TIRANË- Jolanda është 60 vjeçe dhe ka zgjedhur emisionin ’’Pa gjurmë’’ për të rrëfyer historinë e jetës së saj. Ajo është me origjinë ruse, fryt i një dashurie të një shtetasi rus dhe shqiptares.
Një histori dashurie e bukur për ish-ushtarakun rus Metrovic Zorki dhe shqiptaren Adelina Kalaci. Ajo u burgos fizikisht, por zemrën nuk ia burgosën kurrë, pasi fryt i dashurisë me shtetasin rus është Jolanda, e cila rrëfen në ’’Pa gjurmë’’, këtë histori të rrallë.
Nëna e saj Adelina ishte 16-vjeçe kur ra në dashuri me Metrovic Zorki, ushtarakun nga Moska, i cili kishte ardhur në Shqipëri si këshilltar në “Shkollën e Bashkuar” në Tiranë. Jolanda u lind më 6 janar 1959, në prag të thyerjes së marrëdhënieve mes Tiranës dhe Moskës. Atësia e Jolandes është ruse, ndërsa mban mbiemrin e nënës Kalaci. Adelina mbetet shtatzënë, kohë në të cilët jo vetëm që u dëbua nga familja, por edhe nga sistemi që e burgosi me 12 vite burg. Kur vajza u lind, babai i saj i kishte shkëputur të gjitha kontaktet me Adelinën, ndërsa me ngrirjen e marrëdhënieve diplomatike ai u largua nga Shqipëria. Në këto kushte kur nëna u burgos dhe babai u dëbua, vajza e vogël me emrin Jolanda përfundoi në shtëpinë e fëmijës në Vlorë dhe më pas në jetimoren e Sarandës.
"Më quajnë Jolanda Kalaci. Unë kam lindur në Tiranë. Jam rritur në befotrof kam vajtuar në Sarandë. Mamaja ime quhet Adelina Kalaci. Mamaja ime ishte në moshën 15-16-vjeçare, kur dashurohet me një sovjetik, babanë tim, i cili ishte këshilltar në Shkollën e Bashkuar në Tiranë. Mbetet shtatzënë në vitin 1958. Kur e arrestuan ishte 17 vjeçe shtatzënë. Ajo u dënua me 12 vite burg. U prishën marrëdhëniet me rusët. Babai përpara se të ikte në Rusi, ka bërë një gjyq ku e pranoi që jam vajza e tij, por nuk mbajti përgjegjësi, pastaj iku në Rusi. Mamaja ime ka vuajtur shumë, ishin konditat. Unë kam lindur në burgun 313. Mamaja ime nuk më pa, isha vajzë apo djalë. Direkt më kanë çuar në befotrofin e Vlorës deri në moshën 7 vjeç. Më pas më dërguan në jetimoren e Sarandës. Nga mosha 10-12 vjeç mamaja më dërgonte letra nga burgu. Deri në moshën 12 vjeç mamaja nuk më pa fare, pastaj doli nga burgu",e nis kështu rrëfimin e saj Jolanda
Një histori që na kthen vite pas, plagët e një shoqërie që vuajti në terrorin komunist. Dashuri-urrejtje, lot, koka të kthyera pas, pengje, ndarje… vite malli. 60-vjeçare sjell këtë histori në ’’Pa gjurmë’’, në kërkim të rrënjëve biologjike. Në vitin 1970 nëna e saj del nga burgu. Me mendjen tek Jolanda ajo niset drejt Sarandës për ta takuar për herë të parë në moshën 11-vjeçare vajzën e saj të vetme.
"Kur doli mamaja nga burgu vjen të më takojë në jetimoren e Sarandës. Unë isha në katin e tretë, po bëja detyrat dhe më thërrasin, se më kishte ardhur mamaja. Unë kam vrapuar shumë. Mbaj mend që ishte e gjatë, flokët i kishte shumë të shkurtra, dukej që ishte e bukur, me një xhaketë të shkurtër dhe një palë pantallona teritali. Unë në fakt u gëzova shumë. Ajo më shtrëngonte, nuk më lëshonte, më thoshte:- ’’Kam 12 vjet pa të parë’’. Ajo ulërinte. Isha fëmijë, nuk e kuptoja, kur rritesh e kupton çdo të thotë një dashuri që të mungon gjithë jetën jetën. Erdhi drejtori dhe ajo kërkoi që të më merrte mua, të flinim bashkë, të çmalleshim. Qëndruam bashkë dy tre ditë. U kënaqëm, u çmallëm. Mamaja i tha drejtorit që donte të më merrte mua dhe të jetonim bashkë në Tiranë. Drejtori i tha se nuk kishte të drejtë të më merrte se ishte rregull, që fëmijët që janë me të huaj i falen shtetit. Ajo doli nga zyra dhe më përqafoi dhe nuk më lëshonte. Mora vesh se ajo ishte martuar kishte ndërtuar familje. Më erdhi në shkollë në Elbasan dhe takoheshim fshehtas. Takoheshim vit për vit, në Durrës në plazh. E kam takuar çdo vit deri në vitin 1990, se burri i saj nuk e dinte që ajo kishte një vajzë. Takoheshim fshehtas mos e shikonin vëllezërit. Kur doli nga burgu nuk e përfilli njeri, ndaj u detyrua të martohej. Mamaja ime kishte vetëm mall, por edhe frikë nga vëllezërit dhe i shoqi.
