Kur na ndanë edhe pak më shumë se një muaj nga starti i kampionatit kombëtar të futbollit, kategorisë superiore, ekipet që do të militojnë janë në përgatije intensive për edicionin e ri. Këtë edicion që starton më datë 25 gusht do të marrin pjesë 14 ekipe në Super Ligë, në garë për të fituar dy trofetë e lakuar. E ndërsa përgatitjet vazhdojnë me ritëm të lartë, jo gjithcka shkon mirë për kushtet e licensit të terreneve sportive nga ekipet pjesëmarrëse. Pas një interviste me shefin e sektorit të Licensimeve pranë Federatës Shqiptare të Futbollit, Elton Gjipali, vërejmë që edhe pse jemi në vitin 2012 problemet me terrent sportive të ekipeve që luajnë në Super Ligë nuk kanë të sosur. Disa ekipe, si Bylisi dhe Kukësi, nuk i plotësojnë parametrat përsa i përket infrastrukturës së stadiumit, tribunës, dhomave të zhveshjes, etj. Nga Sektori i Licencimeve, klubeve në fjalë u është lënë detyrë për kompletimin e stadiumit në standardet e kërkuara. Nëse nuk ndodh një gjë e tillë deri në momentin e mbedhjes së Komitetit Ekzekutiv, atëherë dy klubet në fjalë rrezikojë që ti zhvillojë ndeshjet jashtë fushës së tyre, nëse duan të vazhdojnë të garën në Super Ligë. Theksojmë që dy klubet në fjalë, i kanë plotësuar kushtet financiare dhe janë në rregull me dokumentacionin. I vetmi problem është kushti i stadiumeve, që nuk garantojnë siguri maksimale për të zhvilluar një ndeshje brenda rregullave. “Pas një inspektimi që kemi zhvillluar në të gjithë stadiumet që do të presin ndeshjet e kampionatit kombëtar të edicionit 2012 – 2013 mund të themi që 12 prej tyre i plotësojnë të gjitha kushtet duke qënë brenda parametrave të përcaktuara mjaft qartë në legjislacion. Problemi i vetëm janë ekipet e Kukësit, i cili sapo është ngjitur në Super Ligë dhe Bylisi” shprehet Gjipali, i cili na shpjegon më pas edhe kushtet që duhet të plotësojnë këto dy ekipe. “Ekipi i Kukësit aktualisht nuk ka një stadium të mirëfilltë për të pritur ndeshjet, ky është një problem serioz që duhet të zgjidhet, nëse drejtuesit nuk arrijnë të ndërtojnë stadiumin 7 ditë përpara fillimit të kampionatit, atëherë duhet të arrijnë marrëveshjen me një qytet tjetër për të zhvilluar ndeshjet. Në të kundërt rrezikon mos licensimin, megjithatë fjalën e fundit e ka Komiteti Ekzekutiv” thotë Gjipali. I njëjti problem duket se është edhe në Ballsh. “Kemi probleme me dhomat e zhveshjes, sigurinë e zhvillimit të ndeshjeve dhe infrastrukturën. Ballshiotët duhet të nxitojnë për të zgjidhur edhe ngërcet e fundit përpara afatit të fundit të licensimeve” përfundon Elton Gjipali.
(d.b/shqiptarja.com)
/Shqiptarja.com
(d.b/shqiptarja.com)











