Fulvio Pea ka njoftuar zyrtarisht largimin nga posti i Drejtorit Teknik të Federatës Shqiptare të Futbollit, duke i dhënë fund një periudhe tre vjeçare në krye të sektorit teknik.
Vendimi është bërë publik përmes një postimi në rrjetet sociale, ku tekniku italian konfirmoi se nuk do të rinovojë kontratën me institucionin e futbollit shqiptar. Pea e cilëson këtë eksperiencë si intensive dhe domethënëse, duke theksuar se ka qenë një periudhë sfiduese, por njëkohësisht shumë formuese në aspektin profesional dhe personal.
Në mesazhin e tij, ai rezervoi falenderime të veçanta për bashkëpunëtorët dhe drejtuesit e FSHF-së. Ai theksoi rëndësinë e punës në grup në arritjen e suksesit, duke lënë të kuptohet se kontributi kolektiv mbetet mbi çdo individ.
'Pas 7 vitesh larg Italisë, pas shumë ditëve reflektimesh, mendova se ka ardhur momenti të rikthehem dhe t’i afrohem pak më shumë familjes. Megjithatë, mbetet një eksperiencë shumë e bukur, edhe falë gjithçkaje që kam përjetuar në Shqipëri.
Që nga dita ime e parë dhe gjatë gjithë qëndrimit këtu, falë karakteristikës së veçantë të shqiptarëve, që janë shumë mikpritës. Falenderoj gjithashtu presidentët e klubeve të Superligës dhe Kategorisë së Parë, me të cilët kam punuar dhe kam ndarë disa projekte. Falenderoj stafin e federatës, që ka qenë gjithmonë shumë i gatshëm dhe mirëkuptues", tha ai.
Vetëm pak orë pasi Fulvio Pea zyrtarizoi vendimin e tij për të mos rinovuar kontratën si Drejtor Teknik i Federatës Shqiptare të Futbollit, në Itali kanë zbuluar detyrën e tij të radhës. Pea, i cili mbajti postimin e drejtorit nga marsi i vitit 2023, mund të rikthehet në Milano në ish-klubin e tij, Inter.
Pea, i cili ka punuar më parë me Marottën te Sampdoria, ka qenë trajner i ekipit të të rinjve të Interit dhe e njeh shumë mirë mjedisin zikaltër. Sipas raportimeve, dera e 'Appianos' pritet të hapet për të, me një rol si koordinator i akademisë së të rinjve. Mbetet për t'u parë nëse kjo do të lidhet me ekipin e të rinjve apo me projektin U-23. Megjithatë, rikthimi i Peas te Interi është shumë pranë.
Komente









