TIRANE- Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani i ka kërkuar Komisionit Europian, që Shqipërisë t’i rezervohet një trajtim i veçantë për mbrojtjen nga kontaminimi i krizës ekonomike që ka përfshirë eurozonën.

Në takimin që ai zhvilloi me komisionerin për ekonominë dhe çështjet monetare, Olli Rehn, guvernatori Fullani ka kërkuar që të ndërhyhet ndaj tkurrjes së aktivitetit dhe zvogëlimit të kreditimit të bankave bija europiane në Shqipëri.

Fullani deklaroi për mediat se, në kushtet kur bankat europiane tashmë nuk përballen vetëm me problem likuiditeti, por edhe me ulje të ndjeshme të kredisë, gjë që ka impakt negativ tek bankat bija në vendet jashtë Bashkimit Europian si në Shqipëri, kërkohet vëmendje dhe apel ndërkombëtare për mbrojtjen e sistemeve bankare imune. Në kuadrin e forumit Vienna 2, Guvernatori Fullani, ka kërkuar të krijohet një mekanizëm për ndërhyrjen e shpejtë në vendet ku ka probleme. Ndërkohë që, Viena 2 pritet të sjellë një ndryshim në parandalimin e efekteve të krizës në sistemin bankar edhe për vendet jo anëtare të Bashkimit Europian.
Mbështetja e grupeva bankare të huaja me likujditete nga bankat mëmë është një fenomen i njohur tashmë në kohërat e krizës. Kjo gjë veçanërisht, u vu re te bankat greke, të cilat e rritën pjesën e tyre në tregu vendas falë mbështetjes me linja kredie nga grupet bankare mëmë. Por, në vitet e fundit kjo tendencë ka ndryshuar.

Në fund të 6-mujorit të parë të këtij viti, Banka e Shqipërisë kostaton se sektori bankar paraqitet me një pozicion neto pozitiv ndaj palëve jorezidentë. Kjo do të thotë se filialet shqiptare nuk janë më debitore, por kreditore në pozicionin neto ndaj grupeve bankare që ju përkasin.

Totali i pretendimeve ose ndaj institucioneve jorezidente ose totali i parave që bankat shqiptare kanë huazuar jashtë vendit ka shfaqur rritje në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, si edhe në krahasim me fundin e vitit 2011. Në fund të muajit Qershor 2012, pretendimet totale ndaj jorezidentëve zinin 10.8% të totalit të aktiveve dhe ato ndaj grupeve bankare zotëruese zinin 3.4% të tyre.
(atsh/sg/shqiptarja.com)