“Fundi i Berishës do të jetë fundi i Partisë Demokratike.” Kështu u shpreh ish-deputeti Enkelejd Alibeaj në një intervistë në NewsCast Albania me gazetarin Arbër Hitaj, ku komentoi zhvillimet brenda kampit opozitar, lëvizjen e Ervin Salianjit dhe raportin mes Sali Berishës, Edi Ramës dhe drejtësisë. Sipas Alibeajt, Partia Demokratike është shndërruar tashmë në një parti private të Berishës dhe pa të rrezikon të shkërmoqet.
“Ajo parti është shndërruar në një parti private, në një parti të vetë Sali Berishës i cili do ta marrë në fundin e vet politik edhe atë parti. Pa të kjo parti do të shkërmoqet”, tha Alibeaj.
Duke komentuar lëvizjen e Ervin Salianjit, Alibeaj tha se mbështetja që ai po merr nga demokratët nuk lidhet aq shumë me figurën e tij, por me zhgënjimin që militantët kanë krijuar ndaj Berishës.
“Ka një shpjegim se përse mblidhen njerëz tek zoti Salianji. Jo aq shumë për meritë të zotit Salianji sesa për një diçka tjetër. Sali Berisha ka menduar gjithmonë që ai është në krye të Partisë Demokratike duke e bazuar tek marrëdhënia e verbër e idhujtarisë me militantët”, u shpreh Alibeaj.
Sipas tij, premtimet e pambajtura të Berishës pas rikthimit në krye të PD-së kanë sjellë skepticizëm edhe tek vetë baza demokrate.
“Ka ndodhur që militanca e vet të fillojë të ngrejë krye dhe të jetë skeptike. Nuk ka goditje më të madhe për një mendësi të kësaj natyre sesa militanca të fillojë dhe të ketë pikëpyetje ndaj liderit të vet”, deklaroi ai.
Megjithatë, Alibeaj tha se nuk do t’i bashkohet Salianjit, duke e akuzuar se ka tradhtuar qëndrimin që kishin mbajtur kundër rikthimit të Berishës në PD.
“Shumë nga këta personazhe politike, pak nga pak, dezertuan moralisht pozicionin politik që zgjodhëm me dëshirë dhe kaluan tek shumica e Sali Berishës duke i dhënë oksigjen atij. Njëri prej tyre ishte dhe Ervini”, tha Alibeaj.
Në intervistë, ish-deputeti hodhi akuza të forta edhe ndaj Edi Ramës dhe Sali Berishës, duke paralajmëruar se dy liderët politikë po bashkojnë votat për të mbrojtur interesat e tyre përballë drejtësisë.
“Konflikti i vërtetë sot nuk është midis mazhorancës dhe opozitës, por midis politikës dhe drejtësisë. Ajo që ndodhi me rezolutën nuk është gjë tjetër. Është një pazar, një provë gjenerale e bashkimit të votave që mund t’i bëjnë Rama me Berishën përkundër rrezikut të vetëm që kanë sot që është drejtësia”, deklaroi Alibeaj.
Sipas tij, SPAK mbetet i vetmi instrument që mund të sjellë ndryshim real në politikën shqiptare.
“Për shkak të abuzimeve që ka bërë njëri dhe tjetri, goditja prej SPAK-ut sjell impakt real politik në fushën politike dhe në fushën partiake”, tha Alibeaj.
Komente










