Fullani: Më 2009 lajmërova krizën

Fullani: Më 2009 lajmërova krizën
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani tha dje para anëtarëve të Komisionit parlamentar të Ekonomisë dhe Financave se sipas mendimit të institucionit që ai drejton, efektet e krizës do të vijojnë të rëndojnë Shqipërinë për një sërë faktorësh, ndërkohë që deputetët e opozitës u ankuan për mungesë transparence. Fullani u paraqiti deputetëve raportin vjetor të Bankës së Shqipërisë dhe iu përgjigj pyetjeve të tyre. "Më 2009 e kam paralajmëruar qeverinë për rreziqet e krizës," - tha guvernatori, duke kujtuar periudhën para zgjedhjeve parlamentare të tri viteve të shkuara, kur qeveria, nën ethet e rizgjedhjes, keqmenaxhoi buxhetin e shtetit, duke e zhytur vendin në borxhe, të cilat sot po rezultojnë shumë të vështira për t'u shlyer.
"Takohemi me ministrinë e Financave çdo muaj për të koordinuar veprimet," tha Fullani. Në një linjë me qeverinë, ai shtoi se "ulja e borxhit nuk do ta stimulojë rritjen ekonomike", ndonëse ky është një nga kushtet e padiskutueshme të politikave makroekonomike, që kërkohet me ngulm nga institucionet ndërkombëtare.
RRITJA
Fullani deklaroi se rritja e prodhimit vendas dhe reformat për rritjen e konkurueshmërisë do të mbështesin rritjen e ekonomisë edhe gjatë vitit 2012. Sipas raportit të BSH, rritja ekonomike për vitin e kaluar ka qënë 3.1 për qind, borxhi publik ka qenë sa 58.1 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndërsa deficiti buxhetor ka kapur shifrën 3.5 për qind të PBB-së. Fullani paraqiti edhe të dhëna edhe mbi treguesit e inflacionit dhe papunësisë përgjatë vitit të kalur, duke theksuar se inflacioni ka qenë 3.5 për qind, ndërsa papunësia në nivelin 13.3 për qind. Ai shtoi se sektori që ka pësuar më shumë rritje ka qenë industria dhe një rritje të kënaqshme kanë pasur eksportet.
Ndërkohë, lidhur me zhvillimet ekonomike për vitin në vazhdim, pak ditë më parë, guvernatori është shprehur shumë më pesimist. "Viti 2012 pritet të jetë nën ndikimin e zhvillimeve të pafavorshme të ekonomisë botërore, të cilat do të kushtëzojnë edhe ekonominë vendase", tha Fullani.
KREDITE
Pasuritë e lëna peng nga qytetarët për marrjen e kredive do të sekuestrohen për të paguar borxhin që ata u kanë bankave. Banka e Shqipërisë është e vendosur të ashpërsojë masat për ekzekutimin e kolateralit, nisur nga shqetësimi i rritjes së kredive me probleme. Ky fakt është pohuar nga guvernatori para deputetëve. Ndërkohë, deputetët e opozitës kanë kërkuar nga Banka e Shqipërisë të rrisë cilësinë dhe nivelin e kreditimit në ekonomi, si një mundësi për të ulur huamarrjen me probleme. "Kreditë e këqija sipas Bankës së Shqipërisë kanë kaluar në 18.5 për qind të totalit. Sa është në këtë kredi të keqe të sistemit bankar shqiptar pjesa e shtëpive që rrezikojnë të humbasin shqiptarët?", pyeti deputeti socialist Malaj. Guvernatori tha se Banka e Shqipërisë ka vetëm të dhënat në total për kreditë me probleme dhe jo të ndara në llojet e kolateralit që është lënë peng.

BSH E QEVERIA JAPIN DY SHIFRA PËR BORXHIN
Sipas ministrisë së Financave, në fund të vitit 2011, stoku i borxhit publik arriti në 772.5 miliardë lekë, sa 58.75% e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Ndërkohë, në prezantimin e tij në Kuvend dje, guvernatori e uli më tej këtë shifër, duke raportuar një borxh publik në masën 58.1 për qind të PBB-së. Në tremujorin e tretë dhe të katërt, bankat kanë ulur investimet në bono thesari, si reflektim i kërkesave nga bankat mëmë për të ulur aktivet që konsiderohen me risk. Në këto aktive hyjnë edhe letrat me vlerë të shtetit shqiptar.

(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës