Fshehën pasurinë, ILDKPKI
padit ambasadorin Agim Isaku

Fshehën pasurinë, ILDKPKI<br />padit ambasadorin Agim Isaku
TIRANE- Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave ka paditur në Prokurori dy gjyqtarë dhe një ambasador. Agim Isaku me funksion ambasador i Shqipërisë në Sllovaki, Ken Dhima me funksion gjyqtar dhe Klorinda Çela me funksion gjyqtare akuzohet për “Fshehje ose deklarim të rremë të pasurive”.
 
Sipas njoftimit të ILDKPKI pas kontrollit të plotë të deklaratave të subjektit Agim Isaku dhe korrespondencave të institucioneve publike dhe bankare ka rezultuar mosdeklarim i plotë i pasurisë.
 
Për këtë shtetas ka rezultuar “Fshehje e transaksionit dhe burimit të krijimit të shumës për blerjen e apartamentit me sip.268m2 dhe çmim 147.000 euro, me adresë në rrugën e Elbasanit, Tiranë’, si dhe fshehje e disa llogarive bankare.
 
Për ambasadorin Isaku, ILDKPKI ka renditur 18 raste fshehjesh të të ardhurave apo deklarime të rreme, siç është burimi për blerjen e banesës 147 mijë euro në rrugën e Elbasanit, likujditetet në vlerë 3.9 milionë lekë të rehaja në bono thesari të së bijës, si dhe fshehje të llogarive bankare dhe likujditetet në vlerë totale 26 516 254 lekë të reja, 170 388 USD dhe 59 864 euro. Si edhe të burimeve për blerjen e dy apartamenteve me vlerë 196 920 euro. Isaku, ushtron aktualisht detyrën e ambasadorit në Sllovaki.

Po kështu edhe për gjyqtarin Ken Dhima, pas analizimit të gjithë dokumentacionit të administruar në ILDKPKI, ka rezultuar “deklarim i rremë i vlerës së këstit të parë të paguar për blerjen e apartamentit në favor të shoqërisë ndërtuese në shumën prej 2.770.000 lekë. Si dhe mungesa e burimit të krijimit të depozitës prej 1.050.000 lekë nga subjekti, përdorur për blerjen e apartamentit”.

Gjyqtari Ken Dhima sipas ILDKP ka mashtruar për llogaritë e transaksionet bankare, ka dhënë deklarime të rreme për huamarrje, dhurata apo shlyerje këstesh për apartamente me vlerë 5 820 000 lekë dhe 214 300.

Ndërkaq, e njëjta gjë ka rezultuar edhe pas kontrollit të dokumentacionit për gjyqtaren Klorinda Çela.
 
“Deklarim i rremë i vlerës së këstit të parë të paguar për blerjen e apartamentit në favor të shoqërisë ndërtuese në shumën prej 2.770.000 lekë. Mungesa e burimit të krijimit të depozitës në Tirana Bank në shumën prej 719.800 lekë nga subjekti, përdorur për blerjen e apartamentit”, thuhet në njoftimin e ILDKPKI.Gjyqtarja Klorina Çela akuzohet për Fshehjeose deklarim të rremë të pasurive të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi që ka detyrim ligjor për deklarim në vlerën 3 747 000 lekë dhe 5 mijë euro

KALLËZIM PENAL NDAJ SUBJEKTIT DEKLARUES AGIM ISAKU
Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, bazuar në Ligjin nr.9049, datë 10.04.2003,“Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publike”, i ndryshuar, përfundoi kontrollin e plotë të deklaratave të interesave private të subjektit Agim Isaku, me funksion Ambasador.
 
Nga analiza e të gjithë dokumentacionit të administruar në ILDKPKI, lidhur me deklarimin e interesave private të subjektit Agim Isaku dhe korrespondencave të institucioneve publike dhe bankare ka rezultuar si më poshtë:
 
Fshehje e transaksionit dhe burimit të krijimit të shumës për blerjen e apartamentit me sip.268m2 dhe çmim 147.000 euro, me adresë në rrugën e Elbasanit, Tiranë.
 
