TIRANË- Nuk kanë kaluar shumë orë nga ftesa e kryeministri Edi Rama për një tryezë gjithëpërfshirëse për negociatat dhe përgjigjet nga presidenti Ilir Meta dhe kryedemokrati Lulzim Basha kanë ardhur.

Kreu i shtetit, ndonëse jo në mënyrë të drejtpërdrejtë duket se ka lënë një derë hapur për një mundësi të tillë duke thënë se është gati të marrë përgjegjësitë e tij si i pari i vendit. Nga takimi që pati me ambasadorin e Bashkimit Europian, Luigi Soreca në ditën e Europës, Meta shprehet se nuk duhet humbur asnjë minutë për të finalizuar integrimin Europian.

"Kënaqësi të takohesha sot në Ditën e Europës me Ambasadorin e Bashkimit Europian në Tiranë, zotin Luigi Soreca. 70-vjet pas Deklaratës së Shumanit Bashkimi Europian mbetet projekti më frymëzues. Fuqia e tij buron nga vlerat themelore të lirisë, demokracisë dhe solidaritetit. Shqipëria është sot një vend kandidat i Bashkimit Europian, që gëzon përkrahjen më masive e të palëkundur të qytetarëve në procesin e saj të integrimit.  Nuk duhet humbur asnjë minutë për të zbatuar me shpejtësi të gjitha kushtet për nisjen sa më parë të negociatave të anëtarësimit, duke u përqendruar tek ndërtimi i një demokracie funksionale dhe sundimi i ligjit, sikundër theksoi dhe deklarata e Zagrebit. Jam plotësisht i përkushtuar për të marrë përgjegjësitë e mia në këtë proces si President i Republikës, dhe u bëj thirrje të gjithë aktorëve të përmbushin detyrimet e tyre për një përparim të besueshëm e të qëndrueshëm në secilin prej 15 kushteve. Për Shqipërinë Europiane! Sëbashku më të fortë!" tha ai.

Por, ndryshe nga Meta, kreu i PD-së, Lulzim Basha e ka refuzuar ftesën e kryeministrit Edi Rama duke e quajtur atë si një thirrje hipokrite. Në përgjigje të tij, Basha liston ato që quan dështime të qeverisë Edi Rama në rrugën Europane, që sipas tij e kanë larguar Shqipërinë nga BE. Për Bashën, nuk është e nevojshme një tryezë e tillë dialogu, por mjafton që të plotësojë kushte e vendosura nga BE.

"Edi Rama dhe qeverisja e tij e kanë mbajtur peng integrimin europian të Shqipërisë dhe për shkakun e tij gjatë këtyre viteve kushtet janë shtuar nga 5, në 9 dhe tani janë 15 që duhen përmbushur. Ky është një dështim i Ramës, që nuk mund të maskohet dot pas thirrjeve hipokrite. Pandemia për fat të keq tregoi edhe njëherë se Rama vazhdon të vjedhë dhe mashtrojë njerëzit duke i lënë ata pa ndihmën ekonomike që u takon të marrin nga shteti. Pandemia tregoi se ai vazhdon ta përforcojë edhe më shumë bashkëpunimin me krimin e organizuar në një fushatë të turpshme të pastrimit të parave të pista. Pandemia tregoi se ai e vendos veten mbi ligjin dhe kushtetutën dhe se për veten dhe klientelën e tij shkel mbi gjithçka.

Vendi tani është para një krize të thellë ekonomike sepse në vend që t'ju japë mbështetje njerëzve dhe ekonomisë, Rama po jua jep paratë e shqiptarëve një grushti klientësh dhe oligarkësh. Kjo krizë vetëm sa nxorri zbuluar të gjitha dështimet e Ramës: shëndetësinë e vjedhur, ekonominë e rrënuar, papunësinë e rritur, varfërinë në ekstrem, dhe shtetin prej kartoni të katandisur në regjim facebook-u. Janë dështimet e Ramës që po varfërojnë përditë njerëzit, po e rrënojnë ekonominë, dhe po na largojnë nga Europa. Zbatimi i 15 kushteve të Bashkimit Europian për hapjen e negociatave është jetik për Shqipërinë dhe udhërrëfyesi i vetëm për nxjerrjen e vendit nga autokracia, paligjshmëria dhe kriza ekonomike, ku e ka zhytur Rama dhe regjimi i tij kusar", shkruan Basha.