Policia e Vau i Dejës ka arrestuar sot një 70-vjeçar në fshatin Kosmaç, pasi gjatë kontrollit iu gjetën 1 678 fara të dyshuara kanabisi.
Sipas njoftimit zyrtar të Policia e Shtetit, arrestimi u krye në kuadër të operacionit të koduar “Seeds”. I dyshuari, me inicialet XH. M., u kap në flagrancë në ambientet e lokalit të tij, ku ishin fshehur farat e lëndës narkotike.
Policia bëri me dije se operacioni u realizua falë informacioneve të siguruara në rrugë operative, të cilat çuan në identifikimin dhe arrestimin e autorit të dyshuar.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore.
"Në zbatim të planit të masave për parandalimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike, bazuar edhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës organizuan dhe finalizuan operacionin e koduar “SEEDS”. Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë kryer kontroll në lokalin e shtetasit Xh. M., në fshatin Kosmaç, ku gjetën 1678 fara kanabisi, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Në përfundim të veprimeve, u arrestua në flagrancë shtetasi Xh. M., 70 vjeç, banues në fshatin Kosmaç. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme" thuhet në njoftimin e policisë.
Komente











