Ndryshe nga rruga në Librazhd, shembja e së cilës ka lënë në izolim prej gati 1 jave juglindjen e vendit, në Burrel, 960 m rrugë, e ndërtuar si unazë për të shmangur trafikun e qytetit, është shkatërruar prej muajit janar të këtij viti, dhe deri më tani nuk ka asnjë ndërhyrje. Banorët tregojnë se kjo rrugë prej më shumë se 1 dekade ka pasur rrëshqitje të vazhdueshme të dherave dhe ngrenë supet se përse ARRSH investoi rreth 1.3 mln € për ta asfaltuar atë, kur edhe sot, është sërish e shembur dhe e bllokuar.

***

Moti i keq që preku vendin në fillim të vitit, shembi edhe këtë segment rruge më 9 janar.

Dielli ka dalë prej kohësh, por edhe pas më shumë se 1 muaji e gjysmë, sot, Unaza e Burrelit, jo vetëm që nuk është hapur, por është shkatërruar edhe më shumë.

Unaza e ndërtuar gjatë vitit 2025, vetëm 960 metra e gjatë, do të shërbente për të lehtësuar trafikun në qytet. Pra, kushdo që vjen nga Klosi, apo Shkopeti, nuk do të kalonte mes përmes qytetit, por nga kjo unazë poshtë tij.

Kjo rrugë e shkurtër, ka pësuar çarje dhe shembje të asfaltit në 3 vende, duke e bërë të pakalueshme si për këmbësoret ashtu edhe automjetet.

Në fakt banorët, të cilët i kanë shtëpitë poshtë rrugës, nuk janë të surprizuar. Prej vitit 2010, thonë se kjo rrugë ka pasur rrëshqitje të vazhdueshme të dherave.

“Kjo përherë ka qenë shemb. Rrezikon banesa se ka shtëpi matanë dhe shumë njerëz kanë ikur prej këtej, i kanë lënë shtëpitë dhe kanë dalë në qytet, se u shembte shpesh kjo rrugë”, thotë një banor.

“Ka qenë me probleme dhe më parë, firma e ndërtoi e bëri me ndriçim, me trotuar, me të gjitha, bëri shi dhe e ka çuar në këtë gjendje. Rruga ka pas rrëshqitje dhe më parë, ka pas gjithmonë rrëshqitje”,  thotë një tjetër banor.

“Shumë probleme, na vjen ujti, mu ka shemb oborri, siç shembet oborri shembet dhe shtëpia. Na kanë marrë letrat, thonë se i kanë çuar në Tiranë. Sado që shtëpinë e kam bërë të mirë, tokës nuk i besohet”, thekson një banore e zonës.

Rreziqet e kësaj toke, banorët i kanë ditur, por studiuesit duket se i kanë shpërfillur.

Autoriteti Rrugor Shqiptar, për këto 960 metra rrugë investoi rreth 1.3 milionë euro, ndërsa projekti u realizua nga Ulza” sh.p.k.  Zona ka pasur precedentë rrëshqitjeje të dokumentuar me vendime dëmshpërblimi ndër vite nga Këshilli Bashkiak. Aktualisht ky objekt mbetet i pa kolauduar dhe i pa marrë në dorëzim, çka pritet të kërkojë tjetër financim nga autoritetet për të riparuar dëmtimet.

 

G.M./A.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • jordan: 26/02/2026 15:00

    A e dini përse ka kaq shumë rrëshqitje toke, SEPSE NUK KANË LËNË PEMË PA PRERË....përse nuk rrëshqet toka në ato zona ku ka pyje....?????

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës: 26 Shkurt, 21:54

    Rama shkarkon Ballukun dhe bën 7 ndryshime në qeveri, si e vlerësoni?