TIRANË - Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Futbollit zhvilloi sot mbledhjen e parë për vitin 2026, nën drejtimin e presidentit Armand Duka. Ky i fundit është në kërkim të mandatit të shtatë në krye të këtij institucioni, teksa për momentin është i vetëm në garë.
Një nga pikat kryesore të rendit të ditës ishte organizimi i Asamblesë së Përgjithshme të Zakonshme Zgjedhore të FSHF-së. Në përputhje me statutin, Komiteti Ekzekutiv vendosi që Asambleja të mbahet më 16 shkurt 2026, në orën 10:00, në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit”. Gjatë Asamblesë do të zgjidhen Presidenti dhe anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të FSHF për mandatin katër vjeçar.
Armand Duka i vëtëm në garë
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, është duke shkuar i vetëm në garën për të marrë mandatin e shtatë në krye të këtij institucioni. Prej vitit 2002 Duka qëndron si president i FSHF-së, teksa edhe në zgjedhjet e para katër viteve garoi i vetëm, kjo pas tërheqjes së kandidatit tjetër, Dritan Shakohoxha.
Deri në këto momente askush nuk ka shprehur interesin apo propozuar për të qenë përballë Dukës. Në zgjedhjet e Shoqatave Rajonale të Futbollit që u mbajtën në ditët e fundit, emri i Dukës është propozuar nga anëtarët e SHRF në Tiranë, Korçë, Lezhë, Shkodër dhe Fier.
Komente