Fshehje e likuiditeteve, zotërim bono thesari në shumën prej 1.900.000 lekë dhe 2.000.000 lekë në    emër të subjektit dhe vajzës së tij në Bankën e Shqipërisë.
Fshehje e likuiditeteve, depozitë bankare në shumën prej 60.495 usd në Bankën Intesa San Paolo.
Fshehje e likuiditeteve, bono thesari në shumën prej 1.900.000 lekë në Bankën Intesa SanPaolo.
Fshehje e llogarisë rrjedhëse në shumën prej 169.663 lekë dhe në shumën prej 2.049.087 lekë në       Bankën Intesa SanPaolo.
Fshehje e llogarisë së pagës në shumën prej 346.705 lekë në Bankën Intesa SanPaolo.
Fshehje e depozitës në shumën prej 253.327 lekë në Bankën Tirana.
Fshehje e depozitës në shumën prej 9,893 usd në Bankën Tirana.
Fshehje e depozitës në shumën prej 7.076.420 lekë në Bankën Tirana.
Fshehje e llogarisë rrjedhëse në shumën prej 634.975 lekë në Bankën Tirana.
Fshehje e llogarisë në shumën prej 2.780 euro në Bankën Tirana.
Fshehje e llogarisë rrjedhëse në emër të bashkëshortes në shumën prej 1.463.839 lekë në Bankën      Tirana.
Fshehje e depozitës së bashkëshortes në shumën prej 7.671.325 lekë në Bankën Tirana.
Fshehje e depozites në shumën prej 57.084 Euro në Union Bank.
Fshehje e depozitës në shumën prej 7.000.000 lekë në Bankën Credins.
Fshehje e depozitës në shumën prej 100.000 usd në Bankën Credins.
Mungesë e burimit financiar të identifikuar për blerjen e apartamentit në Tiranë, me sip.110,94 m, në  pronësi të vajzës, në vlerën prej 49.920 euro.
Mosdeklarim të interesave private periodike vjetore për vitin 2010.
 
Për sa më sipër, subjekti Agim Isaku ka konsumuar elementët e veprës penale të “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive te personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi që ka detyrim ligjor për deklarim”, të parashikuar nga neni 257/a i Kodit Penal dhe ndaj tij u depozitua kallëzim penal në Prokurorinë e Përgjithshme, njoftim Ministrit të Jashtëm për shkeljet e konstatuara dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave.
 
KALLËZIM PENAL NDAJ SUBJEKTIT DEKLARUES KEN DHIMA
Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, bazuar në Ligjin nr.9049, datë 10.04.2003,“Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publike”, i ndryshuar, përfundoi kontrollin e plotë të deklaratave të interesave private të subjektit Ken Dhima, me funksion Gjyqtar.
 
Nga analiza e të gjithë dokumentacionit të administruar në ILDKPKI, lidhur me deklarimin e interesave private të subjektit Ken Dhima dhe korrespondencave të institucioneve publike dhe bankare ka rezultuar si më poshtë:
Deklarim i rremë i vlerës së këstit të parë të paguar për blerjen e apartamentit në favor të shoqërisë ndërtuese në shumën prej 2.770.000 lekë.
Mungesa e burimit të krijimit të depozitës prej 1.050.000 lekë nga subjekti, përdorur për blerjen e apartamentit.
Deklarim i rremë për huamarrjen nga shtetasi A.Ç. të shumës prej 2.000.000 lekë për blerjen e apartamentit në Rr.”Don Bosko”. Huamarrja është e pashlyer deri në vitin 2011, megjithëse sipas kontratës me këtë shtetas, afati përfundimtar i shlyerjes është 20.06.2010.
Deklarim i rremë për shumën prej 59.300 euro në total, dhënë në formën e shpërblimeve, dhuratave, sponsorizimeve për periudhën 2008 – 2011 nga shtetasi me inicialet A.M. Mosmbulim me burime të ligjshme dhe me dokumentacion ligjor justifikues i kësaj shume.
Fshehja e kontratës së porosisë të lidhur midis shoqërisë së ndërtimit, porositësit A.Ç. dhe garantuesit Ken Dhima. Në këtë kontratë është porositur ndërtimi i një dyqani në Rr.“Don Bosko”, me sip.124 m2 me vlerë 150.000 euro.
Fshehje e depozitës në Bankën Kombëtare Tregtare në shumën prej 5.000 euro në emër të personave të lidhur.
Mosdeklarim i raportit të huadhënies midis subjektit dhe shtetasit A.Ç. e shprehur kjo në formën e pagesës së kësteve të kredisë në favor të ketij personi pranë Raiffeisen Bank.
Mosparaqitja e dokumentave justifikues që duhet t’i bashkëlidhen deklarimit të interesave private në momentin e dorëzimit, bazuar në nenin 24 të Ligjit nr.9049, datë 10.04.2003, si dhe mosparaqitja e dokumentave provues të kërkuara nga ILDKPKI, bazuar në nenin 27 të Ligjit nr.9049, datë 10.04.2003, i ndryshuar.
Mosmbulim i vlerës së krijimit të aseteve dhe shpenzimeve me burime të ligjshme për vitet 2005, 2007 dhe 2008.
 
