Taulant Xhaka mund të jetë blerja më e re e Fulhamit. Futbollisti i përfaqësueses shqiptare mund të largohet nga Bazeli për të nisur një aventurë të re në Angli me skuadrën që drejtohet nga Felix Magath.

23-vjeçari, që ka kontratë me kampionët e Zvicrës deri në verë të 2015, ka marrë një ofertë joshëse nga londinezët, që kërojnë të përfitojnë nga fakti që Bazeli mund ta shesë lirë për të mos e humbur me parametër zero pas një viti. Pavarësisht tentativave të vazhdueshme të drejtuesve të Bazelit për ta mbajtur në Zvicër, duket se Xhaka preferon transferimin .

Trajneri i kampionëve të Zvicrës, Paulo Sousa i ka kërkuar klubit që t’i zgjasë për dy vjet kontratën mesfushorit polivalent, por ende nuk ka marrë përgjigje nga babai i Taulantit, Ragipi, që është edhe menaxheri i tij.

Taulant Xhaka është prej 8 muajsh pjesë e përfaqësueses shqiptare, ndonëse ende nuk ka debutuar me bluzën kuqezi. Më 13 Dhjetor të 2013, ai u pais me pasaportë shqiptare, por nuk mundi të ishte nën urdhrat e De Biasit në miqësoret e 2014 për arsye dëmtimi.




Redaksia Online
(g.f/Shqiptarja.com)