonte në zvarritjen e çështjes, seanca e parë e të cilës është caktuar në datë 15.11.2013.

Transferimi i çështjes imponohet vetëm kur siguria publike dhe zhvillimi normal i procesit cënohen nga faktorë të jashtëm kriminalë të pashmangshëm. Aktiviteti i datës 09.11.2013, i përmendur si shkak nga Prokuroria për transferim, në të cilin i pandehuri Shpëtim Gjika deklaroi se është i pafajshëm nuk cënon askënd edhe qytetarët që dolën në mbështetje të tij në këtë aktivitet kanë qenë paqësore dhe nuk kanë krijuar incidente apo rrethana të tilla, që mund të konsiderohen si rrezik për sigurinë publike”-thuhet në argumentat e avokatëve mbrojtës.


 Shkrimi u publikua sot (07.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)