TIRANE - Në Shqipëri qytetarët udhëtojnë me autobusë të vjetër mbi 22 vjeçar. Me hyrjen në fuqi të ligjit të ri të transportit ndërqytetas, firmat duhet të ndërrojnë flotat e autobusëve çdo 5 vjet. Këtë ndryshim të rëndësishëm e prezantoi ministri i Transportit dhe Infrastrukturës Edmond Haxhinasto gjatë raportimit në komisionin parlamentar të Integrimit. Reforma në transportin ndërqytetas është ende në fazën e projektligjit i cili ka nisur të diskutohet në komisionet kuvendore për tu miratuar më tej në Parlament. 

"Kapaciteti i autobusëve sot është 62%, janë 1058 autobusë në sistem të regjistruar dhe prej tyre punojnë 810. 40 % e tyre janë të një prodhimi mbi 22 vite, vetëm 12 % janë e moshës 15 vjet. Ndërhyrje tjetër do të jetë vetë plani i rinovimit të flotës, duke patur parasysh dhe duke respektuar maksimalisht kapacitetet e operatorëve të ri, tashmë të kërkuar sipas propozimit të ri, dhe mundësinë për rinovimin e flotave, ku është vendosur një kalendar 5 vjeçar", tha Haxhinasto.

Sipas ministrit, do të përgjysmohen edhe linjat e autobusëve, pasi janë dysfish më shumë se sa nevoja e qytetarëve.

"Nga analiza jonë që është bërë bazuar në metodën e “Garipetit”, një metodë moderne europiane, për përcaktimin e sistemeve të transportit publik, ku rezulton se aktualisht kemi dyfishin e linjave që i duhet vendit. Sot janë 588 linja, itinerare dhe në vlerësimin tonë nevojitet vetëm gjysma e tyre. Shumë e rëndësishme që të përcaktohet autoriteti dhe afati i miratimit të linjave, sepse sot nuk kemi një mënyrë ose një përqasje të integruar në përcaktimin e linjave. Gjë që ka sjellë miratimin e dyfishtë të linjave dhe itinerareve që ka nevojë sot vendi. Me riorganizimin e ri, kjo do të bëhet në mënyrë integrale dhe sigurisht marzhi i gabimit do të jetë shumë i vogël", u shpreh ministri.

Sipas këtij projektligji, parashikohet që të shkojë në 10 edhe numri i terminaleve, (stacionimit të autobusëve) që aktualisht është vetëm në 3 bashki.

"Për terminalet shumë e rëndësishme të kemi bashkëpunimin me pushtetin vendor, aktualisht operojnë 3 terminale në 3 bashkitë. Plani për vitin 2017 është që të kemi edhe 7 të tjera. Që do të kenë parametra dhe standarte më të larta", tha Haxhinasto.

Ministri u shpreh se në disa nga linjat kryesore do të nisë të përdoret bileta elektronike.

"Përsa i takon biletimit elektronik që është një element i sistemeve inteligjente, synojmë të realizojmë nëpërmjet këtyre ndryshimeve si kërkes dhe biletimin në disa itinerare kryesore të transportit, si Tiranë- Durrës,Tiranë- Elbasan, Tiranë-Shkodër"

Një tjetër risi që do të sjellë projektligji i transportit ndërqytetas është edhe dyfishimi i periudhës së licencimit, me qëllim që operatorët të kenë edhe mundësinë e rinovimit të flotave.

Fjala e plotë e ministrit Haxhinasto
Kjo është një reformë e thellë e transportit publik, më e thella e bërë ndonjëherë, me qëllimin e vetëm përmirësimin cilësor të këtij shërbimi për qytetarët. Reforma është iniciuar nga një situatë shumë e rëndë, në organizimin dhe operimin në transportin ndërqytetas. Mjaftojmë të japim disa shifra për të kuptuar domosdoshmërinë e tij.

Kapaciteti i autobuzëve sot është 62%, janë 1058 autobuzë në sistem të regjistruar dhe prej tyre punojnë 810. 40 % e tyre janë të një prodhimi mbi 22 vite, vetëm 12 % janë e moshës 15 vjet. Nga analiza jonë që është bërë bazuar në metodën e “Garipetit”, një metodë moderne europiane, për përcaktimin e sistemeve të transportit publik, ku rezulton se aktualisht kemi dyfishin e linjave që i duhet vendit. Sot janë 588 linja, itinerare dhe në vlerësimin tonë nevojitet vetëm gjysma e tyre. Për të vazhduar më tej, Kemi një mungesë terminalesh, ka mungesë informacioni për qytetarët që përdorin këtë shërbim, kemi mungesë kontrolli të opertimit të këtij sistemi, kemi evazion shumë të lartë fiskal dhe subjektivizëm. Pra një sistem që është shumë larg të ofruarit të cilësisë që meritojnë qytetarët shqiptar, shumë larg të qënurit një sektor i qëndrueshëm dhe me kapacitet për rinovim të vazhdueshëm. Prandaj kemi konceptuar këtë reformë, që e trajton problematikën në tërësinë e saj dhe rivendos numrin e duhur optimal të linjave ndërqytetase, bën riorganizimin e operatorëve mbi bazën e bashkisë, duke i krijuar atyre mundësinë dhe kapacitetet për rinovimin e flotave, mundësinë të operojnë në mënyrë të civilizuar me njëri tjetrin dhe më linjat e tjera. Duke hequr elementët e “Far Eestit”, që vihen re në transportin ndërqytetas.

