Fuqia kërcënuese e të keqes

Fuqia kërcënuese e të keqes
Shqipëria kaloi 46 vjet në regjim totalitar. Modeli shqiptar ishte unik në ashpërsinë, natyrën ekstreme, organizimin pyramidal shtetëror, përndjekjen kolektive klasore dhe mekanizmin shtetëror e publik të dhunës.
Në krye të piramidës ishte diktatori, pranë tij Byroja Politike, më tej strukturabesnike e PPSH dhe paralelisht, struktura e dhunës, simbolizuar
nga Sigurimi i Shtetit. Me rënien e sistemit komunist ra edhe piramida shtetërore e tij, u shpërbë PPSH dhe sigurimi, dhe me kalimin e viteve, vetë
komunistët nisën një garë publike me kujtime disidente e distancimi nga sistemi i kaluar. Ata që me bindje ose detyrim shkaktuan viktima, në demokraci morën rolin e viktimës; ata që bënë karrierë duke mbushur me njerëz të pafajshëm burgjet apo kampet e internimit në sistemin e ri vrapuan të marrin poste politike e partiake, të dominojnë biznesin dhe debatet publike, të rishkruajnë historinë dhe të krijojnë me çdo çmim një identitet të ri për veten dhe jetën e tyre. Shqipëria e vitit 2012 ka ndryshuar shumë nga 1990: ka shumë pallate të reja, shumë biznese, shumë rrugë e makina, shumë zhurmë dhe liri, por në raport me identitetin moral dhe me të kaluarën, - mbetet ende në hapat e parë. Shqipëria e vitit 2012 dominohet nga një klasë politike e lindur, rritur dhe edukuar në regjimin e vjetër, madje edhe e promovuar në karrierë politike në diktaturë. Shqipëria e vitit 2012 mbetet ende peng i të njëjtave mentaliteteve të përndjekjes dhe etiketimit politik, të refuzimit të votës dhe mendimit ndryshe, të pafuqisë për ta ndarë partinë qeverisëse të radhës nga shteti, si dhe të aftësisë për të mbajtur në këmbë një sistem antivlerë, - burim kryesor i krizës shoqërore të tranzicionit.
Ja për shembull, askund në Europën Lindore nuk shkruhet e botohet as shumë me admirim e kujtime pozitive për diktaturën, diktatorin e bashkëpunëtorët e tij sesa në Shqipëri. Askund nuk gjen aq libra personalë me kujtime nga ish funksionarë të lartë të regjimit, thelbi i të cilave është ngritja në pedestal e karrierës së tyre, evokimi i kujtimeve personale me diktatorin apo mekanizmat e tij të dhunës, si dhe njëherësh, denigrimi i gjithçkaje positive që përfaqëson demokracia dhe modeli gjysëmdemokratik që ndjek Shqipëria prej 1990.
Vetëm në Shqipëri mund të ndodhë që ditën e pluralizmit të mbushim ekranet me kujtimet e diktatorit të fundit; në ditën e çlirimit të mbushim lajmet me kujtimet lapidare të atyre që pasi vranë kundërshtarët politike vranë edhe shokët e tyre të luftës; në ditën e pavarësisë së Kosovës të mbushin gazetat me gjoja planet e luftës të regjimit komunist për çlirimin e Kosovës; etj. Kudo në Europën Lindore do të ishte e papranueshme psh, që një eksponent criminal i sigurimit të shtetit, i famshëm për përndjekjen e elitës intelekturale e akademike të Tiranës, të ketë kurajon, siç ndodhi këto ditë, që pas dy dekadash të baltosë në publik shtetin demokratik, diplomacinë dhe politikën integruese shqiptare të 20 viteve të fundit. Në
Gjermaninë Lindore njerëz të tillë kanë zgjedhur faljen publike, tërheqjen nga jeta publike, emigrimin ose rrëfimin në gjykata, kurse në Shqipëri, ata jo vetëm refuzuan faljen apo rrëfimin, por u bënë e vijojnë të jenë protagonistë të politikës vendimmarrëse, herë në qeveri, herë në parlament, herë në diplomaci, herë në institucione dhe gjithëherë në mediat publike. Përpjekja e tyre për t’i bërë gjithë shqiptarët bashkëfajtor për fajet e tyre, dhe bashkëvuajtës për vuajtjet e viktimave të tyre, është sa antihumane, jo e drejtë aq edhe e padenjë dhe poshtëruese për një shoqëri të lirë.
Ky shembull poshtërues i baltosjes së moralit publik dhe hapësirave që ofron demokracia, i denigrimit të konceptit të masës dhe ndërgjegjes qytetare, i hymnizimit të së keqes dhe për rrjedhojë, i mbajtjes edhe më tej të shoqërisë dhe vendit si peng i të kaluarës, peng i iluzioneve mashtruese dhe mentaliteteve inkriminuese, - përbën një prej arsyeve kryesore pse Shqipëria ndodhet ende në krizë identiteti, krizë shtetfunksionimi dhe krizë të thellë morale përfaqësimi. Një shoqëri pa kujtesë, pa ndjesi ndaj të keqes, pa forcë për tu distancuar prej saj, pa aftësi për të reflektuar ndaj gabimeve të saj, pa vullnet për të ndryshuar, pa kurajo dhe vizion
për të zgjedhur rrugën e duhur, - rrezikon të (vet)dënohet për të mbetur pafundësisht një shoqëri parademokratike, tranzicioni dhe e destinuar të rrezikojë edhe të ardhmen e saj.

  • Sondazhi i ditës:

    Censi 2023, popullsia u tkurr me 419 mijë në 12 vite, cili është shkaku?



×

Lajmi i fundit

‘Kam qenë duke u nda me gruan’, banori i Thethit i drejtohet Ramës pasi merr certifikatën e pronësisë: Më solle pajtimin dhe unitetin

‘Kam qenë duke u nda me gruan’, banori i Thethit i drejtohet Ramës pasi merr certifikatën e pronësisë: Më solle pajtimin dhe unitetin