Armando Broja për katër muajt në vijim do jetë pjesë e Fulham në Premier League. Chelsea ra dakord me kolegët nga Londra që sulmuesi 22-vjeçar të jetë i huazuar deri në fundin e sezonit aktual.
Sulmuesi i Kombëtares pritet të marrë minuta në muajt në vijim, për të qenë gati për Europianin 2024 me Shqipërinë. Duket se kjo ka qenë një nga shtysat më të mëdha për të, që të ndodhte kjo lëvizje në limitet e merkatos.
Fulham ka prezantuar edhe zyrtarisht Brojën, që do mbajë në fanellë numrin 9. Chelsea ka lënë "një kleçkë" në marrëveshje, me Brojën që duhet të luajë jo më pak se dhjetë ndeshje, në të kundërt Fulham duhet të paguajë 5 milionë euro për këtë huazim.
Gjatë prezantimit, Broja është shprehur i lumtur që do ketë mundësi të luajë në "Craven Cottage" dhe do marrë minuta që nuk ia siguronte dot Chelsea.
"Ndihem i mrekulluar që jam këtu. Jam shumë i lumtur që jam këtu dhe mezi pres të filloj, të takoj lojtarët, trajnerim dhe të luaj për tifozët.
Tifozët luajnë gjithmonë një rol të madh dhe mezi pres të shkoj në 'Craven Cottage' dhe t'i takoj të gjithë. Do të punoj shumë për ekipin dhe do të krijoj një lidhje me ta. Jam vërtet i nderuar dhe i emocionuar që jam këtu", tha Broja.
Armando Broja u prezantua te Fulham në Premier League. Debutimi për 22-vjeçari mund të vijë për diçka më shumë se 28 orë. Nesër në orën 16:00 klubi nga Londra luan në udhëtim ndaj Burnley për javën e 23-të në Premier League.
Me sulmuesin që është nën urdhërat e trajnerit Marco Silva, duket se debutimi për Brojën në ekipin e ri do jetë shpejt.