Fshati Kasallë në Zall Herr me ujësjellës të ri këtë verë, Veliaj: Zgjidhje për 550 familje, punojmë me të njëjtën cilësi, si në qendër ashtu edhe në periferi

Afro 550 familje të fshatit Kasallë, në Njësinë Administrative Zall-Herr, të cilët prej 30 vitesh përdornin ujë pusi, tashmë do të kenë rrjetin e ri të ujësjellësit, investimi më i ri i Ndërmarrjes së Ujësjellës Kanalizimeve të Tiranës, në kuadër të projektit IPA CrossWater. Projekti synon rritje të cilësisë dhe sigurisë së furnizimit me ujë, duke eliminuar furnizimin nëpërmjet puseve dhe shtrirjen e investimeve, jo vetëm në zonat urbane, por edhe në ato rurale. 

Kryebashkiaku Erion Veliaj, i cili inspektoi punimet, faza e parë e të cilave pritet të përfundojë në këtë stinë të verës, u shpreh se ka ardhur koha që të punohet me të njëjtën cilësi për rrjetin e ujit, si në qendër ashtu edhe në periferi të Tiranës. 

“Nuk besoj se ka zhurmë më të bukur se sa ajo e ekskavatorëve kur hapin një kantier të ri pune. Është një zhurmë, e cila është pritur prej kohësh në Kasallë. Kasalla ndodhet 10 kilometër në vijë ajrore nga Tirana, por është pjesë e Tiranës së madhe. Kjo do të thotë se ka ardhur koha të punohet me të njëjtën cilësi për rrjetin e ujit, siç po punohet kudo tjetër në Tiranën urbane. Sot po shtrojmë një rrjet rreth 30 km, i cili shpëton familjet nga uji i pusit. Uji i pusit të vazhdojë të përdoret për të vaditur tokat, por jo për përdorim të brendshëm,” u shpreh Veliaj. 

Sipas tij, këtë fakt e dëshmojnë edhe vetë investimet të cilat po transformojnë çdo kilometër katror të kryeqytetit. 

“Më vjen mirë që dora e investimeve ka ardhur deri në periferinë më fundore të Bashkisë së Tiranës. I falenderoj të gjithë banorët për mirëkuptimin. Vërtet Kasalla dikur mbulohej nga ish-komuna, por me ndryshimin e ndarjes administrative sot është pjesë e Tiranës. Në fillim rregulluam situatën në Çekrezë e Morinë dhe tani kemi mbërritur edhe në zonën fundore. Në Dritas gjithashtu po punojmë për shkollën e re dhe për shtëpitë e reja,” deklaroi kryebashkiaku. 

Ai shprehu edhe njëherë domosdoshmërinë e përfundimit në kohë sa më të shpejtë të punës në çdo kantier të hapur, pavarësisht temperaturave, apo periudhës së pushimeve. 

“E di që është verë, por është shumë e rëndësishme që teksa njerëzit shkojnë me pushime të vazhdojmë punën, në mënyrë që fazën e parë, 16 kilometra, ta përfundojmë deri në fund të verës. Ndërkohë, pjesën tjetër ta mbyllim në dy fazat e tjera, në mënyrë që viti i ri këtë komunitet ta gjejë me ujë të pijshëm. U kujtoj të gjithë atyre që e kishin në dorë këtë punë dhe sot kanë në dorë vetëm portalet, se nuk ua jep njeri votën, - e kishin në dorë si Zall-Herrin, edhe Tiranën urbane, që atëherë ishte sipërfaqja 1/25 e kësaj që kemi sot, vetëm 42 kilometër katrorë dhe furnizimi me ujë ishte skandal, 4-5 orë në ditë,” tha Veliaj.

Përllogaritjet e projektit janë kryer mbi një perspektivë 25-vjeçare, për një popullatë prej 3275 banorësh.

 

J.GJ./KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Shkodër/ Rijetëzimi i zonës së Zdrales, nis restaurimi i fasadave të banesave

Shkodër/ Rijetëzimi i zonës së Zdrales, nis restaurimi i fasadave të banesave