Një histori shqiptaro-ruse. Ajo e ndikuar nga politika e madhe, e diktuar nga drejtues shtetesh. Jolanda kujton sesi reagoi nëna e saj Adelina, kur e bija i kërkoi të mësonte emrin e të atit nga Moska e Rusisë.
"Ishte viti 1990 kur shoqet e punës më thanë se janë lidh marrëdhëniet me rusët. Shkova në spital në Tiranë, ku punonte nëna ime si sanitare. E gjeta, i thërrita në emër, ishte ulur në një gurë, e mërzitur dhe kokëulur. Sa më pa, më përqafoi dhe më tha: -’’Unë e di pse ke ardhur, ke ardhur të kërkosh sovjetikun, se ti e do shumë atë.
-Po, - i thashë: -’’Dua vetëm emrin dhe mbiemrin e babait, pastaj ta kërkoj.
-’’Mos ma kërko këtë, - më tha:- Se unë jam e martuar’’.
-’’Nuk të pengoj, vazhdo jetën tënde i thashë’’.
Iu luta dhe iu përgjërova, kam qarë shumë. Ajo më tha:- ’’Më vonë ndoshta po, pasi jam munduar t’ia tregoj burrit, që kam patur një vajzë me sovjetikun dhe nuk ia kam thënë dot’’.
Pastaj u largova, hipa ne tren, më përqafoi dhe kjo ishte dita e fundit që u takova me Adelinën, nënën. Qaja që s'më tregoi.
Vitet kanë kaluar dhe Jolanda sot një 60-vjeçare është në kërkim të rrënjëve nga babai, i cili sot është një 85-vjeçar. Nëna ndërroi jetë në vitin 1992. Ajo rrëfen e përlotur si e mësoi në një kohë kur kërkonte emrin e babait, se nëna nuk jetonte më.
"Në 1993 më merr një shoqe dhe më thotë se nëna kishte vdekur. O Zot sa kam qarë. Isha në kishë. E kam ndjerë shumë. Pastaj shkoj në Tiranë, emrat e vëllezërve dhe tezen e mbaja mend. Pyeta për dajën dhe e gjeta. E kishte shtëpinë në Kinostudio. I thashë se jam vajza e Adelinës. Më mbajti në shtëpi. Ishte i martuar dhe kishte dy vajza. Njëra nga vajzat kishte emrin tim, Jolanda Kalaci. Më pritën shumë mirë. E shikoja që jetonin shumë mirë, u treguan shumë të dashura. Daja më mbajti atë ditë dhe pastaj më çoi tek tezja po në Kinostudio. Tezja Antigona, më tregoi, ajo vinte gjithnjë në Korçë. Më prezantoi daja me tezen. Folëm bashkë më vete dhe më tezen shkuam në varrin e mamasë. Tezes iu luta për emrin dhe mbiemrin e babait. Kisha 30 vite që e vuaja dhe mami mori sekretin me vete. Ajo më tha quhet Metrovic Zorki. Më tha tezja ka qenë një vit më i madh se babai. Nuk kam shpresë që është gjallë. Dëshiroj të lidhem me pjesën e gjakut nga babai. Do jem shumë e lumtur. Me shpresë jetoj. Do t'i dua shumë, po të më duan. Njerku më tregoi si e kishte mësuar se nëna ime Adelina kishte patur një vajzë me sovjetikun, që isha unë. Ai më tha pse nuk erdhe që të jetonim të tre së bashku. Kam patur një jetë të vështirë", përfundon Jonida rrëfimin e saj.
E shkreta qenka si djali I dritero agollit qe u braktis per nenen parti
Përgjigju