Deputeti i Partisë së Lirisë, Edmond Haxhinasto, është shprehur se Shqipëria ka nevojë për përmirësimë në politikën e jashtme.
Komentet Haxhinasto i bëri gjatë fjalës së tij në Kuvend, ku tha se çështja e shërbimit të jashtëm nuk duhet të preket nga retorikat partiake, por të punohet për të bërë më të mirën në këtë drejtim.
“Dëshiroj t’ju jap një histori të eksperiencës time personale në Beograd, kur në vitin 2001 fillova si drejtues i ambasadës në funksionin e të ngarkuarit me punë permanent. Një diplomat i shkëlqyer i diplomacisë shqiptare, Petraq Pojani, që u prehtë në paqe, me një grup të vogël diplomatësh kishte bërë gjithçka gati që të funksiononte misioni diplomatik atje, pas ndryshimeve të jashtëzakonshme që kishin ndodhur në ish-Jugosllavi, rrëzimi i Millosheviçit. Këta diplomatë ishin atje me fëmijët e tyre, që jetonin dhe përjetonin çdo ditë edhe presion nga një shoqëri që ishte e helmuar nga retorika nacionaliste. Kështu që dua të shpreh respektin maksimal për të gjithë diplomatët të cilët kanë sakrifikuar në momentet të vështira të historisë së Shqipërisë”, tha mes të tjerash Haxhinasto.
Më tej Haxhinasto tha se përmirësimi në politikën e jashtme të Shqipërisë është një nevoje që lind si ndryshim i shumë faktorëve gjeo-strategjikë dhe me afrimin e anëtarësimit të vendit në BE.
“Çështja e shërbimit të jashtëm duhet të na bëjë që të përmbahemi nga retorikat partiake dhe ta trajtojmë seriozisht si një çështje të një vlere kombëtare që kemi. Prandaj çdo përmirësim ligjor në funksion të një cilësie të re të shërbimit të jashtëm do të ishte i mirëpritur, pavarësisht se ligji nuk ka më shumë se 10 vite që është miratuar. Shqipëria kë nevojë për një politikë të re të jashtme. Ndikohet nga afrimi jonë me anëtarësimin në BE, por edhe dinamikat brenda organizatave rajonale dhe të përbotshme, siç është OKB. Prandaj ne kemi nevojë të kemi një konsolidim të politikbërjes, një bazë sa më të gjerë të konsensusit, të përfshirjes së institucioneve kushtetuese”, shtoi Haxhinasto.
Teksa kërkoi që t’i jepet fund protagonizmit personal në politikën e jashtme, Haxhinasto kërkoi që të rishikohen me kujdes marrëdhëniet e Shqipërisë me vendet e tjera, pasi sipas tij, shumë marrëdhënie po bëhen strategjike si qoka politike.
Haxhinasto kërkoi po ashtu një aktivizim më të madh nga Shqipëria në mbrojtjen e faktorit shqiptar në rajon dhe një mbështetje më agresive për Kosovën.
“Ti japim fund protagonizmit në politikën e jashtme, sepse pasojat janë të rënda. Ju kujtohen aventurat e viteve të kaluara për shkëmbim territoresh dhe Ballkanin e hapur, që na sollën shumë vonesa. Gjithashtu kemi nevojë për ta mbështetur politikën e jashtme dhe për ta nxjerrë atë si një politikë kombëtare që i kalon hallet individuale të kujtdo. Na duhet një qartësi shumë më e madhe në përcaktimin e aleatëve tanë strategjikë, sepse shpesh herë janë bërë si qoka politike. Nuk mund të jetë aleat strategjik një vend që pavarësisht nga marrëdhëniet me drejtuesin e tij, ne ta trajtojmë atë si qokë strategjike. Kemi nevojë t’i rikthejmë sytë nga rajoni, te mbështetja e faktorit shqiptar në rajon. Kemi nëvojë për një mbështetje shumë më agresive për Kosovën”, vijoi më tej Haxhinasto.
Lajmi kryesor:
LIVE TV- Kuvend/ Debate për nismën e PS-së që pengon gjykatat të pezullojë ministrat! Bardhi: Dorëzoni Ballukun! Balla: McAallister s’u erdhi te partia