Kemi bërë një rioganizim të linjave sipas kategorive, në kategori linja kyesore dhe kategori ushqyese. Që operojnë në juridiksion dhe me kritere të ndryshme. Po kështu kemi pregatitur si kërkesë përcaktimin e standarteve të terminaleve të autobuzëve, kemi përcaktuar kriteret që do të detajohen më tej përsa i përket biletimit. Kemi vendosur standartet për autobuzët, kategoritë e tyre që do të jenë të pranueshëm dhe planin e tyre.

Për terminalet shumë e rëndësishme të kemi bashkëpunimin me pushtetin vendor, aktualisht operojnë 3 terminale në 3 bashkitë. Plani për vitin 2017 është që të kemi edhe 7 të tjera. Që do të kenë parametra dhe standarte më të larta. Përsa i takon biletimit elektronik që është një element i sistemeve inteligjente, synojmë të realizojmë nëpërmjet këtyre ndryshimeve si kërkes dhe biletimin në disa itinerare kryesore të transportit, si Tiranë- Durrës,Tiranë- Elbasan, Tiranë-Shkodër. Të gjithë këta element sëbashku çojnë në këtë cilësi të re që do të ketë sistemi. Impakti nuk është vetëm te udhëtari, nuk është vetëm tek operatorët, por edhe te qytetarët e tjerë, sepse do të përgjysmohet ndotja e mjedisit vetëm nga ky organizim që i bëjnë sektorit.

Ky ligj bën klasifikimin e linjave ndërqytetëse, linja kryesore dhe linja ushqyese. Shumë e rëndësishme që të përcaktohet autoriteti dhe afati i miratimit të linjave, sepse sot nuk kemi një mënyrë ose një përqasje të integruar në përcaktimin e linjave. Gjë që ka sjellë miratimin e dyfishtë të linjave dhe itinerareve që ka nevojë sot vendi. Me riorganizimin e ri, kjo do të bëhet në mënyrë integrale dhe sigurisht marzhi i gabimit do të jetë shumë i vogël. Shumë e rëndësishme është çështja e përcaktimit të operatorëve, gjë që do t'i sjellë operatorët në shoqëritë bashkiake, duke mos përjashtuar asnjë njeri nga tregu por duke i bërë pjesë të kësaj reforme. Duke u bërë pjesë e kësaj reforme ata operatorë që opertojnë si persona fizikë, dhe që kanë patur edhe problemin para ca kohë të autoveturave 8+1. Që në gjuhën popullore quhen furgona, por që në fakt janë autovetura, të cilat integrohen në këtë plan.

Ligji përcakton edhe dispozitat për sistemin e biletimit, duke futur modelin e biletimit elektronik dhe metodoligjinë e tarifavave si pjesë të tij. Gjithashtu përcaktimin e dispozitave përsa i takon terminaleve. Kjo është pjesë ligjore. Pjesa që do të vijë mbas miratimit të këtij akti, do sjellë një rregullim të sektorit më në thellësi. Ka të bëjë me kërkesat dhe cilësinë e drejtuesve të mjeteve, kualifikimin e tyre, çfarë është një kërkesë e domosdoshme për cilësinë dhe për sigurinë e shërbimit që ata do të ofrojnë.

Po kështu aktet e tjera do të përcaktojnë konkretisht, rrjetin e linjave ndërqytetase, që do të përgjysmohet dhe do të ofrojë një performacë shumë herë më të lartë se ai ekziztuesi.

Me aktet nënligjore do të ketë të detajuara kriteret e liçensimit, do të ketë të përcaktuar qartë autoritetin e lëshimit të liçensave dhe vlefshmërinë e tyre. Qëllimi është që të dyfishohet periudha e licencimit, me qëllim që operatorët të kenë edhe mundësinë e rinovimit të flotave, që është shumë e rëndësishme. Do të përcaktohen gjithashtu kriteret dhe standartet e mjeteve që do të përdoren në sistem, aktualisht ka një sistem të flotave tejet të vjetër dhe të amortizuar.

Ndërhyrje tjetër do të jetë vetë plani i rinovimit të flotës, duke patur parasysh dhe duke respektuar maksimalisht kapacitetet e operatorëve të ri, tashmë të kërkuar sipas propozimit të ri, dhe mundësinë për rinovimin e flotave, ku është vendosur një kalendar 5 vjeçar. Në gjykimin tonë duke ruajtur marzhet e nevojave të brëndshme është plotësisht i mundshëm. Po kështu dhe përcaktimi specifik i veçorive të terminaleve dhe përcaktimi specifik i vetive teknike, fizike dhe estetike të mjeteve që do të përdoren.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)