Kombëtarja shqiptare e futbollit është në garë për një vend në play-off e Kupës së Botës 2026. Në nëntor skuadra do zhvillojë dy sfidat e fundit, atë kundër Andorrës në datën 13 në udhëtim dhe tre ditë më pas presim Anglinë në Tiranë.
Për duelin me 'Tre Luanët' ka interes të lartë dhe FSHF-ja i nxorri biletat në treg një muaj para ndeshjes. Institucioni i futbollit ka bërë me dije se në ndeshjen me Anglinë, do të ndiqet e njëjta procedurë për biletat si në sfidën Shqipëri - Serbi, pra me short.
Për bileta, fillimisht duhet që tifozi të aplikojë përmes platformës ebileta.al, më pas do të jetë sistemi që do bëjë përzgjedhjen e tifozëve dhe më pas do vijohet me procesin e blerjeve.
Çmimet e kripura
Bie në sy se pjesa më e madhe e sektorëve në stadium kanë çmime të rritura për këtë duel. Një pjesë e vogël e tribunave më të largëta kushtojnë 2500 lekë, teksa pas porte një biletë kushton 3500 lekë.
Karshia, pra pjesa përballë që është më e preferuar kushton 9000 - 15000 lekë. Ndërkohë që për të ndjekur Kombëtaren nga tribuna VIP duhet të paguash mes 15000 - 50000 lekë.
Renditja
Me dy ndeshjet e fundit për të luajtur, Shqipëria kërkon të mbajë vendin e dytë në Grupin K që të dërgon në play-off. Anglia, e kualifikuar për në fazën finale të Botërorit, ka 18 pikë. Shqipëria ndjek me 11 pikë, një më shumë se Serbia që mban vendin e tretë. Letonia me pesë pikë ndodhet në pozitën e katërt, ndërsa Andorra me 1 pikë gjendet në fund.
Faximile e çmimit të biletave
Komente