Për sa më sipër, subjekti Ken Dhima ka konsumuar elementë të veprës penale të “Fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi që ka detyrim ligjor për deklarim”, të parashikuar nga neni 257/a paragrafi i dytë i Kodit Penal dhe ndaj tij u depozitua kallëzim penal në Prokurorinë e Përgjithshme, njoftim Ministrit të Drejtësisë për shkeljet e konstatuara dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave.
 
KALLËZIM PENAL NDAJ SUBJEKTIT DEKLARUES KLORINDA ÇELA
Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, bazuar në Ligjin nr.9049, datë 10.04.2003,“Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publike”, i ndryshuar, përfundoi kontrollin e plotë të deklaratave të interesave private të subjektit Klorinda Çela, me funksion Gjyqtare.
 
Nga analiza e të gjithë dokumentacionit të administruar në ILDKPKI, lidhur me deklarimin e interesave private të subjektit Klorinda Çela dhe korrespondencave të institucioneve publike dhe bankare ka rezultuar si më poshtë:
Deklarim i rremë i vlerës së këstit të parë të paguar për blerjen e apartamentit në favor të shoqërisë ndërtuese në shumën prej 2.770.000 lekë.
Mungesa e burimit të krijimit të depozitës në Tirana Bank në shumën prej 719.800 lekë nga subjekti, përdorur për blerjen e apartamentit.
Deklarim i rremë për huamarrjen nga shtetasi A.Ç. të shumës 2.000.000 lekë për blerjen e apartamentit në Rr.”Don Bosco”. Huamarrja është e pashlyer deri në v.2011, megjithëse sipas kontratës me këtë shtetas, afati përfundimtar i shlyerjes është 20.06.2010.
Deklarim i rremë për shumën prej 59.300 Euro në total, dhënë në formën e shpërblimeve, dhuratave, sponsorizimeve për periudhën 2008 – 2011 nga shtetasi A.M. Mosmbulim me burime të ligjshme dhe me dokumentacion ligjor justifikues ikësaj shume.
Fshehje e shumës prej 770.000 lekë, e derdhur në katër transaksione në llogarinë e pagës së subjektit në RFZ Bank, nga burime të dyshimta.
Fshehja e blerjes së automjetit tip Benz në pronësi të subjektit në vlerën 700.000 lekë.
Fshehje e gjendjeve të mbetura në llogarinë e pagës në RFZ Bank të subjektit.
Fshehje e gjendjeve të mbetura në llogarinë rrjedhëse të subjektit në Union Bank.
Fshehje e depozitës në Bankën Kombëtare Tregtare në shumën 5.000 euro në emër të personave të lidhur.
Mosdeklarim i raportit të huadhënies midis subjektit dhe shtetasit A.Ç. e shprehur kjo në formën e pagesës së kësteve të kredisë në favor të ketij personi pranë Raiffeisen Bank.
Mosparaqitja e dokumentave justifikues që duhet t’i bashkëlidhen deklarimit të interesave private në momentin e dorëzimit, bazuar në nenin 24 të Ligjit nr.9049, datë 10.04.2003, si dhe mosparaqitja e dokumentave provues të kërkuara nga ILDKPKI, bazuar në nenin 27 të Ligjit nr.9049, datë 10.04.2003, i ndryshuar.
Mosmbulim i vlerës së krijimit të aseteve dhe shpenzimeve me burime të ligjshme për vitet 2005, 2007 dhe 2008.
 
Për sa më sipër subjekti Klorinda Çela ka konsumuar elementët e veprës penale të “Fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi që ka detyrim ligjor për deklarim”, të parashikuar nga neni 257/a paragrafi i dytë i Kodit Penal dhe ndaj saj u depozitua kallëzim penal në Prokurorinë e Përgjithshme, njoftim Ministrit të Drejtësisë për shkeljet e konstatuara dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit te Pastrimit te Parave.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Protesta e opozitës, Ervin Salianji reagon nga qelia nr.6: Rama ka bllokuar jo vetëm rrugët e Tiranës, por edhe të Shqipërisë

Protesta e opozitës, Ervin Salianji reagon nga qelia nr.6: Rama ka bllokuar jo vetëm rrugët e Tiranës, por edhe të Shqipërisë