Komisioni i Ligave dhe Garave pranë Federatës Shqiptare të Futbollit ka njoftuar se derbi mes Partizanit dhe Tiranës, i vlefshëm për raundin e 24-t të Superligës do luhet të dielën (15 shkurt) në orën 16:30 në stadiumin 'Air Albania' në kryeqytet dhe jo në orën 19:30 siç ishte planifikuar më herët.

"Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se ka një ndryshim orari në ndeshjen e javës së 24-t të kampionatit “Abissnet Superiore”, PartizaniTirana. Derbi i kryeqytetit do të zhvillohet të dielën, në orën 16:30, në stadiumin “Air Albania”. Ky ndryshim është miratuar nga Komisioni i Ligave dhe Garave", bën me dije FSHF.

Sfida derbi mes Partizanit dhe Tiranës është ndeshja më e rëndësishme në futbollin shqiptar, teksa këtë sezon klubet po garojnë për objektiva të ndryshme.

Partizani ndodhet në vendin e pestë me 30 pikë dhe synon zonën 'Final 4', ndërsa Tirana me 21 pikë sapo ka dalë nga zona e ftohtë pas një sezoni zhgënjyes. Bardheblutë megjithatë janë në formë pasi kanë dy muaj pa humbje.