Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka hedhur poshtë pretendimet e Partisë Demokratike se shefi i qeverisë ka abuzuar me fondet publike dhe taksat e qytetarëve duke gjelbëruar rrugën e shtëpisë së tij. FSHZH sqaron se faza e parë e këtij projekti që lidh kryeqytetin me Surrelin ka përfunduar në vitin 2012. 

Sipas Fondit ky është një projekt për rehabilitimin dhe gjelbërimin e pjesëve anësore të segmentit rrugor Tiranë-Dajt dhe është pjesë e aksionit që po zbatohet në kuadër të një programi të gjerë të qeverisë Shqiptare për gjelbërimin e akseve rrugore kombëtare. 

Sipas Partisë Demokratike, me një vendim qeverie të muajit nëntor është nisur projekti për gjelbërimin e rrugës anësore të Surrelit dhe ky vendim, për partinë më të madhe të opozitës, është marrë për t’i paraprirë jetesës në këtë banesë të kryeministrit.

Reagimi i plotë i FSHZH

Projekti për rehabilitimin dhe gjelbërimin e pjesëve anësore të segmentit rrugor Tiranë-Dajt është një projekt që po zbatohet në kuadër të një programi të gjerë të Qeverisë Shqiptare për gjelbërimin e akseve rrugore kombëtare. Ky program, një pjesë e të cilit po zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit, ka filluar nga puna në akset rrugore Plepa-Vlorë, mbikalimi i Kasharit-Tiranë dhe do të vazhdojë këtë vit në segmentet rrugore Levan-Kakavijë, Lushnjë-Berat dhe Lin-Pogradec. 

Falë projektit në fjalë të segmentit rrugor Tiranë-Dajt do të përfundojë me sukses lidhja funksionale mes kryeqytetit dhe parkut kombëtar Dajt, duke e bërë këtë të fundit të aksesueshëm për qytetarët, por edhe duke lehtësuar ndërlidhjen rrugore për komunën e Dajtit, Shëngjergjit dhe Zallbastarit. 

Ndonëse faza e parë e këtij projekti që lidh Kryeqytetin me Surrelin ka përfunduar në vitin 2012, FSHZH e vlerësoi të arsyeshëm këtë sqarim publik duke e konsideruar pretendimet e sotme në media si të pambështetura mbi të vërtetën e projektit.


Redaksia Online
(g.f/Shqiptarja.com)