TIRANË - Fshehën pasurinë me kontratë shitblerje të një apartamenti në Elbasan, pezullohen nga detyra gjyqtari Qani Hasa dhe Prokurori Pertef Asllani. Vendimi i pezullimit është marrë në mungesë nga Gjykata e Tiranës, e cila ka pranuar kërkesën e njësisë task-forcë pranë Prokurorisë së kryeqytetit.
 
Hasa dhe Asllani hetohen prej 2 muaj nga prokuroria, e cila pas kallëzimit të inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive ka hetuar duke konkluduar në konsumimin e veprës penale fshehje dhe deklarim i rremë pasurie.
 
Burime për A1Report thanë se nëpërmjet një kontrate fiktive gjyqtari Hasa ka deklaruar se i ka blerë në qytetin e Elbasanit një banesë në pronësi të prokurorit Asllani.
 
Të njëjta burime sqaruan se kjo banesë është blerë me një kredi të marrë në Entin e Banesave, por realisht lekët e marra si kredi nuk janë përdorur për blerjen e banesës në Elbasan por një banesë të dytë për gjyqtarin Kasa në kryeqytet.
 
Nga hetimi i Prokurorisë së Tiranës rezultoi se Qani Hasa, pavarësisht se ka deklaruar blerjen e apartamentit të Pertef Asllanit, në realitet ka blerë një apartament në Tiranë.
 
Ndërkohë, prokurori Pertef Asllani, pavarësisht se ka deklaruar se ka marrë shumën e parave nga Qani Hasa, në fakt nuk i ka marrë këto para nga Qani Hasa, por ka jetuar në atë apartament që prej vitit 2003, kur Hasa ka deklaruar që e ka blerë, deri në vitin 2013 kur këtë apartament ia ka shitur një shtetasi tjetër.
 
Një tjetër pasuri e pa deklaruar sipas hetimeve rezulton dhe një sasi prej 2 milionë lekësh të cilën gjyqtari Hasa nuk e ka deklaruar.
 
Inspektorati i Pasurisë ngriti pretendimin se gjyqtari Hasa tentoi të korruptonte dhe një inspektor të pasurive, por sipas akuzës ky pretendim nuk u arrit të faktohej gjatë hetimeve të kryera.
 
Pritet që javën e ardhshme prokuroria t’i kërkojë gjykatës gjykimin e dy zyrtarëve të sistemit të drejtësisë, ndërsa rasti i Hasës pritet të shqyrtohet dhe në Këshillin e Lartë të Drejtësisë.

Komunikata e Prokurorisë Tiranë
Me kërkesë të Prokurorisë së Tiranës (Njësia Task-Force), gjykata vendosi masën ndaluese të “Pezullimit nga detyra” deri në përfundim të hetimit dhe gjykimit për gjyqtarin e gjykatës së rrethit gjyqësor Elbasan, Qani Hasa dhe për prokurorin e rrethit gjyqësor Elbasan, Pertef Asllani, të akuzuar për veprën penale të “Fshehjes, mosdeklarim dhe deklarim i rremë i pasurisë”, parashikuar nga neni 257/a/2 i Kodit Penal.
 
 
Deri në fazën aktuale të hetimit, të nisur në Prill 2015, pas kallëzimit të ILDKPKI, dy shtetasve u është komunikuar akuza dhe janë duke përfunduar hetimet.
Nga hetimi ka rezultuar se këta dy shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë paraqitur deklarime të rreme në formularin e deklarimit të pasurisë lidhur me aktin e shitjes së një apartamenti, i cili ishte në pronësi të shtetasit Pertef Asllani dhe që, nëpërmjet një kredie të butë nga Enti i Banesave, dega Elbasan, i është shitur shtetasit Qani Hasa.

Nga hetimi rezulton se shtetasi Qani Hasa, me funksion “gjyqtar”, ka përfituar një kredi të butë nga Enti i Banesave për blerje apartamenti në qytetin e Elbasanit, pasi sipas legjislacionit në fuqi, i takonte për shkak se ushtronte funksionin në një qytet larg vendbanimit të tij të përhershëm (Tiranë). Dhe, sipas dokumentacionit të administruar, rezulton se ai ka bërë kontratë shitjeje me shtetasin Pertef Asllani, me funksion “prokuror”. Për këto lëvizje financiare, duke qenë se të dy shtetasit janë subjekte të deklarimit të pasurisë, kanë paraqitur në formularët e pasurisë pranë ILDKP-së ndryshimet përkatëse; pra, shtetasi Qani Hasa deklaron se ka blerë shtëpinë e shtetasit Pertef Asllani, ndërsa ky i fundit deklaron në formular se ka marrë shumën prej 3.3 milionë lekë për shitjen e apartamentit.

Por, nga hetimi i Prokurorisë së Tiranës rezultoi se, shtetasi Qani Hasa, pavarësisht se ka deklaruar blerjen e apartmentit të shtetasit Pertef Asllani, në realitet ka blerë një apartament në Tiranë. ndërkohë, shtetasi Pertef Asllani, pavarësisht se ka deklaruar se ka marrë shumën e parave nga Qani Hasa, të cilat edhe i ka deklaruar, në fakt nuk i ka marrë këto para nga Qani Hasa, por ka jetuar në atë apartament që prej vitit 2003, kur shtetasi Hasa ka deklaruar që e ka blerë, deri në vitin 2013, kur këtë apartament ia ka shitur një shtetasi tjetër.
Po ashtu, rezulton se shtetasi Qani Hasa nuk ka deklaruar në formularin e pasurisë për vitin 2013 shumën prej 2.000.000 (dymilion) leke. Këtë shumë ai e ka deklaruar në vitin 2014, ndërkohë që në cilësinë e subjektit të ligjit “për deklarimin e pasurive…” ka pasur detyrimin ligjor që ta deklaronte që një vit më parë..  

ILDKP, në kallëzimin e saj, kërkonte ndjekjen penale për shtetasin Qani Hasa, edhe për veprën penale të “Korrupsionit aktiv….”, pasi, sipas materialit referues, ky shtetas ka tentuar t’i ofrojë para një zyrtari të ILDKP për të mos vijuar me penalitetet që parashikon ligji për shkak të shkeljeve të tij.

Nga ana e Prokurorisë Tiranë janë marrë deklarimet e zyrtarit të ILDKP, i cili ka deklaruar se shtetasi Qani Hasa ka tentuar t’i ofrojë një shumë parash (të papërcaktuar) në ashensorin e godinës së institucionit. Ndërsa, i pyetur lidhur me këtë fakt, shtetasi Qani Hasa ka deklaruar në Prokurori se nuk i ka ofruar para zyrtarit të ILDKP, por vetëm numrat e kontaktit, ku mund të kontaktohej për problematikat e kontrollit që po kryente institucioni.

Duke qenë se ambjenti ku mendohet se ka ndodhur kjo ngjarje është i pamonitoruar nga kamera, si edhe në pamundësi për të përftuar të dhëna të tjera të plota dhe të pakundërshtueshme që të mbështesin deklarimin e zyrtarit të ILDKP, dyshimi për veprën penale të “korrupsioni aktiv….” mbetet i paprovuar.


Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)