Departamenti Amerikan i Shtetit ka miratuar sot shitjen e 500 raketave të avancuara të mbrojtjes ajrore “Patriot PAC-3 Missile Segment Enhancement” për Ukrainën, në një paketë që vlerësohet në rreth 2.1 miliardë dollarë.

Departamenti Amerikan i Shtetit bëri të ditur se e gjithë kostoja e kësaj blerjeje do të mbulohet nga partnerët dhe aleatët e Ukrainës, pa përfshirë fonde amerikane.

Financimi do të sigurohet përmes kontributeve të Kanadasë, Gjermanisë dhe Norvegjisë, në kuadër të programit JUMPSTART, si dhe nga fondet kombëtare të Ukrainës, të mbështetura nga Huaja e Bashkimit Evropian për Mbështetjen e Ukrainës.

“Ukraina do të paguajë për këtë blerje me donacione nga Kanadaja, Gjermania dhe Norvegjia nëpërmjet programit JUMPSTART dhe fondeve kombëtare, të financuara nga Kredia Mbështetëse e Ukrainës e Bashkimit Evropian”, tha DASH në një deklaratë.

“Nuk përfshihen fonde amerikane në këtë shitje.”

Raketat PAC-3 MSE janë pjesë e sistemit të mbrojtjes ajrore Patriot dhe përdoren për interceptimin e raketave balistike taktike dhe kërcënimeve të tjera ajrore.